Pankartizmat dhe shakatë e një polemizuesi

There are no translations available.

Përgjigje ndaj reagimit lidhur me shkrimin “(Ç’)kombëtarizimi i shkollave shqipe”

Shkruan: Dr. Femi Cakolli,Pastor

Në numrin e fundit të së përjavshmes JAVA z. Bejtullah Krasniqi ka sjellë një shkrim me titull “Diversantëve u pengojnë fëmijët tanë besimtarë”, si reagim ndaj shkrimit tim me titull “(Ç’)kombëtarizimi i shkollave shqipe”, artikull që ndërlidhej me propozimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për futjen e lënda së fesë islame nëpër shkollat publike të Kosovës.

Isha në dilemë se a duhet t’i kundërpërgjigjem zotëriut në fjalë. Shkaku kryesor është se vërtet ky reagim është shumë jashtë nivelit të kulturës debutuese dhe shtruarjes së kundërargumenteve. Madje shpreh habitem edhe ndaj redaksisë së Javës që lëshon për botim shkrime të këtilla. Po reagoj për hir të lexuesit, dhe ndaj gjithë atyre që mund të mendojnë njëjtë si i nderuari z. Bejtullah Krasniqi.

Thua qysh në fillim të reagimit tënd “se do të marrë guxim që me argumente” të më kundërshtosh. Zotëri Krasniqi, guximi është virtyt i mirë, por është marrëzi nëse tregon guxim me padijeni, pa vend dhe me kotrum. Ju nuk sillni asnjë argument të pastër që të më kundërshtoni pse mendoj se kurrë nuk bën të futet lënda e fesë nëpër shkollat publike të Kosovës ashtu siç ka propozuar deri tash BIK-u. I kam sjellë unë 10 argumente për këtë, kurse ju nuk e keni sjellë asnjë. As mua e as lexuesin e rëndomtë nuk ke arritur që t’i dëshmosh pse duhet kjo lëndë nëpër shkolla. Qartë – asnjë! Në vend të kësaj ju zotëri sillni paragjykime, akuzime, pankartizëm dhe shaka. Nëse e kundërshtoj me këmbëngulje këtë propozim të Bashkësisë Islame të Kosovës kurrsesi s’do të thotë se unë e urrej atë. Jam vetëm kundër propozimit të BIK-ut dhe mos nxirrni insinuata të tjera! Ju shpesh në shkrimin e juaj dilni me disa konkludime sipas urtësisë biblike: Vetë e the! Nuk  e urrej as BIK-un e asnjë mysliman në botë. Hape veshin dhe zemrën çfarë thash: nuk e urrej kurrë asnjë person e as ndonjë mysliman pra.

Ke dashur pak të më mbajt ders se çka bën Zvicra. Thua tekstualisht, pasi se nuk po ditkam se në çfarë shekulli e në cilin vend të botës po jetuakam: “A e dini se sot (në disa kantone) edhe në shkollat e Zvicrës së krishten mësohet landa e besimit islam”. Qe këtë mund ta llogaris si të vetmen përpjekje tuaj me sjellë një argument që kallëzon se duhet me u fut lënda e fesë islame edhe në Kosovë. Kujt po i flisni tash kështu? Të padijshmeve? Tjetër, ku mësohet kjo lënda e fesë islame nëpër disa kantone të Zvicrës? Diktoje një kanton dhe cila shkollë? Ndoshta mendon nëpër shkolla islame? Nëpër xhamia aje? Nëpër shkolla publike të këtij vendi? Mirë boll! Ta zëmë se është nëpër shkollat publike të Zvicrës. Dëgjo bukur tash, të lutem: në asnjë kanton, e në asnjë qytet, e në asnjë fshat dhe në asnjë shkollë publike (jo private – pasi për këto shkolla askush nuk garanton) të Zvicrës nuk mësohet lënda e fesë islame. Nuk e di pse s’e ke marrë bile ndonjë shembull në Afrikë ose Azi që shqiptarët s’kanë shumë lidhje atje po ke ardhë e je rrasë në Zvicër kur dihet se atje jetojnë më shumë se 350.000 shqiptarë. Vetëm para një muaji me anë të një referendumi Zvicra ka vendos sërish që lënda e fesë nëpër shkollat publike të këtij shteti të jetë lënda që quhet Tregime biblike. Të gjithë nxënësit shtetas të këtij vendi pavarësisht se çfarë religjioni kanë mësojnë nga tregimet e Biblës besimin e krishterë. Nxënësit nuk janë të obliguar të asistojnë me domosdo gjatë kësaj ore, por kështu është rregulluar edhe një herë në këtë shtet me anë të referendumit. Ka atje shkolla private që e kanë orën e mësimit të fesë islame, dhe duke biseduar me shumë shqiptarë ata thoshnin se “nuk due që fëmija i jem të identifikohet si turq e arabë, dhe nuk e la me shkue hiq në atë orë”. Kjo ke krejt çka lidhet me Zvicrën.

