RTK-ja shpeshhere bastion islamizmi

There are no translations available.

Shkelja e Ligjit mbi Liritë Fetare nga televizioni publik i Kosovës

Shkruan: Dr. Femi Cakolli, pastor

RTK-ja është i vetmi televizion publik i themeluar sipas ligjit nga Kuvendi i Kosovës. Gjatë një kohe të shkurtër ky televizion është rritur dhe zgjeruar pasi donacionet e tij kanë qenë nga katër anët, duke e përfshirë edhe taksën e detyrueshme të qytetarëve të Kosovës. Kjo ndihmë i ka ardhur RTK për shkak të filozofisë politike të UNMIK-ut dhe të OSBE-së. E kjo politikë thotë që RTK të jetë jo një medium shtetëror, por në shërbim të lirë dhe dinjitoz të të gjitha grupeve etnike, politike, fetare dhe të shoqërisë civile në vendin tonë. Unë nuk do të merrem këtu me të gjitha shërbimet dhe joshërbimet që i bën ky televizion, por do të ndalem më shumë lidhur me prezantimet e bashkësive fetare. Përgjithësisht mund të them se RTK-në e karakterizojnë tri nyje programore: sporti, argëtimi dhe serialet, ndërsa vetë qytetarët e dinë se sa herë ka dështuar RTK për disa ngjarje me interes të madh politik, kulturor dhe kombëtar. Për jo më shumë RTK-ja bile ishte dashur që të mësonte nga televizioni privat TOP-Channel.

E kam vërejtur se qyshkur është ndërruar Bordi dhe stafi menaxherial i RTK para dy-tri vitesh, konkretisht me ikjen e z. Adem Demaçit, me largimin e Linda Shalës, të Avni Spahiut, të Astrit Salihut, dhe me ardhjen në Bord të Milazim Krasniqit, të Nuhi Rexhepit, dhe të drejtorit Liridon Canhasit, të kryeredaktorit Nebi Qenës, të redaktorit për kulturë Skënder Gërguri e edhe të ndonjë personi tjetër RTK në disa raste është shndërruar vërtet në bastion islamizmi.

RTK është duke e shkelë në shumë pika ligjin për transmetim dhe për qasje të duhur redaktoriale. Se ku është RTK mjafton e dhëna se nuk dëshiron të dëgjojë madje as për themeluesin ndërsa ai e thirr në seanca dëgjimore dy herë radhazi.

Ligji për fetë i miratuar në korrikun e vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës i garanton bashkësitë fetare të Kosovës për qasje të barabartë në mediumet publike, ndërsa z. Nebi Qena në bisedë zyrtare me ne e ka mohuar hapur këtë obligim ligjor, duke thënë se RTK-në ky Ligj nuk e obligon që bashkësitë fetare të kenë qasje të barabartë në këtë medium.

Këto janë ligjet që i shkel RTK nga sfera e religjionit:

