Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’iu bëjë të lirë!

There are no translations available.

Reagim ndaj dy intervistave të botuara lidhur me çështjet fetare në Kosovë

E përditshmja e pavarur “Epoka e Re”, më datën 4 janar, në faqen 4, ka sjellë vazhdimin e intervistës me akademik Rexhep Qosjen, me titull “Qosja: Propaganda fetare po i fut pyka bashkëjetesës në Kosovë”, dhe vetëm pesë ditë më vonë, më 9 janar, në faqet 4 dhe 5, lexuesit i ofron edhe një intervistë me kryeimamin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) z. Sabri Bajgora, me titull “Bajgora: Nuk lejojmë të prishet imazhi i Kosovës për teket e dikujt”.

Emëruesi i parë që i karakterizon këto dy intervista të dy autoriteteve shumë të ndryshme të jetës publike në Kosovë është se janë marrë aq shumë me propagandën dhe misionarët protestantë saqë kjo padyshim na jep të drejtën dhe nxitjen e reagimit tonë si komunitet fetar në Kosovë. Emëruesi i dytë i këtyre intervistave është se pothuajse kanë të njëjtin mesazh kryesor, hiq tonet veçuese: Qosja alarmon Kosovën veçmas për protestantët, kurse Bajgora i kërcënon ata.

I nderuar z. Qosja!

I gjithë opinioni shqiptar e mirëpret reagimin e juaj dhe është në dijeni për peshën e fjalës suaj publike. Pjesa e përgjigjeve të juaja, që u botuan në “Epoka e Re”, më datën 4 janar, nuk na duket një kritikë reale dhe e baraspeshuar lidhur me një problem që aktualizohet shpeshherë në historinë e popullit shqiptar – siç është çështja e fesë me gjithë rolin dhe ushtrimin e saj në shoqërinë shqiptare. Vërehet çdoherë, historikisht, se kur populli ynë gjendet para dilemave dhe vendimeve të mëdha politike e kombëtare – çështja e fesë del në sipërfaqe dhe shpeshherë ky subjekt sa është keqpërdor prej klerit po aq është keqpërdorur edhe prej politikanëve, dhe është keqkuptuar e besa edhe është sulmuar prej intelektualëve, ashtu siç edhe evidentuat ju.

Sipas jush z. Qosja “për dallim prej propagandës myslimane së cilës sado pak i është rrudhur hapësira, propaganda katolike dhe protestante është nxitur dhe ndihmuar prej shumë anësh e burimesh”. Ky deklarim duket se më së shumti e kënaq dhe i shkon përshtati BIK-ut, dhe ata kurrë deklarim më të mirë nuk do të gjenin që ta plasonin. A është e saktë kjo hipotezë e juaj? Ne asgjë s’mund të flasim për “propagandën” katolike, megjithëse ju këtë lloj propagande nuk e dalloni nga “propaganda” protestante. Fillimisht, për lexuesit, çka është propaganda, jo sipas koncepteve të ideologjisë komuniste, por sipas parimeve të ideve liberale dhe demokratike? Sipas fjalorit “New Websters Dictionary and Thesaurus”, thuhet:“propaganda është shpallja e informacioneve dhe opinioneve për t’i ndikuar njerëzit në favorin e tyre ose për t’i ndikuar ata kundër disa doktrinave dhe ideve”.

Në esencë propaganda nuk është e keqe, por e domosdoshme në shoqëritë e hapura me konkurrencë konceptesh dhe idesh. Propagandën favorizuese në këtë artikull po e quaj si propaganda mbjellëse, kurse propagandën kundër tjetrit po e quaj propaganda shkulëse. Pra edhe BIK-u ka nevojë për propagandë, edhe Kisha Katolike, edhe Kisha Protestante, edhe Kisha Ortodokse dhe çdonjëri entitet fetar ose shoqëror. Është shumë e qartë dhe pajtohemi se nuk duhet të ketë dhe duhet ndaluar me ligj (anti)propaganda mes besimeve fetare kundër njëri-tjetrit, jo vetëm mes shqiptarëve por mundësisht kudo në botë.

