baneri shqipTakim vëllazëror i Këshillit të KPUK-ut me Komitetin Ekzekutiv të VUSH-it: 11-13 mars 2015 Kuvend historik i kishës protestante ungjillore të Kosovës dhe të Shqipërisë në Durrës.

Këshilli i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) dhe Komiteti Ekzekutiv i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH) zhvilluan takim pune në Tiranë. Në këtë mbledhje që u shoqërua nga një frymë vëllazërore, dy komitetet u dakorduan që më 11-13 mars 2015 të mbahet Kuvendi i përbashkët KPUK-VUSH në Durrës.

Në një ambient të ngrohtë vëllazëror, Këshilli i KPUK-ut u mirëprit nga Komiteti Ekzekutiv i VUSH-it. Pastorë dhe drejtues nga Kosova dhe Shqipëria u mblodhën për t’i diskutuar hapat e nevojshëm për realizimin e Kuvendit të përbashkët të kishës shqiptare në përgjithësi nga të dy anët e kufirit.

Në cilësinë e nikoqirit, të pranishmeve u shprehu mirëseardhje Pastor Ali Kurti, kryetar i VUSH-it.

Drejtuesit nga kisha e Kosovës dhe Shqipërisë njëzëri u pajtuan se ka ardhur koha që kisha shqiptare gjithandej ta thellojë bashkëpunimin. Një hap në këtë drejtim do të jetë edhe Kuvendi i përbashkët Kosovë-Shqipëri, respektivisht KPUK-VUSH.

Kryetari Krasniqi pasi falënderoi nikoqirët për mikpritjen e ngrohtë theksoi se sot po vendosim për mbledhjen e parë të përbashkët të drejtuesve të kishës shqiptare në tërësi, nga Kosova dhe Shqipëria. Ai gjithashtu shprehu se sot duam të nderojmë tërë punën e përbashkët ndërmjet kishave tona lokale në të dy anët e kufirit ndër vite.

Mbi këtë bazë, thjeshtë nevojitej caktimi i datës për një takim të tillë. Datë e pranueshme prej të gjitha palëve u gjet 11-13 mars 2015. Takimi i parë do të zhvillohet në Durrës, Shqipëri.

Të dy Komitetet gjithashtu arritën pajtueshmëri që me Kuvende të tilla të përbashkëta të vazhdohet edhe viteve tjera. Pritet pjesëmarrje e madhe si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova në këtë Kuvend të përbashkët!