  1. Parimin e paanshmërisë (Ligji mbi RTK Neni 6:1). P.sh. më datën 12 tetor, dita e Bajramit të Madh, prej orës 6:30 e deri të nesërmen në ora 6:40, pra për 24 orë program gjithsej kanë qenë 9 orë e 8 min. program për këtë festë islame. Shkelja është se po kaq kohë kurrën e kurrës s’ka qenë ndonjëherë për ndonjë festë krishtere. RTK kurrë nuk transmeton liturgjinë e Kishës Ortodokse gjatë festave. Edhe raporti i fundit i Departamentit të Shtetit SHBA ka kritikuar RTK për anshmëri ndaj religjioneve në Kosovë.
  2. Parimin për diskutimin e hapur dhe të lirë për interes të qytetarit (6:2). Kur të bisedohet në studio për një çështje fetare të një religjioni të caktuar s’do të thotë që ata të jenë 7 veta prej të njëjtës zyrë, por mund të jenë nga bashkësitë e ndryshme, pastaj sociologu, psikologu, ateisti, filozofi etj, sepse kështu krijohet diskutimi i hapur dhe i lirë që do t’i shërbente qytetarit për informimin dhe formimin e tij. Ndodh nganjëherë që ndonjë pjesëtar mysliman hapur thotë në programin e RTK se Bibla nuk është fjalë e Zotit, se është ndryshuar etj. dhe RTK kurrë nuk e fton një përfaqësues të besimit të krishterë për ta diskutuar këtë, ose që të jetë i ftuar në atë emision drejtpërdrejt.
  3. Parimin për promovimin e dialogut konstruktiv në mes komuniteteve (6:5). Kurrë deri tani RTK nuk ka bërë ndonjë emision ky do t’i ftonte të gjithë përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë, e të cilat sipas Ligjit mbi Fetë janë pesë (Kisha Katolike, Bashkësia Islame, Kisha Protestante, Kisha Ortodokse dhe Bashkësia Judaike) për të promovuar dialog mes tyre për gjërat e hapura që ndodhin në Kosovë ose jashtë, p.sh. rasti ka qenë lidhur me ngjarjet e marsit 2004, ose të merret tema e fundamentalizmit në cilindo religjion; apo e drejta kushtetuese se cilido qytetar i Kosovës është i lirë të besojë çka të dojë, dhe ta ndërrojë bindjen e tij fetare me një tjetër ose fare.
  4. Redaktorët duhet të prezantojnë baraspeshueshëm të gjitha komunitetet fetare, pa diskriminim (11:3). Ndodh që dikush flet jo balancueshëm ta zëmë për komunitetin protestant, dhe përfaqësuesi protestant jo që nuk thirret, por madje i mohohet e drejta për t’i mbrojtur vlerat e tij themelore të besimit. Në ueb faqen e RTK gjatë 24 orëve, më 12 tetor 2007, krahas logos së RTK ka qenë edhe fotoja e Xhamisë së Kaltër në Stamboll, por kjo nuk kishte me ndodh me hedh aty edhe foton e Manastirit të Deçanit gjatë festës së Pashkës, ose ndonjë kryq për Krishtlindje. Për ta kryer ndonjë punë në RTK duhesh vetëm me e gjet ndonjë redaktor “jaran”, dhe ky është ligji më i përsosur në këtë shtëpi.
  5. Mesazhet me përmbajtje strikte religjioze duhet të emitohen jashtë edicioneve të rregullta të lajmeve (11:3).  Jo një herë por ka ndodhur shumë herë kur përfaqësues të Bashkësisë Islame janë shfaqur në mes të edicionit të lajmeve të orës 19:30.
  6. Mosportretizimi i një religjioni superior dhe mos ta denigrojë tjetrin religjion (12:1). Gjatë emetimit të programit për Bajram të Madh është dëgjuar duke thënë drejtuesi Driton Sejdiu se ky është Bajrami më i Madh që po mbahet në mend, sepse aty po marrin pjesë disa figura politike (F. Lima, Behgjet Pacolli dhe z. Çerkezi) por ky koment kurrë nuk është dëgjuar në RTK kur ka pasur rast që edhe kryeministri i Kosovës të jetë në Krishtlindjen e Kishës Protestante.
  7. Ftuarja e liderëve të komuniteteve religjioze para festave të tyre në RTK (11:3). Kjo ndodh rregullisht me liderët e Bashkësisë Islame, por kurrë (Kisha Ortodokse) ose shumë rrallë me liderët e bashkësive tjera fetare.
  8. Mos të promovojë anëtarësim në një organizatë religjioze (12:2). Gjatë datës 12 tetor po ashtu drejtuesi i programit të drejtpërdrejtë u drejtohej disa të intervistuarve me këtë stil: Oh, edhe ti që ke qenë në UÇK tash të shohim në xhami; ose një tjetri – o ti që je një këngëtar i njohur edhe ti sot je këtu!
  9. Jo transmetimi i materialeve me përmbajtje të urrejtjes religjioze (15:1). RTK di shumë mirë p.sh. ekzistencën e komunitetit protestant në Kosovë, por ka vendosur që të merr hak kundër tyre atëherë kur ndodhë që ndonjë klerik protestant diku në ishujt e Oqeanit Indian se ka devijuar, atëherë e transmeton lajmin, pa marrë vlerësimin nga përfaqësuesit tanë zyrtarë.

RTK nuk dëgjon për themeluesin. RTK është jashtë interesit publik, sepse ashtu kështu televizionet tjera kombëtare në Kosovë janë më të shikuara. RTK është jashtë funksionit qytetar, kombëtar dhe politik.

 

                                                                                                                                                                                                                                                         (Autori është Pastor dhe ka mbaruar studimet e doktoratës 
                                                                                                                                                                                                                                                                           ne Letërsi Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës. 
                                                                                                                                                                                                                                                                           Ky artikull ishte shkruar enkas për shtypin ditor të Kosovës)