Në Kosovë, si është e mundur që 95% e popullatës të jetë e besimit islam, kuptohet sipas BIK-ut, dhe të bëjë një propagandë të njëjtë me ata që përbëjnë më pak se 5% e popullatës, pra katolikët, dhe me ata që nuk janë as 1% e popullatës me besim protestant. Si qenka e mundur që protestantët të kenë më shumë ndihma, mjete, burime e nxitje sesa myslimanët. Kush mund ta besojë këtë teori përveç konsperacionistëve. Profesor i nderuar, në Kosovë, pas luftës pothuajse nuk ka fshat e lokalitet që nuk është ndërtuar një e madje edhe më shumë xhami, dhe numri i tyre mund të arrijë ndoshta deri në 700 xhami. Vetëm në rajonin e Drenicës kur para luftës sigurisht në gjithë 60 fshatrat e saja nuk kanë qenë më shumë se 10 xhami, sot, pas 6 vjetësh të çlirimit të Kosovës, pothuajse nuk gjen më fshat që nuk e ka një xhami.

Profesor i respektuar, a është kjo për ju rrudhje e hapësirave vepruese dhe e fondeve myslimane? Pyetja është kush i ka në të vërtetë mjetet për propagandë? Këto xhami mesa dimë asnjëra prej tyre nuk është ndërtuar me fondet publike. Dimë për tri xhami që janë (ri)ndërtuar nga organizatat krishtere, po të tjerat?! Në anën tjetër del pyetja se sa kisha janë ndërtuar në Kosovë? Z. Bajgora thotë se janë 27 kisha protestante dhe disa të tjera katolike. Nuk dimë për kisha katolike, por dimë se prej vitit 1967, kur edhe ndërtohet kisha e parë protestante në Kosovë, pas uzurpimit të pronave para dhe pas LDB e deri sot janë ndërtuar vetëm 5 objekte të kishave protestante. Krejt tjetër është sesa është numri i kishave protestante që kanë objekte me qira në Kosovë.

Fakt tjetër. I shikoni më mirë website-t islame dhe krishtere në gjuhën shqipe dhe aty sheh se kush bën dhe çfarë lloj propagande bën. Ju dini se kush bën propagandë shkulëse në Kosovë! Kush sulmon madje edhe Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Nënë Terezën etj. Nuk mund të pandeh se të krishterët në këtë çështje janë tërësisht engjëj, por kurrsesi s’mund të krahasohet me shkallën e propagandës islame.

Më shumë se 90% e këtyre faqeve islame të internetit bëjnë një propagandë shkulëse ndaj të krishterëve. Pothuajse të gjitha botimet apologjetike islame në gjuhën shqipe janë të drejtuara kundër të krishterëve, Biblës, Izraelit e Amerikës, dhe natyrisht, siç cekëm, mund të ketë aty-këtu edhe ndonjë botim të krishterë kundër Kuranit. Një propagandë po kaq shkulëse mund ta hasësh edhe tek predikuesit e fesë islame sidomos çdo të premte madje (përmes megafonave), paraqitjeve mediale dhe festave islame duke dhënë vajz kundër të tjerëve që nuk janë myslimanë, kundër atyre që e kanë braktisur islamin, kundër Amerikës, kundër Izraelit dhe Biblës. Këtë lloj propagande kurrë nuk e gjen jo vetëm në kishat krishtere protestante në Kosovë por askund në botë.

Kisha Protestante e Kosovës zotëri Qosja nuk është e përfshirë ose sofistikuar siç shpreheni ju në mobilizimin politik. Këtë ne të gjithë e dimë se e bën Kisha Katolike dhe Bashkësia Islame e Kosovës, nganjëherë ndoshta jashtë vullnetit të tyre. Porse në Kosovë Kisha Katolike nganjëherë sillet si të jetë një pasardhëse e Perandorisë Romake, kurse Kisha Ortodokse Serbe si të jetë pasardhëse e Perandorisë Bizantine, dhe në fund Bashkësia Islame e Kosovës si të jetë trashëgimtare e Perandorisë Arabe dhe Osmane. Kisha Protestante është jashtë këtyre skemave politike e kulturore sepse ajo ka lindur dhe është zhvilluar në rrethana të renesancës dhe reformacionit europian.

