Në Ditën e Paqes falënderohen besimtarët Protestantë Ungjillorë

21 shtatori i çdo viti shënon Ditën Botërore të Paqes. Edhe në Kosovë, sikur në shumë vende të botën, kjo ditë shënohet me aktivitete të shumta.

Më 2012 Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me OJQ-në italiane “Ponte della solidarita Kosovo”, ndërtuan në Prishtinë një monument që u dedikohet të gjitha Organizatave qeveritare e jo qeveritare që i kanë dalë në ndihmë popullatës së Kosovës gjatë kohëve të veta të errëta.

Në solemnitetin e përurimit të monumentit morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike e të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës u ndanë shumë Mirënjohje të cilat i dhuroi Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport z. Memli Krasniqi. Një Mirënjohje të tille iu nda edhe Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK).

Nga ana e Komunitetit Protestant Ungjillor të pranishëm në solemnitet ishin Kryetari Pastor Driton Krasniqi, Sekretari Brian Gibson dhe pastor Artur Krasniqi.

Kryetari Driton Krasniqi me rastin e pranimit të këtij çmimi theksoi se kjo Mirënjohje nga ana e Qeverisë është një përmbledhje e shumë mirënjohjeve që institucione të ndryshme të vendit u kanë ndarë kishave anëtare të KPUK-ut vit pas viti.

Komuniteti Protestant Ungjillor i Kosovës përmes kishave dhe organizatave të veta ka qenë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të ndihmës humanitare për popullatën e Kosovës gjatë dhe pas luftës. Organizata të shumta e kanë dhënë kontributin e tyre të pashoq edhe në temat e dialogut ndërfetar në Kosovë.