vendim-historikSot, me 15 shkurt 2016 ne ora 14:50, Kuvendi Komunal i Prishtinës mori vendim historik për Prishtinën e Kosovën në përgjithësi por për Komunitetin Protestant Ungjillor në veçanti. Me 28 vota për; asnjë kundër dhe një abstenim votoi që në parim t’i ndahet Komunitetit Protestant Ungjillor lokacioni për varreza dhe kishë Protestante Ungjillore në Prishtinë. Kryetari i KPUK-ut e quan vendim parimor në funksion të eliminimit të diskriminimit dhe historik.

Për sot në ora 14:00 ishte thirrur mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Mbledhjes iu përgjigjen asambleistët e grupeve politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD),Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR). Mungonin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

vendim-historik2Në fillim të mbledhjes kryesuesi i KK Prishtinë z. Halim Halimi pas thirrjes së korumit konstatoi se të pranishëm ishin 28 asambleistë sa ishin të nevojshëm për t’i dhënë legjitimitetin kësaj asambleje. Pas kësaj, z. Halimi duke ju drejtuar asambleistëve theksoi se ky Rend Dite që e keni pranuar, i mungojnë edhe 2 pika tjera për të cilat tashmë ishim dakorduar në Komitetin për Politikë dhe Financa të KK Prishtinë. Mes tyre ishte ndarja e lokacionit për varreza dhe kishë protestante në Prishtinë.

Pas kësaj reaguan shefat e grupeve asambleiste të LDK-së z. Sami Hamiti dhe ai i PDK-së z. Lirak Çelaj të cilët kërkuan kthimin e këtyre pikave në Rendin e Ditës, ashtu siç ishin pajtuar fillimisht. Me një votë kundër dhe të gjitha për, propozimi u miratua dhe pika e dytë e rendit të ditës është çështja e varrezave protestante ungjillore dhe kishës.

Çelaj në mbështetje të propozimit theksoi: “Varrezat janë një e drejtë elementare e këtij komuniteti dhe nuk është e mirë kur një komunitet ndjehet i diskriminuar. Në parim jemi dakorduar me të gjithë akterët relevantë që të ndahet parcelë për varreza dhe kishë protestante tek lokacioni afër varrezave ekzistuese, pranë Ambasadës së Re amerikane”.

Edhe z. Sami Hamiti nga LDK-ja duke e dhënë mbështetjen theksoi: “Ka një dakordim për këtë çështje dhe LDK-ja e përkrah”. Edhe shefi i grupit parlamentar të AKR-së u prononcua publikisht në favor të propozimit.

Më pas kryesuesi i mbledhjes e hodhi në votim dhe propozimi kaloi me 28 vota PËR, asnjë votë KUNDËR dhe një ABSTENIM.

Kryetari i KPUK-ut pastor Driton Krasniqi i cili vetë ishte i pranishëm në mbledhje në cilësinë e mysafirit, në një prononcim për mediet theksoi se ky është një vendim në parim është shumë parimor sepse e eliminon diskriminimin ndaj komunitetit tonë. Përveç kësaj ky është një vendim historik për komunitetin tonë dhe Kosovën në përgjithësi.

Ky është një lajm i mirë për të gjithë besimtarët protestantë ungjillorë të Prishtinës të cilët në mungesë të hapësirës për varreza detyroheshin të gjenin vend në varreza të komuniteteve tjera fetare. Tani i mbetet ekzekutimit të Komunës së Prishtinës që të ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për ta zbatuar vendimin e organit ligjvënës të Prishtinës. Shembullin e njëjtë duhet ta ndjekin edhe komunat tjera ku ka besimtarë protestantë ungjillorë.