Mos Ik 2 (2)Grupi studentor protestant ungjillor që vepron në kuadër të Bashkësisë së Popullit të Zotit në Prishtinë mbrëmë ka organizuar iniciativë për lutje me pankarta kundër emigrimit masiv të popullatës kosovare për në vendet e Bashkimit Evropian (BE). Ata kanë krijuar një thurje në internet “Mos ik se Kosova ka shpresë” përmes së cilit po përçojnë mesazh shprese për të gjithë ata që po mendojnë ta marrin rrugën e emigrimit në kërkim të shpresës së humbur.

Çdo mbrëmje nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë nisen rreth dhjetë autobusë me kosovarë që marrin rrugën për në vendet e Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë. Burra, gra e fëmijë mbushin autobusët që t’i shpjejnë në Beograd me destinacion kufirin Serbi-Hungari në Vojvodinë. Në mungesë dokumentacioni, kufiri duhet të kalohet ilegalisht me ndihmën e njerëzve që i presin të cilët u marrin shuma të konsiderueshme parash në këmbim të kalimit ilegal të kufirit.

Ky fenomen ka marrur përmasa shqetësuese. Raportet e ditëve të fundit flasin për fshatra të boshatisura e për banorë që shesin pronat e tyre për të siguruar para të mjaftueshme për t’i paguar trafikantët që ua lehtësojnë kalimin e kufirit.

mos ik 3 (2)Sipas statistikave të Eurostatit, nga viti 2013 rreth 200.000 kosovarë kanë kërkuar azil në vende të BE-së. Vetëm gjatë muajit janar të vitit 2015, 20.000 shqiptarë nga Kosova kanë emigruar.

Arsyeje kryesore për ndërmarrjen e këtij veprimi ekstrem është gjendja e rënduar ekonomike dhe mos perspektiva për rininë kosovare. Shifrat zyrtare të papunësisë së përgjithshme kapin shifrën mbi 40% ndërsa kjo shifër arrin 70% për rininë. Rreth 12% e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 1 (një) euro në ditë.

Ilmiu, një banor i Prishtinës i cili bashkë me 3 anëtarë të tjerë të familjes nuk kishte arritur të depërtojë në Hungari për shkak të shtimit të masave të kontrollit kufitar, duke shpjeguar motivin për zgjedhjen e kësaj rruge shprehet: “Në vendet e BE-së të paktën do të kemi mjaft ushqim për të ngrënë. Këtu, po vuajmë për bukë. Jeta është bërë e shtrenjtë ndërsa nga të ardhurat nuk po arrijmë ta kalojmë muajin”.

Mos Ik 1Kishat Protestante gjithandej në Kosovë i kanë dalur krah popullatës me të gjitha mjetet në dispozicion duke përfshirë sigurimin e ushqimit të përditshëm për familje nevojtare. Këtë muaj, KPUK-u ndërmori iniciativë për të mobilizuar sa më tepër kisha dhe njerëz në Kosovë dhe në botë që t’i luten Zotit për Kosovën dhe popullin e Kosovës. Njëra ndër kërkesat tona të lutjes ishte që Zoti ta kthejë shpresën e humbur në mesin e popullit të Kosovës.

Tutje, të rinjtë studentor protestant ungjillorë që veprojnë në kuadër të Bashkësisë së Popullit të Zotit në Prishtinë, mbrëmë ndërmorën një hap konkret origjinal. Ata, me pankarta në duar, qëndruan tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë duke e ngritur zërin e tyre kundër këtij fenomeni të emigrimit. Pankartat mbanin mbishkrime: “Mos Ik – edhe këtu ka shpresë”, “Ky vend ka nevojë për ty”, “Kosova ka shpresë”, etj. Ata kanë krijuar një thurje në internet me këtë tematikë dhe po përpiqen t’i inkurajojnë bashkë moshatarët e tyre se në Zotin ka shpresë për ty, për popullin tonë dhe për Kosovën.