Çfarë është Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës?

Baza Ligjore

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) është një komunitet fetar krishterë i denominacionit Protestant Ungjillor. KPUK-u e ushtron veprimtarinë e vet në Republikën e Kosovës në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi mbi lirinë e fesë Nr 02/L-31 dt. 13.07.2006, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i ndryshuar dhe i shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ligji për Lirinë e Fesë njeh gjithsej pesë komuniteteve fetare në Kosovë. Në nenin 5.4 të këtij ligji thuhet decidivisht:

Për të gjitha besimet dhe bashkësitë të tyre në Kosovë duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste, do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuara me këtë ligj . Bashkësitë fetare në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat me këtë ligj“.

Terminologjia

Në Ligjin e lartpërmendur me Protestanteve Ungjillorë u është referuar si “Kisha Evangjeliste”. Pavarësisht nga termi i përdorur, është e rëndësishme që të njihet fakti se vetë fjala rrjedh nga fjala greke “Evangelios” do të thotë “Ungjill”; ndërsa fjala Ungjill përkthehet “Lajm i Mirë”.

Prandaj, Protestantët Ungjillorë, respektivisht KPUK-u, është duke përhapur Lajmin e Mirë të Ungjillit të Zotit Jezus Krisht në mesin e popullatës së Kosovës.

Struktura organizative e KPUK-ut

Kishat protestante ungjillore lokale mbajnë emra të ndryshëm. Kishat tilla lokale, shpesh herë të referuara si “Anëtarët” janë autonome si nga funksioni ashtu edhe nga struktura e tyre organizative dhe bashkërisht formojnë komunitetin fetar që quhet “Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës” (KPUK). KPUK-u ka një strukturë organizative eklesiologjike me organe vendimmarrëse dhe ekzekutive. Hierarkia kishtare e KPUK-u është formuar në këtë mënyrë që jetë doktrinalisht biblike dhe praktikisht funksionale. Në nivelin lokal, Protestantët Ungjillorë respektojnë autonominë e kishave lokale në vetë qeverisjen e punëve të përditshme të kishës. Megjithatë, në nivel kombëtar, organet e KPUK-ut janë: Kuvendi (Sinodi), Këshilli i Shërbestarëve (Presbiteri) dhe Kryetari.

Kuvendi i Përgjithshëm (Sinodi)

Kuvendi i KPUK-ut është organi më i lartë vendimmarrës i KPUK-ut. Kuvendi i KPUK-ut, i cili mblidhet një herë në vit, përfaqësohet nga përfaqësuesit e të gjithë anëtarëve të KPUK-ut. Secili entitet Protestant Ungjillor – respektivisht kishat dhe organizatat lokale të Kosovës – që janë anëtarë të KPUK-ut, përfaqësohen nga Përfaqësuesi Ligjor dhe në mungesë të tij nga personi autorizuar nga ato. Votimi në Kuvendin e KPUK-ut bëhet sipas parimit NJË ANËTAR – NJË VOTE.

Kuvendi i KPUK-ut mblidhet një herë në vit në Kuvend Vjetor të rregullt, ose më shpesh në kuvende të jashtëzakonshme. Në seancat plenare, të cilat kryesohen nga Kryetari KPUK-ut ose një person i autorizuar nga ai, Kuvendi sjell vendime në interes të KPUK-ut, siç janë pranimi dhe/ose largimi i anëtarëve të KPUK-ut; aplikimin për anëtarësim ose largimin e KPUK-ut prej organizatave ku është anëtar; aprovon ndryshimet e mundshme statutore; miraton shpenzimet vjetore dhe buxhetin, etj. Kuvendi gjithashtu zgjedh me votim të fshehtë Këshillin e Shërbestarëve (KiSH) – Presbiterin dhe Kryetarin. Anëtarët e KiSH-i zgjedhen me shumicë të thjeshtë ndërsa Kryetari me 2/3 e votës së hedhur.

Këshilli i Shërbestarëve – Presbiteri

Këshilli i Shërbestarëve (KiSH) – Presbiteri është organ ekzekutiv i KPUK-ut i cili del nga Kuvendi. KiSH-i ka shtatë anëtarë dhe nga vetë emri kuptohet se në këtë Këshill rekomandohet të vijnë vetëm njerëz që tashmë janë aktiv në shërbesën e Perëndisë; respektivisht shërbejnë në një pozitë e një udhëheqësi shpirtëror në një kishë lokale. Kuvendi e mandaton KiSH-in me një mandat katër vjeçar, por çdo vit KiSH-i mund të rifreskohet me anëtarë të rinj, varësisht nga lëvizjet e anëtarëve të KiSH-it.

Kuvendi bën zgjedhjen e anëtarëve të KiSH-it. Anëtarët e Kuvendit mund të bëjnë nominimin e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarit në KiSH por edhe kandidati vetë mund të vullnetarizojë për t’u zgjedhur në këtë detyrë. Pas përfundimit të nominimeve, lista e kandidatëve sillet për votim të fshehtë. Anëtarët KiSH-it mund të zgjedhen vetëm për dy mandate të njëpasnjëshme.

Pas marrjes së bekimit nga Kuvendi, KiSH-i në mbledhjen e tij të parë pas Kuvendit të Përgjithshëm të KPUK-ut, prej anëtarëve të zgjedhur në KiSH nga ana e Kuvendit, bën përzgjedhjen e Sekretarit dhe Arkëtarit. KiSH-i mblidhet një herë në muaj – në mbledhjen e vet të rregullt ose më shpesh nëse është e nevojshme.

Kryetari

Pas zgjedhjes së anëtarëve të KiSH-it, Kuvendi pastaj pranon listën e kandidatëve të nominuar për Kryetar të KPUK-ut. (Kryetari i KPUK-ut do të shërbejë edhe si kryesues i KiSH-it). Kandidati për Kryetar të KPUK-ut duhet të jetë Pastor dhe duhet të plotësojë kriteret e vendosura nga Bibla tek 2 Timoteut 3:1-14.

Pas paraqitjes së kandidaturave, kryesuesi i punimeve të Kuvendit sjell për votim zgjedhjen e Kryetarit. Mënyra e votimit është e drejtpërdrejtë dhe të fshehtë. Kërkohen 2/3 e votës së hedhur për zgjedhjen e Kryetarit për mandatin e ardhshëm tre vjeçar. Kryetari i KPUK-ut mund të kandidojë dhe të zgjidhet për dy mandate të njëpasnjëshme.

Kryetari i KPUK-ut përfaqëson institucionin e KPUK-ut para anëtarëve të KPUK-ut dhe para institucioneve të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare. Presidenti së bashku me Sekretarin e KPUK-ut përgatit rendin e ditës për mbledhjet cm. Sekretari është mbajtësi i buxhetit dhe merret me punët e brendshme të KPUK-ut s. Buxheti vjetor është sjellë para Kuvendit për miratim. Presidenti aktual i KPUK-ut është Pastor Driton Krasniqi.