thirrje-protestaNë ambientet e Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë u mbajt takimi mes krerëve të bashkësive fetare në vend. Nikoqiri z. Dodë Gjergji mirëpriti në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) z. Naim Tërrnavën dhe atë të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) Pastor Driton Krasniqi. Takimi ishte i ngrohtë dhe i përzemërt dhe përveç liderëve të këtyre institucioneve fetare në vend, ishin të pranishëm edhe drejtues të tjerë të lartë të bashkësive përkatëse fetare. Drekës së punës, i parapriu një konferencë e përbashkët për shtyp. Tre drejtuesit fetarë të lartcekur u bënë thirrje drejtuesve politikë në vend që të lënë mënjanë mëritë e tyre duke e vendosur interesin e popullit para interesave vetjake.

Kryetari Krasniqi në fjalën e tij fillimisht falënderoi nikoqirin, Kishën Katolike të Kosovës, respektivisht homologun e tij Dodë Gjergji, për mikpritjen. Më pas, para gazetarëve, pastori shprehu mirënjohjen e komunitetit protestant të Kosovës ndaj konsideratës së të gjitha bashkësive fetare të Kosovës ndaj kërkesës sonë të kamotshme për lokacion për varreza. "Drejtuesit e bashkësive fetare kanë firmosur apelin drejtuar autoriteteve lokale në Kosovë për ndarjen e lokacionit për varreza protestante", thekoi ai me këtë rast. Më tutje në fjalën e tij, Kryetari shtoi: "Ky takim mbahet në vazhdën e takimeve tjera të kësaj natyre. Këto takime kanë për qëllim të përçojnë mesazhe të paqes e harmonisë, jo vetëm për popullatën e gjerë, por edhe për të gjitha strukturat në vend", potencoi ai. Ipekshvi Dodë Gjergji, Myftiu Naim Tërrnava dhe Kryetari Driton Krasniqi para gazetarëve u dakorduan që takimi i radhës do të organizohet nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

VEGZA TË NGJASHME:

http://klankosova.tv/lideret-fetar-politikanet-te-dialogojne-per-ta-gjetur-zgjidhjen-video/

http://zeri.info/aktuale/76825/bashkesite-fetare-ne-vend-apel-spektrit-politik-ndalni-kercenimet-filloni-dialogun-video/