FullSizeRender

Më 11-13 mars 2015 në Durrës u mbajt Kuvendi i Përbashkët i bashkësive fetare protestante ungjillore nga Kosova e Shqipëria, respektivisht Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) dhe simotrës Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH). Rreth 200 delegatë sa morën pjesë në këtë Kuvend hodhën themele të mira për bashkëpunim më të thellë në të ardhmen.

Asnjëherë mos i përçmoni fillimet e vogla, kumton Fjalën e Zotit nga Libri i Zakarias, folësi kryesor i këtij Kuvendi studiuesi i letërsisë shqipe dhe protestante Dr. John Quanrud në sesionin e parë plenar. Pastor Quanrud për tri ditë të Kuvendit mbuloi zhvillimet historike nga kisha e shekullit XVIII gjer më sot. “Sikur etërit e kishës së Rilindjes Kombëtare do ta vizualizonin se një ditë kaq shumë pastor shqiptarë do mblidhen bashkë, do të qanin me lot për faqe nga gëzimi”.

Punimet e Kuvendit u hapën nga homologët kryetarët e VUSH-it dhe KPUK-ut pastorët Ali Kurti dhe Driton Krasniqi. Pastor Kurti në fjalën e tij përshëndetëse pasi u dëshiroi mirëseardhje vëllezërve dhe motrave nga Kosova, theksoi nevojën e kamotshme për një Kuvend si ky. Ndërsa pastori nga KPUK-ut pasi bërë një ekspoze të institucionit të KPUK-ut si zëri protestant ungjillor në Kosovë, vuri në spikamë nevojën që Ungjilli të jehojë në çdo cep ku flitet shqip. “Kisha Protestante Shqiptare në kohën e Rilindjes Kombëtare ishte vënë në ballë të proceseve historike duke e ndriçuar rrugëtimin me botimin e Biblës në shqip; duke ndërtuar platformë të bashkimit kombëtar dhe duke lobuar për Kosovën dhe Shqipërinë me mjete diplomatike nëpër kancelaritë perëndimore” konkludoi Kryetari Krasniqi.

IMG_3652Dita e parë ishte rezervuar edhe për prezantimin e raporteve vjetore nga dy Kryetarët e sipërpërmendur. Kryetari Kurti raportin e tij e përmblodhi në 2 shtylla kryesore: bashkëpunimi dhe nevoja për rritje të bashkëpunimit të VUSH-it me Qeverinë Shqiptare dhe rritja e bashkëpunimit me KPUK-un. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i VUSH-it pastor Akil Pano bëri një paraqitje të aktiviteteve të shumta të VUSH-it në funksion të unifikimit të trupit ungjillor në Shqipëri. Ndërsa Kryetari Krasniqi prezantimin e tij e filloi me pyetjen QUO VADIS KOSOVA? Gjatë Pashkës dhe Krishtlindjes së fundit objektet tona për herë të parë në historinë e Kosovës moderne mbrohen nga forca të shtuara policore. Në raportin e tij u veçuan aktivitetet trajnuese që KPUK-u ka organizuar për kishën kosovare dhe bashkëpunimi me bashkësitë tjera fetare e Qeverinë e Kosovës. Në këtë rrafshin e fundit ka mjaft për t’u dëshiruar përmbylli raportin e tij Pastor Krasniqi.

Dita e dytë kishte një agjendë më të ngarkuar për të pranishmit. Por tri janë aktivitetet që vlejnë të theksohen me këtë rast: fjala përshëndetëse nga kryetari i komisionit të kulteve të Shqipërisë z. Ilir Hoxholli; sesioni plenar i prezantimeve të punës ungjillore nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Zvicra, SHBA dhe Kanadaja; takimet e punës.

IMG_3679Kuvendi u ndje i respektuar nga vizita e z. Ilir Hoxholli, në emër të Qeverisë së Shqipërisë. Ai mbase u ndje në siklet nga pyetja e një pastori shqiptar rreth mos ftesës nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të drejtuar nga Edi Rama për përfaqësuesit Ungjillor në marshin e paqes në Paris. Z. Hoxholli siguroi Kuvendin se ky problem është adresuar në instancat më të larta të shtetit.

Sesioni plenar i prezantimeve u drejtua nga protagonistë të punës nëpër vende të ndryshme ku banojnë shqiptarët. Pastor Femi Cakolli veçoi punën në rritje në Kosovë dhe organizimin institucional protestant. Drejtues nga vendet tjera u përqendruan kryesisht tek fillesat e punës në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Sipas rendit të ditës, në takimet e punës u bënë një sërë aprovimesh si: raportet buxhetore, projekt buxheti i ri, anëtarësimet e reja, etj.

Dita u mbyll me adhurim dhe shërbesën e Darkës së Zotit që u shërbye nga dy pastor misionarë: pastor Tomorr Ajeti, i lindur në Kosovë dhe që drejton një kishë në Tiranë dhe pastor Eugen Begu i cili vjen nga Tirana për të drejtuar një kishë në Gjilan. Në fund fare, për të pranishmit u organizua pritje dhe koktej rasti.

IMG_3683Në ditën e tretë të pranishmëve ju drejtua sërish pastor Quanrud me fjalë frymëzimi nga Bibla për t’u paraprirë nga grupi i adhurimit i Bashkësisë së Popullit të Zotit nga Prishtina. Mbylljen e Kuvendit të Përbashkët i bën ata të cilët bënë edhe hapjen e tij: Pastorët Ali Kurti dhe Driton Krasniqi. Bashkërisht u vlerësua si një Kuvend i suksesshëm dhe i mirë. Vlerësime pozitive dhanë edhe shumë të pranishëm të tjerë. Pastor Jeton Sokoli nga Gjakova u shpreh: “Ne akoma nuk e dinë sa historik ka qenë ky Kuvend”.