use-interviste“Protestantët e diskriminuar, nuk u ndajnë as tokë për varre

Kishës Protestante i mohohet që nga paslufta ndërtimi i objekteve fetare, si dhe ndarja e lokacionit për varreza

Ndonëse Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e grupeve fetare për t’i rregulluar në mënyrë të pavarur organizatat, aktivitetet dhe ceremonitë e tyre dhe të drejtën për të themeluar shkolla dhe institucione bamirësie, përfaqësues të Kishës Protestante deklarohen të diskriminuar. Sipas tyre, në Kosovë besimtarët protestantë nuk gëzojnë të drejtën e objektit fetar për lutje, ceremoni e organizime. Bashkësisë Fetare Protestante nuk i është dhënë leja për ndërtimin e objektit reprezentativ, as për kishën, si dhe as për varreza. Ndërkaq, në Raportin për liritë fetare ndërkombëtare për vitin 2015, të Departamentit të Shteteve të Bashkuara potencohet se ligji e thekson që nuk ka fe zyrtare, por i cek pesë bashkësi “tradicionale” fetare: Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), KOS-in, Kishën Katolike, Bashkësinë Hebraike dhe Kishën Ungjillore (Protestante). Megjithëkëtë, përfaqësuesit e Kishës Protestante në Kosovë që nga paslufta janë refuzuar nga institucionet që të marrin leje ndërtimi për kishën e tyre. Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se kërkesat e Kishës Protestante për ndarje të lokacionit e dhënie të lejes për objektin reprezentativ, leje për ndërtim të kishave dhe lokacion për varreza i janë dërguar institucioneve që nga koha e pasluftës. “Në vazhdimësi po përballemi me të njëjtën kërkesë, e kemi përsëritur disa herë dhe vazhdojmë ta përsërisim. Ne ua kemi paraqitur komunave ndaras dy kërkesa kryesore, që është kërkesa e parë që neve të na ndahet lokacioni ngjashëm sikurse bashkësive tjera fetare, ku ne do të mund të ndërtonim objektin tonë reprezentativ, i cili do të plotësonte kërkesat tona”. Krasniqi thotë se kanë bërë ankesa të vazhdueshme për mos ndarjen e lokacionit për objektin reprezentativ. Krasniqi thotë se nuk po kërkojnë më tepër sesa rregullat e shtetit që vlejnë dhe për bashkësitë e tjera fetare. “Duam të kemi lokacionin tonë dhe ku nevojat e besimtarëve tanë janë të plotësuara”.

Blejnë truallin, nuk i lejohet ndërtimi i kishës

Krasniqi ka thënë se janë në pritje po ashtu të lejes së ndërtimit të kishës në lagjen “Sofali”, Prishtinë. “Ne e kemi blerë truallin, po me mjete vetanake”. Krasniqi thotë se po respektojnë autoritetet dhe kanë refuzuar të shkojnë në variantin e ndërtimeve pa leje “Është e pandershme për një objekt fetar që të ndërtohet pa leje, që të jetë pjesë e ndërtimeve të egra. Për këtë arsye kemi pritur në vazhdimësi, por pritja jonë sa vjen edhe zgjatet”. Ai thotë se kërkon vullnet politik dhe të mirë që këto kërkesa të realizohen. Prandaj, apelon tek institucionet qeveritare të nivelit qendror e lokal që të respektojnë të drejtën e lirisë fetare edhe për protestantët. Në vitin 2002 ai thotë se i është lëshuar leja dhe është ndërtuar kisha në Gjakovë, pastaj një kishë tjetër me leje është ndërtuar në Mitrovicë, po ashtu në Pejë (i ndërtuar në vitin 1967) e që të gjitha këto objekte të ndërtuar sipas planeve urbanistike, prandaj Krasniqi beson që e njëjta të mos ketë arsye të zvarritet më në qytetet tjera. “Nuk e dimë pse të refuzohet leja në një vend ku ka besimtarë të një komuniteti fetar”, thotë ai duke potencuar edhe lokacionin për varreza që thekson se është problematikë për të gjitha komunat e jo vetëm në Prishtinë.

