Në prani të bashkëshortes e fëmijëve, babait e vëllezërve dhe të komunitetit të gjerë Protestant Ungjillor të Gjakovës u përcoll për në varrezat e qytetit të Gjakovës mbetja mortore e pastorit të kishës ungjillore të Gjakovës “Bashkësia Misioni i Kosovës” Skender Hoti.

“Dhimbja sot është e madhe por ne duhet të inkurajohemi nga fakti se Zoti nuk e pranon vdekjen por se fëmijët e vet i thërret në shtëpi. Jezusi na ka premtuar se në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; për secilin nga ne dhe një gjithashtu për Skenderin. Andaj sot nuk themi Lamtumirë! Por mirupafshim” u shpreh pastor Driton Krasniqi gjatë kryerjes së ceremonisë së varrimit. Më pas u lexuan pjesë nga Shkrimi i Shenjtë Bibla duke u përkujtuar të pranishmëve fjalët e Jezusit: “kush u beson fjalëve të mia dhe atij që me ka dërguar nuk gjykohet po kalon nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24).

Të pranishmit bashkërisht u lutën për bashkëshorten dhe tre fëmijët si dhe familjen e gjerë të Skenderit. Kishat e Gjakovës kanë qenë plotësisht të mobilizuara për përcjellje sa më të dinjitetshme për në banesën e fundit pjesëtarit të komunitetit të tyre.

Në mbrëmje u mbajt Shërbesë Përkujtimore me ç’rast kaq shumë njerëz evokuan kujtime nga jeta e Skender Hotit. Kujtojmë se Skender Hoti ishte plagosur rëndë nga një zjarr që kishte kapluar shtëpinë e tij në Gjakovë më datë 28 dhjetor 2016.