Pastor Jeton Sokoli: “Jemi shumë të gëzuar që ajo për të cilën jemi lutur dhe shpresuar për 18 vjet, sot po e shohim në realitet”


Rreth 40 vite më parë në Gjakovë ishin ndërtuar baraka për nevojat e qytetit të Gjakovës. Pas luftës së Kosovës, rreth 18 vite më parë, në ato shtëpiza gjetën strehën shumë familje nga komuna e Gjakovës të cilët kishin mbetur pa kulm mbi kokë.

Edhe pse ishte menduar të shërbejë si vend strehim i përkohshëm për këto familje, edhe sot e kësaj dite mbi 40 fëmijë jetojnë në kushte të mjerueshme duke u përballur çdo ditë me rrezikun e shembjes së tyre.

Sot, duke ju falënderuar njerëzve vullnet mirë në Gjakovë është vënë gur-themeli për ndërtimin e gjashtë shtëpive për familjet më në nevojë. Vlera e projektit kap shifrën prej 150,000.00 Eurosh dhe është mbështetur financiarisht nga fondacioni holandez “New Day Impact”. Projekti në fjalë është një bashkëpunim tre palësh ndërmjet shoqatës në fjalë, kishës protestante “Rilindja e Kosovës”, Gjakovë dhe komunës së Gjakovës.

Komuna e Gjakovës si bashkë-pjesëmarrëse në projekt e ka ndarë tokën për shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh në ngastrën kadastrale të Jahocit. Nënkryetari i komunës së Gjakovës z. Armend Vokshi u shpreh se “këto shtëpi do të përmbushin standardet bashkëkohore dhe familjet do të jetojnë në kushte si i ka hije një familje të jetojë”. Sipas portalit Gjakova Sot, “ky projekt është realizuar në partneritet të ngushtë me Kuvendi Komunal – Gjakovë, New Day Impact dhe Kishën Ungjillore – Gjakovë”.

Përfaqësuesi i fondacionit holandez z. Poul Matla shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë për të investuar këto të holla për familjet gjashtë familjet përfituese të këtij projekti.

Pastori i kishës protestante “Rilindja e Kosovës” në Gjakovës pasi shprehu kënaqësinë e tij për realizimin e këtij projekti për familjet të cilave u kemi qëndruar krah për 16-të vite, nënvizoi: “falënderoj Zotin se për këto familje po përfundon ankthi për një dimër të vështirë, dhe të cilave po kthehet dinjiteti”. Duke shprehur mirënjohjen e tij për komunën e Gjakovës dhe donatorin, pastori gjithashtu u shpreh se “bashkimi për një kauzë të shenjtë , siç është ky rast, bën që mrekullitë të ndodhin!”

Gjykë Kuqi, familjare përfituese e projektit falënderoi kishën për ndihmën e ofruar me këtë rast. “Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, përmbylli ajo.

Sipas dinamikës së paraparë të punimeve, parashihet që në muajin tetor të këtij viti familjet do t’iu gëzohen shtëpive të tyre të reja.

VEGZA TË NDËRLIDHURA:

https://www.youtube.com/watch?v=bolAhkvB63Y
https://www.facebook.com/Gjksot/posts/1140060336124632
http://www.kosovapress.com/sq/lajme/fillon-ndertimi-i-shtepive-per-gjashte-familje-ne-gjakove-126418/