Tek urimi i presidentes JahjagaPresidentja Jahjaga uron besimtarët Protestant

Në urimin e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga me rastin e Festës së Pashkës thuhet:

Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës
Kryetarit, Pastor Driton Krasniqi

Telegram urimi me rastin e Ditës së Pashkëve

I nderuari pastor Krasniqi,
Të nderuar besimtarë,

Ju përcjell urimet e mia më të mira me rastin e Festës së Pashkëve. Dëshiroj që kjo festë, që shënon ringjalljen e shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjen e besimit te Zoti, t’ju gjej mes miqsh e të dashurish, në paqe e gëzime.
Uroj që kjo festë të na shërbejë për të reflektuar për të sotmen dhe për të ardhmen tonë, të na shtojë vlerat njerëzore të dashurisë dhe të respektit për njëri-tjetrin.
Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që nuk janë mes nesh, të respektojmë jetën dhe vlerat e veprat e tyre, që na mundësuan të jemi këtu ku jemi sot.
Po kështu, le të na shërbejë kjo festë, për të treguar solidaritetin tonë me të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën dhe respektin tonë. Shpirti human na ka përshkuar me decenie e shekuj, ta tregojmë atë edhe sot.
Në këtë ditë të madhe, lutem për mirëqenie e dashuri mes njerëzish, për paqe për të gjithë njerëzimin.

Gëzuar!
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës

Urimi i Presidentes Jahjaga