Ja fakt tjetër propagandues, qoftë mbjellës ose shkulës. Vëreni vetëm RTK e këtij fillim viti dhe vitin e kaluar kur pothuajse gjysma e programit dyditor gjatë bajrameve mbushet me emisione që i kushtohen festave dhe çështjeve islame. S’kam asgjë kundër! Por, nuk është e njëjta politikë kur janë në pyetje festat e krishtera dhe çështjet e religjionit të krishterë. Si dëshiron që dikush t’i masë këtë gjëra? Edhe neve na thuhet jo vetëm prej klerikëve islamë, por edhe prej drejtuesve të institucioneve publike të Kosovës se Kosova është 95% myslimanë, prandaj edhe kanë më shumë të drejta, hapësirë, liri etj.  Kjo është njësoj sikur të thuash se 95 njerëz kanë të drejta më shumë të jetojnë sesa 5 njerëz. Pra megjithëse janë vetëm 5 njerëz tjerë – ata s’kanë të drejtë të ekzistojnë. Pse nuk thoni troç se ka mentalitet diktatorial islam. Vlerat dhe idealet fetare nuk maten me përqindje. Jeta dhe liria nuk maten me përqindje. Besimi dhe dashuria nuk maten me përqindje. Dhe në fund të kësaj çështje si është e mundur që të krishterët të bëjnë më shumë propagandë “shkulëse” kur ata janë pakicë e skajme, kur ata s’kanë asnjë as edhe një drejtues në qeveri e as në media. Dhe si konkluzion: si është e mundur që më pak se 1% e popullatës protestante në Kosovë të kualifikohen se janë protagonistë të futjes së pykës së bashkëjetesës kosovare? Neve kjo na duket sikur ju po shënjoni se kë duhet marrë në thumb!

Çështja e fundit për ne që ju shtroni është problemi i fundamentalizmit: “shprehjet rrënjët dhe kthimi në identitetin e të parëve, në fenë e të parëve, janë shprehje tipike për fundamentalizmin”. Mirë! Deri tash së paku i gjithë opinioni shqiptar di për fundamentalizmin islam, por ju gjoja përmes mjetit infiltrues të propagandës fetare krishtere qoftë mbjellëse ose qoftë shkulëse shihni se ka edhe fundamentalizëm të krishterë. Vërtet kjo është një shpikje! Vërtet ky është grushtim më të fortë të voglit sesa të madhit. Vërtet kjo është që të sakrifikohet i pafajshmi në mënyrë që të shpengohet fajtori. Moralisht ju si një intelektual i pavarur më habitni shumë se si rezultoni. Ose ndoshta ju frikësoheni të ziheni ballas me myslimanët, pasi ata janë më shumë, pasi ata janë më të fortë, pasi ata mund të jenë ndoshta më të paparashikueshëm sesa të krishterët për ju?! Pse ju pikërisht në mënyrë fundamentale (rrënjëkthim) i argumentoni dhe i shtroni sot idetë e juaja për të gjitha çështjet politike, kulturore, kombëtare dhe historike të popullit shqiptar, kurse kur religjioni i shqiptarëve nëse argumentohet dhe shtrohet kështu sot si kthimi në identitetin kombëtar për ju paraqet fundamentalizëm?!

Nëse paska fundamentalizëm të krishterë që konsiston në kthimin e etërve, kjo nuk paraqet kurrfarë fundamentalizmi e as rreziku pasi secila kishë ka të drejtë të thërras njerëzit që të besojnë Krishtin pavarësisht se çfarë besimi kanë ata aktualisht, dhe kjo e drejtë është po e njëjtë edhe për BIK-un që t’u propagandojë të gjithë jomyslimanëve të bëhen myslimanë. Aktualisht sot në botë fundamentalizmi islam kuptohet si nënshtrim i të gjithë atyre që janë jo myslimanë, dhe në rast të kundërt edhe vrasjen e tyre. Edhe nëse ka fundamentalizëm të krishterë në Kosovë ai nuk kërkon askënd as që ta nënshtrojë e lëre më dimensione të tjera ekstreme.

