Ferizaj 2

Sot, në lokalet e Bashkësisë Alfa Omega në Ferizaj, u mbajt një solemnitet për nder të 7 marsit – Ditës së Mësuesit.

Pastor Dr Femi Cakolli mbajti ligjëratë për rolin e kishës protestante në themelimin, rritjen dhe përparimin e shkollës shqipe në mesin e popullit shqiptar. Në fund Pastor Cakolli bëri thirrje që këto fakte të mos anashkalohen nga institucionet tona.

Të pranishëm në këtë ngjarje kulturore ishin dhjetëra mësues e veteranë të arsimit, besimtarë e gazetarë. Nazmi Berisha, drejtues në kishën “Alfa Omega” në Ferizaj, theksoi se kjo ngjarje po shënohet për të nderuar mësuesit dhe veprën e tyre, duke e veçuar rolin e Familjes Qiriazi.

7 marsi është dita që i kushtohet mësuesit të gjuhës shqipe dhe është ndër festat më të rëndësishme të kombit shqiptar. Më 7 mars 1887 në Korçë u hap shkolla e parë shqipe me drejtor Pandeli Sotiri. Kjo ishte shkolla e parë shqipe dhe punën e zhvillonte në kushte të rënda për shkak të shtrëngimit që i bëhej nga pushtuesi osman në bashkërendim me kishën ortodokse greke. Por, përkundër vështirësive, shkolla vazhdoi punën duke edukuar brezin e së ardhmes.

Ferizaj 3

Në vitin 1887 në Shqipëri kishte gati tre mijë shkolla: 1000 shkolla publike turke; 1000 shkolla private greke; 300 shkolla bullgare, 300 serbe dhe 300 vllahe, por, kishte vetëm një shkollë shqipe – Mësonjëtorja e Korçës, ka saktësuar shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadale në profilin e tij në facebook.

“Mësonjëtorja” ishte një projekt bashkëpunimi ndërmjet kishës protestante dhe atdhetarëve të Rilindjes Kombëtare. Në vitin e parë kjo shkollë u drejtua nga Pandeli Sotiri për t’u pasuar nga Pastor Petro Nini Luarasi etj.

Përkthimi dhe botimi i Biblës në shqip; hapja e Shkollës Shqipe dhe themelimi i Alfabetit Shqip, janë tri arritjet më të mëdha kombëtare të periudhës së Rilindjes Kombëtare në të cilat paria e lëvizjes protestante kanë luajtur rol udhëheqës. Në që të tri rastet, pastorët protestant kishin arritur të mbledhin rreth vetës atdhedashës të mëdhenj për synimin e përbashkët. Me këtë rast vlen të përmenden Konstandin Kristoforidhi për përkthimin e Biblës në shqip; Pandeli Sotiri me rastin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë; Gjergj Fishta tek punimet e Kongresit të Alfabetit të Shqipes në Manastir.

Ferizaj 4

Kjo ditë shënohet me aktivitete të shumta kulturore gjithandej në Kosovë. Shumë shkolla të Kosovës mbajnë emrat e këtyre rilindësve të shquar.