Untitled-1Pashka – festë e çlirimit të qenies njerëzore nga robëria

Pashka, bashkë me Krishtlindjen, përbëjnë dy ngjarjet më të shënuara në kalendarin e festave të krishtera në përgjithësi. Ndërkohë që në Krishtlindje festojmë ardhjen e Jezusit për të përmbushur misionin e tij të pajtimit të njeriut me Perëndinë, për Pashkë ne festojmë kryerjen me sukses të atij misioni.

Festa e Pashkës ishte dhe mbetet një nga festat më të rëndësishme për hebrenjtë dhe i ka rrënjët në Librin e Eksodit 12, në Bibël. Kjo festë daton rreth 3300 vjet kur populli hebre ishte në mërgim në Egjiptin e lashtë dhe kujtohet si një akt i Zotit për çlirimin e njeriut.

Para rreth 2000 vjet më parë, Perëndia e ndërmori një iniciativë të re. Me dashurinë e Tij të madhe për krijesën e Tij, e dërgoi Jezus Krishtin në tokë. Misioni i Jezusit ishte pajtimi i njerëzimit me Perëndinë. Në Dhiatën e Vjetër (e njohur edhe si Besëlidhja e Vjetër), Perëndia kishte bërë një besëlidhje me njeriun me gjakun e kafshëve, d.m.th., një qengj i pa të meta që njeriu do të therë vit pas viti për të kujtuar Besëlidhjen e Zotit me njeriun. Natyrisht në çdo marrëveshje pritet që palët t’u përmbahen kushteve të marrëveshjes. Në këtë rast njeriu si palë nuk arriti t’i përmbush kushtet e marrëveshjes dhe Perëndia u kujdes për të ndërhyrë me një marrëveshje të re. Në këtë rast Perëndia vendosi që të gjitha dënimet për shkeljen e Besëlidhjes nga ana e njeriut të mos i ngarkohen njeriut por Birit të tij Jezusit. Dhe vdekja e Jezusit ishte monumentale, sepse kjo ndodh në kohën e Pashkës së dytë. Besëlidhja e dytë apo Besëlidhja e Re nuk është e lidhur me gjakun e kafshëve, por me gjakun e Birit të Perëndisë. Jezusi ishte Qengji i Perëndisë pa të meta në kohën e Pashkës. Jezusi iu dorëzua mëkatarët që e torturuan dhe vranë dhe e gozhduar për drurin e kryqit.

Pashka do të jetë e pakuptimtë sikur misioni i Jezusit nuk do të ishte i suksesshëm. Sikur ai të mbeste në varr, mëkati dhe vdekja do të mbanin pushtetin. Sikur Jezusi nuk do të ringjallej së vdekurish nuk do të kishte shpresë për njerëzimin dhe besimi ynë në Zotin do të ishte i kotë. RINGJALLJA E JEZUS KRISHTIT PREJ SË VDEKURISH ËSHTË THEMELI I BESIMIT TONË DHE SHPRESA E NJERËZVE PËR SHPËTIM NGA ROBËRIA E MËKATIT PËR JETË TË PËRJETSHME!

Bibla - Fjala e Perëndisë, dëshmon se në ditën e tretë pas vdekjes, Jezusi u ngrit përsëri. Ai iu shfaq dishepujve të tij. Sot, Jezusi është i gjallë dhe ndodhet në qiell. Një ditë Ai do të kthehet sërish por si një gjyqtar.

Pashka është një ngjarje e madhe dhe jo thjesht një ritual. Pashka shënon ngjarjen e shtrirjes së dorës së pajtimit të Perëndisë ndaj njeriut, dhe në asnjë mënyrë nuk është një ngjarje që përcjell ekskluzivitetin e ndonjë komuniteti të caktuar fetar. Bekimi i ringjalljes është për të gjithë njerëzit pa dallim. Pashka është fitorja e jetës mbi vdekjen; e dritës mbi errësirën; e së mirës mbi të keqen; e pajtimit mbi urrejtjen. Pashka është falja Perëndisë dhe siguria për jetën e përjetshme. Pashka është festë e ringjalljes së Jezusit me trup.

Të dielën e Pashkës kishat protestante ungjillore anembanë Kosovës u bashkohen miliona të krishterëve të tjerë në botë për të festuar ringjalljen e Zotit tonë. Dyert e kishave tona janë të hapura për të mirëpritur mysafirët që të festojnë me ne.

GËZUAR PASHKA – RINGJALLJA E JEZUS PREJ SË VDEKURIT!