Pastor MTh Driton Krasniqi është kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK).

Driton Krasniqi u lind në vitin 1975 në Pejë. Arsimin e tij fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, Kosovë. Në vitin 1997 u diplomua në studime biblike me Institutin Ndërkombëtar të Trajnimit Biblik në Britaninë e Madhe. Pas kthimit në Kosovë ka shërbyer si shërbestar në kishën "Bashkësia e Popullit të Zotit" në Prishtinë, ku ai shërbeu si pastor në mes viteve 1997 dhe 2007.

Në vitin 2004 Pastor Krasniqi ndjeku studimet në Teologji me Universitetin e Uellsit në Bangor të Britanisë së Madhe. Në vitin 2007 mbrojti me sukses disertacionin e tij mbi temën e Historisë së Protestantizmit në Kosovë që nga shekulli i 18-të për Magjistër të Teologjisë (MTh).

Midis 2007 dhe 2011 ka shërbyer në Këshillin e Shërbestarëve të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës. Në vitin 2011 u zgjodh Kryetar i KPUK-ut dhe në vitin 2014 u ri afirmua në të njëjtën pozitë për mandatin e dytë. Ai gjithashtu mban kredencialet e shërbestarit me Asamblenë e Perëndisë në Britaninë e Madhe.

Kontributi i Krasniqit për organizata të ndryshme bamirëse është veçanërisht i rëndësishëm. Në vitin 2000 ai u bë bashkë-themelues i Fondacionit "Shtëpia e Shpresës" – një partneritet kosovar-finlandez. Midis 2010 dhe 2014 ka udhëhequr OJQ-në ndërkombëtare "World Vision International" në Kosovë. Ai udhëhoqi procesin e zhvillimit të strategjisë afatgjatë të Organizatës në adresimin e nevojave dhe për të ndihmuar më të rrezikuarit. Gjatë të njëjtës periudhë, ai ndihmoi në procesin e themelimit dhe për dy vitet e ardhshme ka shërbyer në Bordin e Koalicionit OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Që nga viti 2000 pastor Krasniqi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për dialog ndërfetar duke e bërë komunitetin protestante të Kosovës pjesë të tryezës së rrumbullakët me të gjithë krerët e tjerë të komuniteteve fetare të Kosovës. Ai ka përfaqësuar Komunitetin Protestant të Kosovës në konferenca e forume të panumërta vendore dhe ndërkombëtare. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e ndërtimit të paqes në mes të komuniteteve në Kosovë.

Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm me shkrime në gazeta vendore dhe revista ndërkombëtare dhe me përkthime të titujve nga anglishtja në shqip. Kontributet e tij janë të njohura në librin "Kosova", si dhe në vëllimin ndërkombëtar "Pentakostalizmi Evropian", ku ai mbulon Ballkanin.

Në kontributin e teologjik, Pastor Krasniqi është i njohur për mënyrën e tij të veçantë të paraqitjes së lëndës së Homiletikës për studentët e tij.

Në mesin e shumë trajnimeve, vlen të përmenden ekspertizat e tij fushën e avokimit, menaxhmentit dhe të folurit publik. Përveç gjuhës amtare shqipe zotëron edhe gjuhën angleze dhe serbe si dhe komunikon gjermanisht.