Fotoja e ArtikullitSiç është theksuar edhe më parë në medie, me ftesë të Zyrës së BE-së, në Kosovë po qëndron një delegacion i Komisionit të Venedikut. Misioni i vizitës së tyre është që të japë një opinion rreth draft ligjit për pozitën juridike të bashkësive fetare në vend.

Ka më tepër se një vit që është punuar në draftin për plotësimit e Ligjit aktual për Lirinë e Besimit. Përfaqësues të Komunitetit Protestant kanë qenë pjesë aktive në punët e komisionit për draftimin e Ligjit të inicuar nga Qeveria e Kosovës. Ligji për Lirinë e Besimit pranon pesë bashkësi fetare tradicionale në Kosovë: Bashkësinë Islame Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Kishën Protestante dhe Bashkësive Hebreje.

Në takimin e mbajtur në ambientet e Zyrës së Komisionit Europian në Kosovë delegacioni protestant prezantoi të arriturat si dhe vërejtjet e tyre rreth këtij draft ligji. Fillimisht Kryetari Krasniqi bëri një prezantim të punës qindra vjeçare të komunitetit protestant në trojet shqiptare. Gjithashtu u bisedua rreth themeleve të besimit dhe strukturës organizative të KPUK-ut si përfaqësuese e komunitetit protestant ungjillor në Kosovë.

KPUK-u insiston në miratimin e ligjeve që ofrojnë trajtim të barabartë në Kosovë si një vlerë Evropiane.

Pala e KPUK-ut gjithashtu kërkoi që me këtë ligj të rregullohet çeshtja e pronës, leje të ndërtimit, varrezat, transparenca financiare e bashkësive fetare.

Kisha protestante vazhdon të jetë e diskriminuar sa i përket ndarjes së parcelës për varreza të komunitetit protestant. Ne gjithashtu nuk trajtohemi barabartë në relacion me lejet e ndërtimit.

Kryetari Krasniqi u shprehu falëndërime përfaqësuesve të Komisionit të Venedikut duke u kërkuar që të ofrojnë tërë ndihmën e tyre profesionale për realizimin e një ligji që mbron Kosovën dhe bashkësitë fetare njëkohësisht.

Komisioni i Venedikut është një trup këshilldhënës në kuadër të Këshillit të Evropës. Kjo është vizita e tyre e parë në Kosovë nga shpallja e pavarësisë së vendit.