Sa për dijeninë tuaj Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në maj të vitit të kaluar Ligjin për të Liritë dhe të Drejtat Fetare, mirëpo ishte pikërisht ndikimi i BIK-ut që ai ligj nuk ka hyrë në fuqi, dhe tash ky ligj po bëhet sërish nga e para nga ekspertë austriakë i bazuar në ligjet sllave të Ballkanit.

I nderuar z. Bajgora!

Gjëja e parë që dëshirojmë t’iu themi është se kemi vërejtur në paraqitjet e juaja publike një mospërputhje kur gjendeni para ekranit dhe kur gjendeni në mjetet e shkruara. Kur jeni para kamerave qëndrimet e juaja janë shumë racionale dhe liberale dhe kështu krijohet mendimi se ju përfaqësoni një zë vërtet të arsyeshëm tek kleri islam në Kosovë, por ku njeriu lexon intervistat e juaja atëherë qëndrimet janë shumë radikale. Madje edhe në këtë intervistë që i keni dhënë kësaj gazete hetohet kjo frymë kontradiktore. Një herë thoni se çdonjëri është i lirë të besojë çka të dojë, dhe se në fe nuk ka dhunë, por ju jeni kundër dhe nuk lejoni kthimin e myslimanëve në të krishterë, e as nuk lejoni që të krishterët t’i kenë kishat e tyre. Në pyetje është parimi jo akti. Nëse çdonjëri ka të drejtë të besojë çka të dojë, atëherë edhe ai duhet të mos pengohet në këtë zgjedhje, qoftë kur një laik bëhet i krishterë ose mysliman, qoftë kur një mysliman bëhet i krishterë ose kur një i krishterë bëhet mysliman. Të shkojmë radhazi!

Gjysma e intervistës suaj në dy faqe të plota të gazetës ka të bëjë me veprimtarinë e Kishës Protestante të Kosovës. Fillimisht ju i nderuar kryeimam shprehni se “ekzistojnë grupe protestante në Kosovë të cilat i joshin rininë në konvertimin…”. Kur thoni “grupe protestante” kjo është thënë me sherr. Iu garantojmë juve dhe gjithë opinion e gjerë se Kisha Protestante e Kosovës ka organizim, ka strukturë, ka Kuvend, ka liderë, ka kisha dhe çdonjëri është i përfshirë nën këtë organizim dhe askush nuk funksionon jashtë këtij rrethi, prandaj asgjë nuk ka jashtë kontrolle. Problemi është evident në anën e juaj me grupet islamiste në Kosovë që veprojnë jashtë BIK-ut, për të cilën kemi dëgjuar edhe më herët të prononcohen edhe zyrtarët më të lartë prej jush. Pastaj pak më poshtë thoni: “Me qindra mijëra misionarë kanë vërshuar Kosovën dhe ata nuk prajnë së vepruari që ta konvertojnë rininë tonë në fenë protestante apo katolike”.

I nderuar Sabri, lajthitja e juaj është kozmike për sa i përket këtij fakti, pasi “me qindra mijëra misionarë” mund të jenë prej 200.000 e deri në 999.000 misionarë. Pra ju po thoni se kjo është shifra e mundshme se sa misionarë protestantë, ose edhe katolikë, mund të jenë të pranishëm në Kosovë!? Kështu është shumë dëmshëm që ta lajthitni opinionin. Ju thoni se e keni ngritur zërin tek institucionet e vendit për këtë çështje dhe duket se edhe ata ju kanë besuar. Në Kosovë saktësisht dihet se sa misionarë protestantë ka dhe ajo mund të bëhet publike nëse kërkohet prej autoriteteve.

