Një delegacion i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) i kryesuar nga kryetari i KPUK-ut pastor Driton Krasniqi dhe i shoqëruar nga pastorët Artur Krasniqi e Femi Cakolli u priten në selinë e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës nga kreu i këtij institucioni z. Hilmi Jashari.

Mysafirët e njoftuan Avokatin e Popullit me aktivitetet, arritjet dhe sfidat me të cilat po përballet komuniteti protestant i Kosovës.

z. Jashari njoftoi mysafirët se si institucioni që ai përfaqëson do të vihet në mbrojtje të të drejtave njerëzore e fetare për të gjithë qytetarët e vendit pa dallime. Ai gjithashtu siguroi delegacionin që kërkesat e komunitetit tonë do t’i adresojë në të gjitha instancat e vendit.

Kryetari Krasniqi theksoi se mungesa e hapësirës për varreza të komunitetit tonë dhe mungesa e hapësirës për objekte fetare, respektivisht mos lëshimi i lejeve të ndërtimit për kisha protestante, janë shkelje me të cilat po përballemi çdo ditë.