easter16Pashka – kohë e shlyerjes së mëkateve tona nga ana e Perëndisë

“Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja”
1 Korintasve 15:17

Festa e Pashkës, bashkë me Krishtlindjen, përbëjnë festat themelore të besimit të Krishterë. Miliona njerëz anë a mbanë botës edhe një herë festojnë Pashkën – festën e Ringjalljes së Jezus Krishtit nga vdekja.

Këtë Pashkë Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës e feston në objekt të improvizuar. Ne vazhdojmë të përballemi me mungesë të hapësirës për kishë. Megjithatë, këtë vit Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar në favor të ndarjes së parcelës për varreza dhe kishë Protestante në Prishtinë. Mbesim me shpresë që kjo të realizohet brenda afateve optimale.

Pashka është festë e pajtimit të njeriut me Perëndinë dhe njeriut me njeriun. Pashka është një festë e urdhëruar direkt nga Perëndia. Nga Bibla mësojmë se Perëndia kishte urdhëruar popullin e Izraelit që çdo vit ta përkujtojnë kohën se si Zoti i kishe çliruar ata nga robëria e Egjiptit dhe i kishte sjellë në tokën e premtuar. Urdhri nga Zoti ishte që çdo brez t’ia bart brezit tjetër porosinë e shpëtimit. Në kujtim të veprës së Zotit, çdo familje do të ther nga një qengj të pa të metë.

Para rreth 2000 vitesh, kur Jezusi ishte bërë njeri dhe jetonte si njëri nga ne, kjo praktikë mijëra vjeçare vazhdonte të praktikohesh gjithandej në tokat e Izraelit të sotëm. Por, këtë herë, Jezusi vetë do të bëhet flija e gjallë e Perëndisë; qengji i pa të metë i Perëndisë në të cilin Ai është i kënaqur. Bibla na mëson se kur u përmbush koha, Perëndia e dërgoi Birin e tij në botë. Bibla gjithashtu na mëson se “.... kur ne akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. (Romakëve 5:8).

Gjaku i çmuar i Jezusit shlyen çdo faj e çdo mëkat. Ai vdiq që ne të jetojmë; ai është sakrifica e pëlqyer e Perëndisë.

Pashka në vete bart mesazhin e pajtimit të njeriut me Perëndinë – nismë kjo e ndërmarr nga vetë Perëndia dhe e ofruar falas për krijesën e tij më të dashur, njeriun.

Prandaj, është thirrje e komunitetit tonë që gjatë kohës së Pashkës t’ia shtrojnë dorën njeri-tjetrit duke lënë mënjanë hasmëritë e teket dhe të rendim bashkërisht drejt synimit të përbashkët për Kosovën e prosperuar.

Mos të harrojmë se për shkak të ringjalljes, ka shpresë për ty dhe për mua; ka shpresë për popullin tonë dhe për Kosovën tonë. Na mbetet neve që ta pranojmë ofertën e Zotit për pajtim me të në mënyrë që mëkatet tona të falen dhe që gjaku i tij i çmuar t’i pastroj.

Pa ringjalljen e Jezusit prej së vdekurish i kotë është edhe besimi i miliona njerëzve në botë. Por, Bibla na mëson se për Jezusin e ringjallur kishin dëshmuar kaq shumë njerëz në Bibël. Ai ishte parë edhe nga dishepujt e tij derisa ngrihej në qiell. Sot, miliona njerëz dëshmojnë se si Jezusi ka ndryshuar jetët e tyre.

Këtë Pashkë, kishat tona gjithandej në Kosovë mirëpresin qindra besimtarë e mysafirë të shumtë. Shërbesa të Pashkës mbahen të Premten, ndërsa Shërbesa Qendrore e Pashkës mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë duke filluar nga ora 12:00.

Zoti ju bekoftë,

Pastor Driton Krasniqi, Kryetar