Tjetër, deklarata vijuese se “përndryshe ne nuk do të jemi përgjegjës për pasojat që mund të  ndodhin gjatë këtyre përpjekjeve të këtyre misionarëve”. Ky është një paralajmërim ogurzi që ndoshta vetëm ju e dini. Kush do të vrasë ose çka do të ndodhë mbetet çështja që duhet të mendojnë misionarët protestantë sipas jush. Mirëpo sipas teorisë së zbulimit nëse u ndodh diçka këtyre misionarëve duket se ju do të jepni llogari pasi jeni në dijeni lidhur me shkaqet dhe pasojat. Kur jemi këtu na duhet të themi hapur, për të gjithë, se intoleranca fetare sot në Kosovë vjen më shumë prej klerikëve e misionarëve sesa prej popullatës.

Kishat protestante kurrë nuk kanë shpërndarë Bibla nëpër shkollat e Kosovës, dhe kurrë s’ka bërë asnjë lloj aktiviteti me agresivitet siç thoni, pasi kjo është në kundërshtim të plotë me mësimet e Krishtit, që të shërbehet me dashuri dhe me bindje. Pandehni sikur protestantët aplikojnë dhunë në fe. Kjo është absurde, pasi është krejtësisht në kundërshtim me thirrjen e krishterë, kur vetë Krishti na urdhëron që të shtrijmë paqen dhe jo dhunën, mëshirën dhe jo arrogancën, shpëtimin dhe jo skllavërimin, çlirimin dhe jo robërinë, devotshmërinë dhe profaninë etj. Andaj propaganda fetare tek fëmijët po ashtu sipas etikës protestante është e ndaluar, madje edhe pse fëmijët mund t’i kenë prindërit e krishterë protestantë – si anëtarë kisha i numëron ata vetëm kur vendosin vetë në moshën e pjekur, dhe kjo praktikë është unike dhe vlerë që nuk gjendet as tek katolikët e as tek myslimanët.

Tjetër, thoni se jeni të bindur se “shqiptarët janë myslimanë me shekuj”. Çka do të thotë kjo? Ndoshta keni në mendje të thoni se ka shqiptarë myslimanë me shekuj, pasi shqiptarët kanë disa besime të ndryshme.

Kur paralajmëroni për “përçarjet fetare mes shqiptarëve” kjo kryekëput varet prej jush si klerikë të lartë islam, dhe jo prej nesh. Problemi qëndron se juve më nuk iu leverdis që një mysliman të bëhet i krishterë pasi paraqitni shumicën në Kosovë, por sikur të ishit pakicë, kështu nuk do të kishit deklaruar. Me një fjalë ju po thoni se jemi të kënaqur me 3-4% katolikë në Kosovë, të cilët janë të heshtur, të “vdekur” në mision, por kurrsesi me protestantët që po rriten në dëmin tonë. Ne po jetojmë në një Kosovë të lirë, demokratike dhe laike, kështu që për të gjithë ka vend. Pra Kosova e as shqiptarët nuk përbëjnë një shoqëri as islame e as krishtere, por është një shoqëri kombëtare dhe sekulare. Historikisht shumica e shqiptarëve në Kosovë dinë se para 50 e më shumë vitesh kanë qenë të krishterë dhe se kjo vetëdije është ende e ngulitur edhe sot aktivisht në shumë vendbanime të Kosovës, prandaj kjo është baza kryesore pse nuk ka pasur e as nuk do të ketë përçarje fetare, përderisa shumica islame mos ta synojë këtë. Edhe sot në Kosovë ka familje historikisht që kanë dy besime të ndryshme. Prandaj këtu  e shoh krishterimin shqiptar korelativ po aq e shoh edhe islamin shqiptar për të cilin ju edhe e përmendni. Zotëri Bajgora, sipas nesh, sot, problemi është se islami shqiptar në 12 vjet e fundit ka filluar të prishet e të shkatërrohet vazhdimisht, e sidomos pas luftës, dhe kjo përbën atë boshtin i cili ka potencial të sjellë përçarje në Kosovë, ta shlyejë islamin shqiptar dhe të organizojë një shoqëri islame shqiptare ose kosovare sipas një modeli të huaj, dhe këtë duhet ta ketë të qartë edhe z. Qosja.