“Po presim ende që të gjitha komunat e vendit të ndajnë lokacionet për varreza, në kuadër të organizimeve që ata bëjnë”. Ndërkaq, për varreza Asambleja Komunale në Prishtinë ka marrë një vendim që Kishës Protestante t’i ndahet lokacioni për kishë dhe për varreza, por ende nuk është ekzekutuar vendimi.

Lëvizja protestante tek shqiptarët fillon para 200 vjetësh

Kurse, Kisha Protestante në Kosovë sivjet do të shënojë 200-vjetorin e fillimit të kësaj lëvizjeje. Si datë e lëvizjes protestante merret letra e Robert Pikertonit, që ishte një skocez, agjent që punonte për shoqërinë biblike të Londrës, e cila ishte krijuar në Britani, dhe synimi i saj ishte shpërndarja e biblës tek të gjithë popujt që nuk ishte e shpërndarë. “Pikertoni në një udhëtim që e bën në trevat e Ballkanit takon njerëz, takon shqiptarë dhe në këtë mënyrë informohet më tepër për popullin shqiptar që ka ekzistuar dhe jeton në trevat e Ballkanit dhe që bibla nuk është e përkthyer në gjuhën e tyre”, rrëfen pastor Krasniqi. Ai thotë se pas kësaj vizite, Pikertoni kontakton me organizatën e tij, që ishte shoqëria biblike dhe e huaj e Britanisë së Madhe dhe u rekomandon atyre përkthimin e biblës në gjuhën shqipe. Sipas tij, ky veprim merret si fillimi dhe kjo letër po ashtu vlerëson se ka një peshë të lartë. “Ndërkohë pas kësaj letre vjen dhe reagimi i Shoqërisë Biblike të Londrës duke angazhuar njerëz në Shqipëri që do të merren me përkthimin. Dhe përkthehet për herë të parë bibla – dhiata e re në gjuhën shqipe, që pas dy vjetësh publikohet në Korfuz, fillimisht pjesët e saj Ungjilli sipas Mateut dhe më pas publikohet edhe tërë shkrimi i shenjtë, tërë bibla, dhe pastaj vijnë kontaktet tjera me rilindës të kohës siç është Kostandin Kristoforidhi, i cili realisht merr biblën për bazë për të lëvruar dhe zhvilluar gjuhën shqipe…”, rrëfen Krasniqi historinë protestante tek shqiptarët. Ai flet dhe për shumë aktivitete të tjera që rilindësit kanë zhvilluar në atë kohë, si Kongresi i Manastirit, që ishte thirrur dhe ishte mbajtur në shtëpinë e Pastorit Gjergj Qiriazi.

Më 24-26 tetor organizohet simpozium për kontributin e lëvizjes përgjatë 200 vjetëve

Krasniqi thotë se besimi ishte shtytës për këta njerëz për t’i ndihmuar kombit. Për kremtimin e kësaj lëvizjeje, që manifestimi do të mbahet dyditor, më 24-26 tetor në Prishtinë, Krasniqi thotë se po bëhen përgatitje për një aktivitet të madh për shënimin e këtij përvjetori. “Do të ftohen folës nga vendet e tjera, duke përfshirë dhe përfaqësues nga Shoqëria Biblike dhe për të huaj në Londër, pastaj folës tjerë që do të vijnë nga Amerika, studiues nga Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, që do të nxjerrin në pah disa prej dokumenteve shumë të rëndësishme që janë gjetur në arkivat britanike”. Krasniqi thotë se këto dokumente do të bëhen të njohura për herë të parë për opinionin, të cilat, sipas tij, do të dëshmojnë për punën që ishte bërë, vështirësitë, sfidat e arritjet në kohën e nxjerrjes dhe përkthimin e materialeve për gjuhën shqipe, gjuhë e cila në atë kohë në Shqipëri ishte përjashtuar nga shkollat, por që lejohej gjuha turke, greke, vllahe… Në këtë simpozium do të marrin pjesë dhe personalitete nga jeta politike dhe kulturore”.

(Burimi: Gazeta “Zëri”; datë: 02.09.2016; autore: Anita Kadriu. Artikulli botohet pa asnjë ndërhyrje. Titulli: kishaprotestante.net)