Pse u dogjën kishat serbe?

There are no translations available.

Një pikëshikim nga ngjarjet e javës së kaluar në Kosovë

03.04.2004

Shkruan: Pastor Femi Cakolli

Premisa të sajuara të një lufte ndërfetare

Sipas një raporti, që e publikoi ministri i kulturës së Qeverisës së Kosovës z. Bexhet Brajshori në fund të javës së kaluar, u konstatua se në Kosovë gjatë protestimeve të dhunshme janë djegur 16 kisha dhe manastire serbe. Në Serbi po ashtu u dëgjon disa xhami, sikurse ajo në Beograd dhe Nish që ishin të vetmet xhami madje të trashëguara prej shek. XVIII. Tempujt fetarë të besimit islam u dogjën si përgjigjie e djegieve të kishave serbe nga shqiptarët në Kosovë, kurse kush ishin këta shqiptarë, çfarë grupi përbëjnë ata njerëz, kujt i shërbejnë dhe pse vepruan kështu do të mbetet një çështje që do të ndriçohet më shumë në të ardhmen. Djegia e këtyre kishave nga ana shqiptare si një akt akultural organikisht iu bashkorkestrue edhe nga ana serbe duke djegur xhami, dhe themi se në arenën ndërkombëtare edhe shqiptarët edhe serbët po cilësohen njëjtë për mosdurimin e tyre etnik dhe fetar, pra që urrjejta ndërnacionale e këtyre kombeve është e bashkëfajshme. Nga cilido aspekt që të shikohet çështja e djegieve të tempujve fetarë faji kolektiv tani është i barabartë për te dy këto popuj. Mirëpo Serbia dhe politika e saj e jashtme këto veprime dëshiron që t’i plasojë në botë se sikur s’kishte ose s’ka luftë mes Kosovës dhe Serbisë, se s’kishte e as s’ka luftë mes serbëve dhe shqiptarëve si etnitete, por lufta në esencë – sipas tyre – është në mes krishterimit dhe islamit, me fokusin se shqiptarët myslimanë janë e keqja dhe rreziku jo vetëm i Serbisë por edhe i Evropës. Kjo tezë prapaganduese serbe nuk gjen fare mbështetje në Amerikë, kurse në Evropë situata qëndron pak më ndryshe, pasi shtetet me shumicë katolike shpeshherë sillen ndaj çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve sikur e besojnë këtë tezë, përderisa shtetet me shumicë protestante në Evropë jo që s’e besojnë tezën serbe, por këto shtete kurrë nuk e kanë parë islamizmin si një religjion që rrezikon kontinentin tonë, e aq më pak shqiptarët që tradicionalisht gjithmonë i kanë takuar Evropës. Kur jemi këtu mjafton për të parë se çfarë pikëpamje ka Franca dhe Italia ndaj islamit dhe çfarë ka Britania e Madhe dhe Gjermania.

Kishat ortodokse shqiptare të Kosovës dhe serbizimi i tyre

Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë disa prej tyre në të vërtetë nuk kanë qenë kurrë serbe, por shqiptare (p.sh. Kisha e Shën Premtes në Prizren – e cila u dogj këto ditë duke mos ditur se është e vetmja kishë e kohës ilire, Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Patrikana e Graçanicës etj.), pasi pothuajse shumica e shqiptarëve të Kosovës historikisht kanë qenë ortodoksë, dhe se sllavët kur erdhën fillimisht në fund të shek. VII dhe deri në shek. IX ishin paganë, dhe se ata u bën të krishterë ortodoksë nga ilirët, përkatësisht nga shqiptarët që ishin popullatë autoktone. Rusia filloi që të kristianizohet nga paganizmi vetëm në fund të shekullit të X-të. Deri me myslimanizimin e shqiptarëve kisha ortodokse e trojeve tona ishte e hapur për të gjithë popujt, por kur shqiptarët nën imponimin dhe dhunën turke dhe serbe konvertohen në myslimanë, atëherë kishat ortodokse shqiptare të Kosovës, përkatësisht të Dardanisë, praktikisht iu mbetën serbëve, përkatësisht sllavëve. Gjatë kohës së Perandorisë Osmane serbët prej shek. XV-XVIII ishin lojalë të devotshëm të perandorisë. Të gjithë ortodoksët e Ballkanit kishin kërkuar nga otomanët që vetëm kishat dhe manastiret e tyre mos t’i preknin kurse gjithë çështjet tjera dhe pronat e tyre  bëheshin posedime vasale të sulltanit, por në anën tjetër popujt ortodoks në kisha dhe manastire zhvillonin jo vetëm jetën fetare, por edhe atë politike dhe ushtarake, kulturore dhe sociale, dhe pavarësisht se të gjitha kombet ortodokse apo pravosllave kanë tani shtetet e tyre ende kisha e luan rolin e saj historik. Serbët kishin strategji kombëtare që tërë historinë tonë krishtere ortodokse të Kosovës dhe Ballkanit (tempujt, të mirat materiale dhe kulturore, figurat, ikonat, pronat etj.) ta trashëgonin për të konfirmuar tezën se ata janë popull autokton të Ballkanit, e jo ardhacak, dhe e cila ideologji u ngrit mbi vrerin nacioanalisto-religjioz sa që ata një figurë me prejardhje shqiptare siç ishte Shën Sava e shpallin për profet të popullit serb dhe të ortodoksve në botë, dhe pastaj gjatë kohës së re të formimit të shtetit serb kah fundi i shek. XIX ngritet edhe teza se populli serb është hyjnor, dhe pastaj emrin e Kosovës e zëvendësojnë me emrin Stara Serbia, dhe e shpallin si djepin e serbizmit dhe si Jerusalemin serb. Vëreni se kush e ka pjellë nacionalizmin dhe shovenizmin serb, e ajo është kisha, prandaj ka shumë baza historike pse kisha serbe në Kosovë për shqiptarët nënkuptohet si pushteti i zgjatur i Serbisë, sidomos kjo ka ardhë në shprehje pas luftës së Kosovës.