Në vijim do të merrem me të tjera “argumente tua”. Thua se pasi nxënësit shqiptarë në Kosovë janë myslimanë ata janë brumi  i landës së fesë islame. E more Bejtë, me pa ba vaki e me mendue si ti ata burrat atdhetarë që kanë hapur shkollat shqipe kombëtare ne hala kishim me folë turqisht ose arabisht, dhe ne hala do të ishim nëpër mejtepe duke këndue ilahi. Feja është bindje dhe kulturë dhe jo landë e as bruma siç po thua. Kur kam folur për rrezikun që nëpër shkollat publike përmes lëndës së fesë islame mund të infiltrohet rrjet dhe infrastrukturë islame fjalën e kam për veprimtari antiligjore. Por ndoshta kjo ty nuk të intereson por vetëm çështja e fesë. Çdonjëri person në Kosovë që shikon çdo gjë vetëm përmes çështjes së fesë është vetëm një sektarizëm.

Argument, me guxim, sjell kur institucionin ku shërbej, kishën, e quan klub!  Është ofendim! Sipas besimit të krishterët kisha e Krishtit janë të gjithë të krishterët. Në fund të artikullit tënd thua se: “lënda e fesë dukshëm kishte me ndikue në ngritjen e edukatës, kulturës, sjelljeve humane..”, më falë ti a flet vetëm për veti apo vetëm për ngjeti?! Çfarë edukate, kulture dhe sjellje po shfaq kundrejt meje në këtë rast kur kishën e Krishtit ku shërbej me gjithë qenien time e quan klub. Argument i fortë a! Qoftë hiri mbi ty!

Një tjetër argument, me guxim, sjell kur më fton publikisht që të shkruaj në artikull në Java për t’u punësuar mjekë dhe furrxhi protestantë në vendet islame, pasi këta nuk mbajnë namaz dhe mund të punojnë çdo kohë. Argument edhe ky a? Çka the pak më lart:  “lënda e fesë dukshëm kishte me ndikue në ngritjen e edukatës, kulturës, sjelljeve humane..”, më falë ti a flet vetëm për veti apo vetëm për ngjeti?! Personalisht ju a keni edukatë fetare apo po prisni deri sa t’ia fillojë kjo lëndë në mënyrë që të edukohesh paksa. Sepse çfarë edukate, kulture dhe sjellje po dëfton ndaj të krishterëve protestantë në këtë rast? Mos harro se janë pikërisht ato vende protestante (Amerika, Britania e Madhe, Gjermania etj.) që sot ti dhe unë jetojmë më mirë dhe në liri në Kosovë. Por ja që ti flet vetëm aq sa di.

Zotëri Bejtullahu, më duket se nuk e merr vesh mirë fjalën as riindoktrinim e as indoktrinim. S’ke faj se mbasi e ke dëgjuar vetëm prej lajmeve të Beogradit t’u ka ngatërrua çdo gjë. Vetëm sa për dijeni këto fjalë përdoren me qindra vjet para se t’i kishe dëgjuar prej atyre lajmeve.

Një argument tjetër, edhe ky me guxim: “Çashtja e fesë vazhdon të trajtohet simbas parimeve të ideologjisë komuniste” Gabim shumë i madh. Çështja e fesë tek shqiptarët vazhdon të trajtohet sipas parimeve të Rilindjes Kombëtare dhe sipas sekularizmit europian, dhe jo sipas ideologjisë komuniste. Megjithëse më ke quajtur “magjistër injorant”, por po të them vetëm se lexo pak ma mirë historinë kombëtare, i nderuar Bejtullah.