Shprehni se “e kemi islamin shqiptar dhe këtë do ta ruajmë me atë agresivitet më të madh nëse ka nevojë”. Jam i lumtur për islamin shqiptar sinqerisht, por që të ruhet ai me agresivitetin më të madh, duket se është një deklaratë e pamatur. Pse? Sepse nëse Zoti është pas një gjëje, njeriu s’ka pse ta mbrojë e të luftojë me agresivitetin e tij më të madh.

Çështja e thyerjes së varrezave s’ka koment vërtet se kush i ka bërë, sepse Serbia nuk e ka ditur që njëri nga shkrimtarët për fëmijë, që vdiq para disa kohe, e i cili ishte kthyer në besimin katolik, t’i thyhej varri sipas porosisë tyre.

Tjetër, ka konvertim islam si nuk ka, kur vetë pohoni në këtë intervistë se pas luftës ka kthim të madh të të rinjve në besimin islam dhe vijim në xhami. Konvertimi është kthim. Edhe pse nuk e përdor këtë nocion, misionarët islam në 10 vjetët e fundit kudo në hapësirat shqiptare dhe kudo që jetojnë shqiptarët në botë janë marrë me riindoktrinimin e tyre, dhe për mua kjo nuk paraqet asnjë të keqe në kuptimin e shpjegimit dhe të praktikimit të islamit, por kjo duhet të jetë e barabartë nëse edhe një shqiptar synon që t’i shpjegohet dhe ta praktikojë krishterimin, qoftë si përcaktim, qoftë si alternativë.

Tjetër, çështja e përcaktimit me perëndimin apo lindjen? Çdo popull është i mirë! Çdo kulturë është e mirë, por politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht shqiptarët janë përcaktuar për perëndimin dhe këtë s’mund ta ndryshojë as një komunitet fetar në Kosovë.

Edhe një herë lidhur me konvertimin dhe dhunën në fe. Nëse BIK-u nuk e ka në program që t’iu shpallë islamin të krishterëve në Kosovë është përcaktim i juaj, por çështja është se nëse një mysliman vendos të bëhet i krishterë – a ka të drejtë sipas jush ta bëjë këtë, dhe a është i lirë ai të jetojë normalisht prej myslimanëve të tjerë në Kosovë dhe kudo tjetër në botë. Pra çka mëson Kurani për këtë gjë? Për të krishterët dihet se çdonjëri është i lirë ta ndërrojë besimin dhe askush nuk e pengon, por kjo nuk shihet në shtetet arabe, atëherë ku mbetet dhe si kuptohet ajeti kuranor se në fe s’ka dhunë?!

Ndërlidhur me numrin e kishave protestante të ndërtuara në Kosovë u përgjigja më herët. Por te ky problem ju ngrini vijën se besimtarët e krishterë protestantë kur ndërtojnë kisha në mesin e popullatës islame në Kosovë paraqesin provokim dhe përçarje. Kjo flet se ata s’kanë të drejtë të kenë objektet e tyre, ose të mos ekzistojnë, ose duhet pritur deri tek një kthim masovik. Ligji garanton të drejtën e mbledhjes dhe të pronës për secilin qytetar për sa i përket besimit.

Në Europë dhe SHBA ka me mijëra xhami që janë ndërtuar në mesin e popullatës krishtere, por aty pavarësisht se a është një grup i madh ose i vogël, që jeton në fqinjësi ose në largësi, ata e kanë të drejtën nga shteti për t’iu garantuar mbledhjen, pronën dhe lirinë e shprehjes së besimit.

