Kongresisti Eliot Engel, i cili njihet si mik i madh i shqiptarëve, po qëndron për një vizitë disa ditëshe në Kosovë. Në agjendën e tij janë paraparë një mori takimesh me drejtues të jetës institucionale në Kosovë. Kongresisti Engel njihet për qëndrimet e tij të prera në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Andaj, kudo ai është pritur me nderime nga përfaqësues të popullit të Kosovës.

Në kuadër të agjendës së tij mjaft të ngjeshur, kongresisti kishte ndarë kohë të veçantë për përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend. Nën organizimin e interfaithkosovo, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës u mbajt takim i rezervuar për drejtuesit e bashkësive fetare.

Përveç kongresistit Engel, të pranishëm në takim ishin edhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë Tracy Ann Jackobson, ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu, aktivisti Harry Bajraktari, zv. Ministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, gazetarë të revistës “Illyria”, përfaqësues të Ambasadës Britanike e Zyrës së BE-së si dhe këshilltarë qeveritarë.

Në këtë takim mori pjesë kryetari i KPUK-ut pastor Driton Krasniqi. Në fjalën e tij kryetari Krasniqi fillimisht shprehu mirënjohjen e tij për punën e kongresistit dhe të pranishmëve për Kosovën dhe mirëqenien e shqiptarëve në tërësi. Më pas pastor Krasniqi e njoftoi kongresistin me aktivitetin e kishës protestante ndër shqiptarë që nga Kongresi i Manastirit e këndej duke nënvizuar se protestantët ishin nikoqir të Kongresit në fjalë dhe falë bashkëpunimit, atëbotë me klerikë të komuniteteve tjera fetare, shqiptarët sot kanë alfabet të unifikuar.

Tutje Pastori u ndal tek dialogu ndërfetar i cili ka gëzuar mbështetje nga disa ambasada në Prishtinë. “Dialogu dhe bashkëpunimi me krerëve të bashkësive fetare ka ndikuar në relaksimin e raportet mes njerëzve të të gjitha komuniteteve fetare në vendin tonë”. Megjithëkëtë, komuniteti ynë po përballet me dy sfida të mëdha: mungesa e hapësirës për objekt fetar në Prishtinë e mos lëshimi i lejeve të ndërtimit si dhe mungesa e hapësirës për varreza të komunitetit tonë, konkludoi kryetari pastor Driton Krasniqi.

Në fund të gjithë të pranishmit vizituan monumentin hebre i cili ndodhet në oborrin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më pas kongresisti Engel vazhdoi vizitën e tij. Driton Krasniqi në profilin e tij në facebook e kishte përshkruar takimin me kongresistin Engel si takim të përzemërt.