Argumentin që na ke ofruar në vijim, edhe ky me guxim, vërtet ashtu qysh jeni shpreh se tash përnime ti e ke shti plugun shumë thellë kur thua: “Dhe nuk e ke ti hallin te shkolla kombëtare, por te paga jote”. Të lutem për më shumë njerëzi. Nuk është e lejueshme që të bësh hajgare me pagën ose me mospagën time. A  e di pse? Kjo mënyrë e përuljes së një personaliteti është tepër bastarde dhe demode. Çka the pak më herët: “lënda e fesë dukshëm kishte me ndikue në ngritjen e edukatës, kulturës, sjelljeve humane..”, më falë ti a flet vetëm për veti apo vetëm për ngjeti?! Çfarë edukate, kulture dhe sjellje po tregon ndaj meje në këtë rast kur ju fare nuk më njihni. Argument i fortë edhe ky a?

Tash nuk ndalesh vetëm ma kaq, por ai “pllugu yt” shkon edhe më tej duke mu drejtuar: Po ti që ke krye shkollë kombëtare, a mundesh me na thanë çka ke ba për kombin? I dashur Bejtullah, adhahile kush i beson kësaj demagogjie dhe hipokrizie shushuritëse. A mos deshe që të më fusësh në kurth! Të lavdërohem se çka kam bërë. Jo! Mbasi je bë merak dhe me e pasë të ditur se çka kam bërë për kombin ja vetëm një fakt: dikur para 13 vjetëve edhe isha një mëkatar sikurse ju tani, ndoshta edhe ma i keq, dhe atëherë vendosa me gjithë jetën time që të besoj Jezus Krishtin për Zotin dhe Shpëtimtarin tim personal. Dhe ai më fali nga mëkati. Më dha çlirimin. Më bëri fëmijë të Atit në qiell. Më dha dritë. Më thirri Perëndia për Mbretërinë e tij në mesin e kombi tonë. Më mbushi me hir, me dashuri dhe me frymën e urtësisë së tij. Prandaj duke pasur këtë identitet në Krishtin e di shumë mirë se çfarë përfitoj personalisht, familja, kombi dhe vendi ynë. Kush bekon është më i madh sesa ai që mallkon ose urren. Kush është më i madh edhe një herë: ai që ka dashuri më shumë. Nuk po flas për vetën pasi këto janë mësime të Krishtit. Edhe ty të ftoj që të besosh Jezusin dhe të shpëtohesh nga mëkati dhe nga ferri. Mirë! Vetëm me këto gjëra mund të mburrem, sepse veprat tjera që i kam bërë “për kombin siç thoni ju” vërtet janë aq të padenja sa nuk mund të mburrem as para jush e lëre më para Zotit Perëndi. Dhe ju mos harroni çfarë thatë pak më herët: “lënda e fesë dukshëm kishte me ndikue në ngritjen e edukatës, kulturës, sjelljeve humane..”. Më falë ti a flet vetëm për veti apo vetëm për ngjeti?! Çfarë edukate, kulture dhe sjellje po tregon ndaj meje në këtë rast kur më pyesni në mënyrë autoritare se çfarë kam bërë për kombin? Edhe ky një argument i fortë, me guxim a?

Vetëm se e kam kundërshtuar propozimin e BIK-ut për futjen e lëndës së fesë nëpër shkolla, duket se për juve është e mjaftueshme që të kërkoni prej meje “me na u prezentue se kush je e çka je”.  Për ta përfunduar. Jam njeri i fetarshëm, dhe nuk jam komunist qysh po presupozoni ju, dhe jam plotësisht dakord që të futet lënda e religjionit nëpër shkollat publike, por kurrsesi që planprogramin ta bëjnë hoxhallarët ose ndonjë bashkësi tjetër fetare. Nëse do të futet lënda e fesë ashtu si po propozon Bashkësia Islame e Kosovës atëherë këto janë pesë rreziqet kryesore, që vetëm po i përsëris: 1. Futja e segregacionit nëpër shkollat e Kosovës. 2. Humbja e homogjenisë së shkollës shqipe. 3. Islamizimi ose fetarizimi i institucioneve publike. 4. Riindoktrinimi islam i rinisë shkollore. 5. Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Një gjë që të mësosh për herëve tjera, nëse do të polemizoni me dikë. Ju lutem mos i ndërro trajtat e fjalëve të tij. Citimi duhet të jetë vetëm siç është publikuar. Unë nuk shkruaj në dialekt, megjithëse shpeshherë përdor idioma dialektore për qëllime stilistike ose estetike, kurse ju çdoherë në shkrimin tuaj më keni cituar në dialekt, edhe pse kam shkruar në gjuhën letrare shqipe. Qejfin nuk po ia bëj as Migjen Kelmendit e lëre më ty!

(Autori është Pastor. Artikulli ishte shkruar për shtypin e Kosovës)