Fakt tjetër, se në fe s’ka dhunë. Nga mediat kemi lexuar se vetë myftiu i Kosovës ka shkuar për të penguar punët në ndërtimin e kishës katolike në Kuçishtë! Nëse ishte dezinformatë kërkojmë falje. A nuk është kjo ndërhyrje dhe shkelje e ligjit? A nuk është ky akt i dhunshëm? A nuk është ky akt intolerant? A nuk është ky akt se dikush synon të bëhet vetë ligj në Kosovë?! Ju përmendni edhe kishën në Kravasari. Ky është rasti më tipik kur banorët e atjeshëm edhe pse publikisht ndoshta thonë se janë myslimanë ata në shtëpitë e tyre e praktikojnë fenë katolike. Këtë e kanë bërë prej frikës dhe anatemimit sistematik prej kohës otomane e deri tash, dhe ata tani janë bindur  se është krijuar më shumë liri që ta shprehin identitetin e tyre të vërtetë. Por edhe atje ka ndodhë që kleri islam të shkojë publikisht dhe ka penguar ndërtimin. I njëjti kler islam disa herë pengon shërbesat protestante, dhe disa herë ka ndërhyrë madje edhe në varrimin e pjesëtarëve protestantë. Çështjen e imponimit që me gojën plot e keni për të tjerët sikur e harroni se çfarë po ndodh në anën tuaj.

Përfundimisht si mund të kërkoni më shumë për bashkësinë e juaj fetare edhe më shumë hapësira, xhami dhe qendra islame, kuptohet për nevojat e besimtarëve siç thoni ju, kurse në anën tjetër të jeni aq kundër nevojave për hapësira dhe kisha për të krishterët. Kush po sjell këtu imponim? Kush po luan këtu me faktet? Kush po lufton këtu dikush në mënyrë jo parimore. Si mund të thotë myftiu i juaj se prej se Prishtina i ka pasur 18.000 banorë e deri sot nuk është ndërtuar më asnjë xhami? Ne i kemi parë së paku xhami të ndërtuara këto pesë vjetët e fundit në çdo lagje të qytetit tonë! Nevoja për ndërtimin e një qendre të madhe islame në Prishtinë ka dalë më shumë si ide për t’iu kundërvënë idesë së ndërtimit të katedrales katolike. Praktikisht ideja e ndërtimit të kësaj katedrale, e mbarsur nga politika, do të tregojë koha se është veprimi më i dëmshëm për qytetin e Prishtinës, pasi si reaksion do të ndërtohen ndoshta me qindra xhami e qendra islame në këtë qytet dhe përreth tij. Realisht, si shembull, besimtarët myslimanë të Prishtinës, normal se e meritojnë që të falen me më shumë dinjitet, dhe në kushte më të mira, në xhami dhe jo në rrugë, por kuti nuk mund të jetë sesa njerëz mbeten jashtë xhamive gjatë festave të Bajramit, sepse nëse gjykohet kështu atëherë edhe të krishterët mund të kërkojnë një qendër të madhe ku do të kenë vend për të gjithë njerëzit që vijnë për shërbesën e festës së Krishtlindjes ose të Pashkës.

Nuk na  pëlqeu ajo lista e veprimtarëve kombëtarë që kanë qenë hoxhallarë, pasi është e panevojshme, sepse këso lloj liste s’ka nevojë të bëjnë as të krishterët lidhur me veprimtarët kombëtarë që ishin priftërinj. Duhet të shikojmë si komb unifikimin jo dallimet dhe epërsitë e këtij religjioni ose të atij religjioni. Për ruajtjen e unifikimit të kombit dhe të Kosovës do të ketë mjaft shqiptarë, normalisht që s’lidhen as me kishë e as me xhami, që të kujdesen, pa pasur nevojë që Bashkësia Islame e Kosovës ta pretendojë këtë rol. Fetë janë sipas dëshirës dhe zgjedhjes, kurse bashkimi kombëtar dhe bashkimi i vendit është për shkak të jetës dhe të konkurrencës mbarëshoqërore.

Çështjet e ligjit dhe e rregullimit të praktikimit të feve në Kosovë është çështje e institucioneve qeverisëse të Kosovës, dhe jo e individëve ose e bashkësive fetare.

Po e përmbyllim këtë reagim me një fjali të Krishtit: Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’iu bëjë të lirë!

Mr. Femi Cakolli, pastor

(Artikulli në fjalë ishte botuar në të përditshmet kosovare. Pikëpamjet e paraqitura janë personale).