Shteti juridik dhe demokratik i Kosovës mund ta mbrojë më së miri Krishterimin e vendit tonë!

There are no translations available.

11 tetor 2006

Dr. Pastor Femi Cakolli

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës reagon ndaj gjithë atyre mediave të shtypura dhe e sqaron publikun e gjerë lidhur me shkrimet e këtyre të përditshmeve, më datat 5 dhe 6 tetor 2006, me lajmin se “evangjelistët” amerikanë janë kundër pavarësisë së Kosovës, përkatësisht se ata do të punojnë kundër pavarësisë së vendit tonë si thirrje e lobit serb, konkretisht si kërkesë e peshkopit serb Artemije. Shumica e gazetave në të vërtetë  janë ndalur tek dy emra të “evangjelistëve” amerikanë, Pat Robertson dhe Xheri Folvel, e që fillimisht si lajm ishte publikuar në gazetën britanike “Financial Times” dhe pastaj edhe në ueb faqet serbe.

Sipas zyreve të Pat Robertson dhe Xheri Folvel, dhe burimeve tona, ata as nuk e kanë konfirmuar e as nuk e kanë mohuar deklaratën e shpërndarë nga z. Artemije se gjoja të krishterët amerikanë nën frymëzimin e këtyre dy emrave do të nisin fushatën kundër pavarësisë së Kosovës. Pat Robertson dhe Xheri Folvel janë dy emra në Amerikë me famë për shumë deklarime skandaloze dhe kontraverze, por ata nuk përfaqësojnë asnjë kishë protestante (“evangjeliste”) në SHBA, dhe se ata janë vetëm dy tele-evangjelistë të njohur për qëndrimet e tyre shpeshherë pseodokrishtere, raciste dhe politike. Ata janë të njohur për fjalimet e tyre që nga religjioni, parapsikologjia, sociologjia, mistika e deri te politika. Dy persona nuk mund të përfaqësojnë tërë një bashkësi fetare në Amerikë, protestantizmi, e që është atje mbi 150 milionë njerëz.

Deklaratat e tyre më të njohura janë lidhur me kërkesën e tyre për vrasjen e kryetarit të Venezuelës, ose edhe bombardimin e Mekës nga ushtria amerikane. Prandaj ne mund të besojmë se këta dy “evangjelistë” t’i kenë deklaruar z. Artemije “se do të jenë kundër pavarësisë së Kosovës pasi më nuk përfaqëson ajo krishterimin, sepse nuk është më aty shteti serb, por një vend mysliman ku me pavarësinë e saj fundamentalistët dhe xhihadistët islamikë do të krijonin bazën e tyre për Ballkanin dhe Europën”. Peshkopi Artemije duket që të jetë njeriu i cili më së shumti deponon në Amerikë mashtrime, urrejtje dhe gënjeshtra ndaj Kosovës, popullit shqiptar dhe ndaj myslimanëve në Ballkan. Peshkopi Artemije krijon një problem të madh politik në Kosovë lidhur me  fatin e serbëve këtu, pasi të drejtat e tyre politike në vend se të udhëhiqen nga politikanët këtë gjë e bëjnë priftërinjtë dhe Kisha Ortodokse e Serbisë, dhe kjo për çudi nuk paraqet fare ndonjë skandal për bashkësinë ndërkombëtare, por çfarë do të thuhej nëse një imam i Kosovës do t’i prezantonte kërkesat politike të shqiptarëve diku në botë?! Zotëria e tij, Artemije, ka bërë edhe shkeljen e Deklaratës së Konferencës Ndërfetare të Kosovës e cila është mbajtur prej 2-3 maj 2006 në Patrikanën e Pejës, dhe e cila është nënshkruar nga pesë bashkësitë fetare zyrtare të Kosovës, pra edhe nga Kisha Ortodokse.

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës tani si njëra nga bashkësitë fetare zyrtare  që veprojnë në Kosovë sipas ligjit në fuqi mbi fetë, aktivitetin e saj si komunitet protestant e ka filluar prej vitit 1967,  dhe ne jemi të habitur me joprofesionalizmin e gazetarëve kosovarë që vetëm të huazojnë lajme të tilla kaq të ndjeshme për popullin e Kosovës, dhe në anën tjetër asnjë shërbestar protestant në Kosovë, ose ndonjë misionar amerikan që vepron këtu, paraprakisht të mos merren mendimet e tyre lidhur me çështjen.

Sa për skandal të gjithë kësaj dukurie, na duhet të përmendim se po ashtu duke u anashkaluar totalisht Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, si bashkësi fetare që vepron në këtë vend gati qe 40 vjet, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), kësaj vere, disa herë, ka bërë emetimin e predikimeve (“Klubi 700”) të Pat Robertson, gjatë pushimeve të seancave të Kuvendit të Kosovës. Nga kjo mund të përfundojmë se edhe RTK pra i ka bërë një shërbim të mirë sa peshkopit Artemije aq edhe z. Pat Robertsonit, kuptohet pa e ditur, si shfajësim, por pa u konsultuar fare me Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës, si dështim profesional, dhe si prezantim më i keq që mund t’i bëhet sot ungjillit, krishterimit dhe kishës protestante në përgjithësi.

