VP FrontpageGjatë viteve të fundit ka pasur numër të shtuar të takimeve e konferencave ndërfetare në Kosovë. Vlen të përmenden dy më kryesoret që janë organizuar nga OSBE Misioni në Kosovë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme. Në të gjitha konferencat e lartpërmendura Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) ka marr pjesë në mënyrë proaktive duke e ofruar kontributin e vet si palë e përgjegjshme.

Më 19 mars 2016 në qytetin piktoresk të Prizrenit u organizua një konferencë e tillë. Ky event dallonte prej takimeve tjera sepse po merrte pjesë HRH Charles, Princ i Wales. Ai do t’u adresohet të pranishmëve me një fjalë mjaft frymëzuese. Para arritjes së tij, u zhvillua një panel diskutimi me klerik të lartë të komuniteteve fetare në vend. I pranishëm ishe edhe kryetari i KPUK-ut Pastor Driton Krasniqi me pastorë e bashkëpunëtorë. Ai në fjalimin e tij fillimisht përshëndeti nismat si kjo duke theksuar se komuniteti protestant ka marr pjesë në mënyrë proaktive në aktivitete që e forcojnë mirëkuptimin ndërfetar; tutje pastor shtoi:

VP 2“Në kishat tona ne lutemi vazhdimisht për Kosovën. Çdo 31 janar bashkë me kishat tona simotra në botë, ia kushtojmë një ditë të tërë lutjes dhe agjërimit për Kosovën”. Duke folur për bashkëjetesën, kryetari nënvizoi: “Populli i Kosovës asnjëherë nuk ju ka frikësuar diversitetit. I takon këtij brezi për ta çuar përpara këtë trashëgimi të çmuar. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë një hap të madh me Ligjin e Lirisë Fetare, por parlamentarët kanë dështuar për ta votuar Ligjin e ri i cili e përkufizon pozitën juridike të bashkësive fetare. Mungesa e ligjit e vështirëson punën e të gjitha komuniteteve fetare. E përshëndesim votimin në Kuvendin Komunal të Prishtinës për ndarjen e parcelës për varreza dhe kishë protestante”.

Tutje pastori bëri thirrje për harmoni fetare. Duke marrë shembull nga Bibla nënvizoi: “Mbreti Solomon, të cilit i referohen të gjitha fetë e vlerësuara si abrahamike dhe të cilit Bibla ia ndan epitetin e njeriut më të mençur, ka thënë: “Jeta dhe vdekja janë në pushtetin e gjuhës” (FU 18). Shikuar realisht nuk ekziston një rrugë e qartë për paqen por paqja është rrugë në vete. Jezusi, shembulli më i mirë i paqes që tejkalon çdo mendje njerëzore na mëson: “kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe me njëri-tjetrin” (Marku 9:50).

Rrjedhimisht, paqja nuk është thjeshtë mungesë e luftës, por gjendje e mendjes, përfundoi pastori Driton Krasniqi.

Princi Charles, cili po qëndron për vizitë dy ditore në Kosovë në kuadër të vizitës së tij vendeve të Ballkanit, u përqendrua kryesisht tek nevoja për falje në mes të popujve.

VP 1“Këtë mëngjes i kam dëgjuar disa nga familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre – e kam fjalën për personat e pagjetur. E di se të tillë ka ende shumë në këtë vend. Ata më pyetën nëse mund të ndihmoj; do të dëshiroja të mund të bëja më shumë. Mendoj që në gjithë botën ka shumë vdekje dhe shkatërrim të panevojshëm. E shohim këtë gjatë gjithë kohës në Lindjen e Mesme; të thyen plotësisht zemrën; dhe është plotësisht e pakuptimtë. Megjithatë, ju keni një mundësi ideale për të rindërtuar urat. Duhet të sigurohemi që këtë herë ato të qëndrojnë. E thashë edhe mbrëmë në Beograd se, mendoj se mund ta kuptoj – vetëm pak, atë se çfarë kanë kaluar njerëzit në këtë rajon. Më kujtohet vrasja e xhaxhait tim të madh Lordit Mountbatten, para 40 vitesh. Më kujtohet që në atë kohë ndjeja një zemërim të madh si një reagim i menjëhershëm, por më pas e kuptova që hakmarrja nuk është gjëja e duhur për të bërë. Në fakt gjëja e duhur është pajtimi dhe falja. Nëse ekziston një gjë që mund të mësohet nga ky tmerr, ajo është se vetëm përmes pajtimit dhe faljes mund të kemi një fillim të ri. Unë e kuptoj agoninë, përvojat e tmerrshme, dhimbjen, por në mënyrë që vendet të cilat kanë kaluar një tmerr të tillë të rimëkëmben, këto përjetime duhet të jenë pjesë e ndërtimit të themeleve të reja. Unë lutem që ata njerëz të guximshëm të cilët e kalojnë urën në anën tjetër, të jenë fitimtarët në fund”, theksoi mes tjerash Princi i Wales.

VEGZA TJERA TË NDËRLIDHURA:
Fjalimin e plotë mund ta gjeni në vegzën e mëposhtme: http://www.interfaithkosovo.org/press-releases/1004/foreign-minister-selimi-hosted-hrh-the-prince-of-wales-at-an-interfaith-conference-in-prizren/?lang=Al