A është shlyer kujtesa aktive e identitetit historik të shqiptarëve?

Pse të digjen kishat dhe manastiret aktuale serbe kur dihet shumë mirë se kurrë në mentalitetin e shqiptarëve nuk ka ndodhur kjo dukuri, përkundrazi ka shumë evidenca historike madje edhe serbe se shqiptarët ishin pikërisht ata që i kishin mbrojtur kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë. Pse ka ndodhur kjo? S’ka asnjë tjetër shpjegim veç atij se ende në vetëdijën dhe kulturën e shqiptarëve të Kosovës ishte gjallë kujtesa dhe identiteti i krishterë, qoftë ai katolik apo ortodoks. Megjithëse ndodhi djegia e disa kishave dhe manastireve ortodokse (pravosllave) në Kosovë – a thua se është shlyer kujtesa aktive e shqiptarëve të Kosovës për historinë e tyre 2000 vjeçare për 5 vjetët e fundit, apo për 60 vjetët e fundit, ndënëse ata kanë pasur mundësi shumë më të favorshme sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore që jo vetëm se t’i djegin kishat por edhe t’i asgjësojnë ato plotësisht? Unë them jo, por cilat janë disa nga treguesit tjerë që kanë mundësuar djegien e këtyre tempujve fetarë edhe me destinime politike?

Kishat serbe në Kosovë si filiala të pushtetit të Serbisë

Kishat ortodokse serbe në Kosovë si kurrë më parë prej vitit 1999 janë shndërruar në filiala të shtetit të Serbisë dhe të çdo segmenti të tij, duke filluar prej atij të sigurimit shtetëror, të edukimit e deri te ai i mjekësisë për të krijuar ajo që po quhet pushteti parallel. Edhe më herët kemi alarmuar se Kisha Ortodokse e Serbisë në parim duhet që të deshtetërorizohet, të depolitizohet dhe të denacionalizohet, ashtu siç është Kisha Katolike dhe Bashkësia Islame në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë, në Shqipëri, Turqi, Egjipt, në vendet tjera të Evropës etj. Paramendoni se edhe pas pesë vjetëve në Kosovë për bashkësinë etnike serbe ende autoriteti më besnik është peshkopi Artemije, dhe jo një lider tjetër sekular. Skema e tillë është marrë si model nga Serbia, dhe se pavarësisht se Serbinë e përfaqëson një lider i zgjedhur politik, për themelet e këtij shteti dhe për të menduarit e këtij populli kryepeshkopi Pavle është personi më besnik dhe më autoritativ në jetën publike të asaj shoqërie dhe shteti. Dhe situata është e ngjashme kudo ku ortodoksët përbëjnë shumicën e tyre. P.sh. Greqia është i vetmi shtet, madje edhe si anëtar i Bashkimit Evropian që kisha ortodokse nuk është ndarë nga shteti së paku as formalisht, dhe se kompetenca të larta kushtetuese i mban jo kryetari i shteti sa i ka kryepeshkopi. Ai ka aq kompetenca kushtetuese sa mund ta refuzojë një kryeministër apo një kryetar të zgjedhur, ai mund të thirrë shtetin për luftë etj. A keni menduar ndonjëherë pse në Shqipëri edhe pas 14 vjetëve të pluralizmit politik dhe të lirisë së besimit ende në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë qëndron një grek dhe jo një shqiptar. Përmes kishës ortodokse greke Greqia edhe sot ushtron hapur veprimtarinë e saj të sigurimit shtetëror dhe ushtarak në Shqipëri, madje për të shkuar edhe më larg se edhe me pasë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, dhe duke i shpallur shqiptarët ortodoksë si grekë, pasi sipas kësaj doktrine fetare vështirë dallohet në parim nacioni prej religjioni. Prandaj nëse kjo praktikë vazhdon edhe më tej në Shqipëri, një ditë nuk është çudi që sindromi kosovar i djegies së kishave ortodokse të shfaqet edhe në Shqipërinë e Jugut. Edhe në të kaluarën edhe tani ka disa raste që kisha ortodokse greko-sllave ka pasur veprime si një mafi. Vëreni sa probleme është duke krijuar kisha ortodokse në jetën politike në Serbi dhe Kosovë. Sigurisht këtu nuk duhet harruar faktin se edhe pas 13 vjetëve të pavarësimit të Maqedonisë si shtet, ende Kisha Ortodokse e Serbisë nuk lejon që të njihet Kisha Ortodokse Autoqefale e Maqedonisë, dhe po kështu njëjtë sillet edhe ndaj Kishës Ortodokse të Malit të Zi. Këto fenomene ndodhin tek ortodoksët për shkak të hiriarkisë kishtare, përderisa tek protestantët, tek katolikët dhe myslimanët gjendja është ndryshe: me rastin e pavarësimit të një vendi apriori njihet edhe bashkësia e caktuar fetare e atij vendi si e pavarur. Kështu konstatoj se shoqëria serbe qoftë në Serbi apo Kosovë është larg demokratizimit si dhe larg parimeve laike, megjithëse laicizmi në këtë shoqëri ka qenë më i zhvilluar gjatë kohës së komunizmit, kurse kthim ka bërë në fillim të vitete të 90-ta të shekullit të kaluar. Peshkopi Artemije është një prift dhe ai s’duhet të ketë rolin e politikanit dhe të përfaqësuesit të serbëve të Kosovës në Serbi dhe në botë. Paramendoni sikur shqiptarët e Kosovës t’i përfaqësojë për shembull myftiu i Kosovës Naim Tërnava – e si do të reagonte së pari populli ynë, dhe pastaj si do të reagonte bashkësia ndërkombëtare?! Pse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon njëjtë edhe për rastin e mësipërm.