Jo vetëm dy tele-evangjelistët amerikanë por çdonjëra shoqëri që pretendon të jetë e krishterë në Europë ose në Amerikë duhet ta dijë se protestantët në Europë përndiqen pikërisht më së shumti në Serbi, ku gjoja është një shtet i krishterë, dhe ky trend ishte edhe në Kosovë sidomos prej vitit 1985 e deri në vitin 1999. I gjithë kleri protestant shqiptar ose i huaj që ka shërbyer këtu gjatë këtyre viteve ka qenë çdoherë nën përcjellje të vazhdueshme të sigurimit shtetëror, në biseda informative dhe përfundimisht në dëbimin e tyre të plotë nga Kosova në vitin 1991. Në vitin 1997 nën inspirimin e Kishës Ortodokse dhe të shtetit të Serbisë është botuar një libër në dy vëllime të mëdha me titullin “Vraje të afërmin tënd” (“Ubij bližneg svog”), si antitezë e Krishtit  “Duaje të afërmin tënd”, i autorit Marko Lopushina, kryekëput kundër krishterimit protestant në Kosovë, kundër të gjithë besimtarëve dhe misionarëve të huaj se kinse gjithë ky religjion dhe këta njerëz janë spiunë të CIA. Madje ka dëshmi të të krishterëve shqiptarë protestant kur eprorët e sigurimit serbë kërkonin me çdo kusht nga ta që të ktheheshin sërish në besimin e tyre islam ose edhe ateist.

Sot ligji më i mirë fetar që mund të jetë në Europë, e mos të flasim për Serbi, është pikërisht në Kosovë. Serbia edhe sot ka një ligj diskriminues ndaj komunitetit protestant atje. Liri fetare sot në Kosovë ka për secilin grup të krishterë që janë pakica në krahasim me shumicën myslimane, dhe tani zyrtarisht në Kosovë përveç komunitetit islam janë të pranuara edhe tri bashkësi fetare krishtere: katolike, ortodokse dhe protestante, si dhe judaizmi. Prandaj nëse dikush synon ta mbrojë dhe ta zgjerojë krishterimin në Kosovë ai s’duhet të shikohet vetëm përmes konvertimit, që garantohet me ligj, e aq ma pak përmes  politizimit a kulturalizimit, por veçanërisht tradita dhe besimi i krishterë, ashtu si gjithë fetë tjera duhet të mbrohen me anë të funksionimit të shtetit juridik të Kosovës së pavarur, me anë të funksionimit të demokracisë, dhe këto do të ishin garantimet e lirisë fetare dhe e trashëgimisë kulturore si dhe atë se kush çka dëshiron të besojë në Kosovën moderne do të jetë çështje personale dhe kurrë politike, dhe kurrë raciste, dhe kurrë sipërfaqshëm.

Se pas luftës që e ka shkaktuar Serbia në Kosovë, në krahasim me kohën prej vitit 1990-1999 mund të flasin faktet dhe shifrat se çfarë lirie dhe zhvillimi sot kanë bashkësitë fetare krishtere, përjashto ortodoksët që ishin politizuar, edhe pse veprojnë në shumicën e myslimanëve. Prej vitit 1967 e deri në vitin 1999 në gjithë Kosovën ka pasur vetëm 7 kisha protestante, kurse ato sot janë me dhjetëra. Nga disa qindra ithtarë protestantë kosovarë gjatë kësaj periudhe, prej vitit 1999 e deri sot numri i ithtarëve tani është me mijëra. Gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë ka qenë e pamundshme të jetë qoftë edhe një misionar amerikan në Kosovë, kurse prej mbarimit të luftës e deri sot sigurisht se me mijëra misionarë dhe qytetarë amerikanë e kanë vizituar dhe e kanë ndihmuar Kosovën, dhe shumë prej tyre jetojnë me gjithë familjet e tyre nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës.

Duam që t’u dëshmojmë edhe njëherë gjithë kosovarëve dhe popullit shqiptar se populli amerikan, i përbërë me shumicë nga krishterimi i reformuar protestant, dhe shteti i Amerikës, janë treguar çdoherë aleati dhe miku më i mirë i shqiptarëve dhe i Kosovës, pavarësisht prej besimeve tona si popull, dhe po ashtu t’iu vërtetojmë se kishat protestante-ungjillore të Amerikës nuk sjellin kurrë vendime e as nuk bëjnë fushata politike ndaj askujt, kurse në të vërtetë aq sa edhe ne kemi qenë dëshmitarë në këto kisha si kudo tjetër bëhen lutje për shqiptarët, për Kosovën, për myslimanët dhe kudo ku ka nevojë ose ku mungon liria, progresi, demokracia, drita dhe paqja.

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë me kishat simotra në Amerikë dhe kudo tjetër për të mirën e vendit dhe të popullit të Kosovës! Dhe krejt në fund ne si komunitet protestant jemi plotësisht të bindur se vetëm shteti i ardhshëm i Kosovës, pra një shtet juridik dhe demokratik mund t’i mbrojë të gjitha të drejtat e qytetarëve të saj, duke e përfshirë këtu edhe krishterimin dhe gjithë kulturën dhe traditën e tij, qoftë katolike, ortodokse apo protestante.

Zoti qoftë me ju dhe paçi bekimet e Tij!

(Autori është Pastor dhe ka mbaruar studimet e doktoratës në Letërsi Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës. Ky artikull ishte shkruar enkas për shtypin ditor të Kosovës si reagim drejtuar mediave të shtypura në Kosovë lidhur me shkrimet me titullin përgjithësues “Evangjelistët amerikanë kundër pavarësisë së Kosovës”).