Kryetari i KPUK pastor Driton Krasniqi përmes rrjeteve sociale ka reaguar kundër përdorimit të kryqit si mjet për arritjen e qëllimeve të caktuara.

Më poshtë është postimi i tij i plotë:

“Kundër përdorimit të kryqit si mjet frikësimi

Kryqi, është simbol i Krishterimit duke kujtuar vendin ku ka vdekur Jezus Krishti si zëvendësim për mëkatet e njerëzimit. Por, në zanafillën e vet, kryqi nuk e kishte këtë kuptim tek perandoria romake si shpikëse e tij. Ai shërbente si mjet ekzekutimi dhe madje mjaft i vrazhdë.

Që prej atëherë e tutje, kryqi për të Krishterët paraqet përmendoren se si rrjedh shpëtimi dhe ku Jezus Krishti është flijuar. Për shumë njerëz të tjerë kryqi mbetet i papranueshëm. Apostulli Pal i cili vetë e kishte sjellë Ungjillin deri në tokat e Ilirisë flet për dy botëkuptime rreth kryqit. “Mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë” (1 Korintasve 1:18).

Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarje ku kryqi paraqet pengesë për njerëzit e caktuar. E përditshmja “Zëri” e ngriti zërin kundër diskriminimit që po përjeton komuniteti protestant. Çuditërisht tani gazetarja Arbana Xharra vihet në shënjestër të njerëzve tëcaktuar të cilët kryqin e përdorin si mjet.

Mesazhi i kryqit është mesazh i dashurisë së Zotit për njeriun e assesi nuk duhet të shfrytëzohet për nxitje të urrejtës së njeriut kundër njeriut.”