Problemi i mosdemokratizimit të minoriteteve të Kosovës?

Pse është lënë prej bashkësisë ndërkombëtare kaq anash demokratizimi i shoqërisë serbe, sidomos në Kosovë? Demokratizimi partiak i minoriteteve në Kosovë fare nuk është bërë. Të gjitha minoritet në Kuvendin e Kosovës janë të përfaqësuara dhe të organizuara jo si parti politike, por si bashkësi nacionale, dhe këto bashkësi të gjitha së bashku nuk e përbëjnë as 10% e popullatës së pëgjithshme të Kosovës, kurse në anën tjetër ata paraqesin probleme serioze në pengimin dhe ngecjen e demokratizimit kontinuel të bashkësisë shqiptare dhe të Kosovës. Ky fakt tregon se nëse NATO dhe bashkësia ndërkombëtare ka qenë në gjendje që të luftojë për popullin shqiptar dhe për Kosovën para 5 vjetëve, tash pas pesë vjetëve ata nuk janë më në gjendje që ta vazhdojnë këtë luftë as për shqiptarët, e as për Kosovën.

A mund të digjen sërish kishat serbe në Kosovë?

Derisa mos të heqin dorë priftërinjtë dhe kleri ortodoks serb i Kosovës nga veprimtaria politike serbe, nga përfaqësimi i popullatës serbe në Serbi dhe në botë, dhe përderisa nuk deshtetërorizohet jo vetëm formalisht por praktikisht Kisha Ortodokse Serbe, përderisa po kjo kishë nuk denacionalizohet totalisht, përderisa kjo kishë nuk depolitizohet plotësisht, dhe derisa kjo kishë nuk do të vendosë që të krijohet Kisha Ortodokse e Kosovës, e cila do të funksionojë në mënyrë autoqefale atëherë nuk ka asnjëlloj garance se nuk do të djegën sërish kishat serbe në Kosovë, sidomos deri atëherë sa nuk njihet statusi i pavarësisë së Kosovës. Edhe pse Qeveria e Kosovës po krijon një fond për riparimin e atyre kishave që pësuan gjatë javës së fundit, dhe nëse Kisha Ortodokse serbe e Kosovës sërish pra nuk depolitizohet atëherë rrezikohet themelisht ekzistenca e kishës ortodokse në Kosovë. Jo vetëm kisha ortodokse serbe në Kosovë apo në Serbi po kudo tjetër në botë, me përjashtim të asaj çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri, paraqet çdoherë ekstremin e nacionalitetit dhe mungesën e universalitetit, ashtu siç është Kisha Protestante, Kisha Katolike dhe Bashkësia Islame kudo në botë.

Çka i porositi Noli shqiptarët

Po e përfundojë këtë shkrim me vizionin e Fan Nolit, edhe pse ai ishte arqipeshkvi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke parë se ortodoksizmit i mungon vlera dhe kategoria e universalitetit si religjion, prandaj ai i porosit shqiptarët që të kenë një besim të vetëm, dhe propozoi që të zgjidhnin ose protestantizmin ose bektashizmin.

(Autori është Pastor dhe ka mbaruar studimet e doktoratës në Letërsi Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës. Ky artikull ishte shkruar enkas për shtypin ditor të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura janë personale)