Përgjigjie ndaj shkrimit të z. Avni Aliut me titull “Prapë po ju them: Lexojeni më mirë Biblën!
I nderuar z. Avni Aliu

Kësaj radhe do t’ia filloj prej titullimit të artikullit tuaj “Prapë po ju them: Lexojeni më mirë Biblën”. Hiç s’e mbaj mend kur më ke thënë edhe më herët – kur më drejtoheni  arbitrarisht dhe me një tingëllim autoritar – “prapë po ju them”. E pse të më thoni “prapë po ju them – lexojeni më mirë Biblën”! Unë s’jam vetëm një lexues i Biblës, por Bibla për mua është si dokumenti im, Fjala e Zotit tim, që jo vetëm se e lexoj, por edhe e besoj, e zbatoj, e dua, e pëlqej, e adhuroj, e nderoj, e dashuroj, e predikoj, e meditoj, kënaqem, është bukë e ujë për mua, dritë, gëzim, prehje, pasion, dituri, shkathtësi, mrekulli, zbulesë etj. Jam pastor kishe dhe Biblën s’e lexoj as më mirë, e as më keq, por mund të marrë këshillën tënde që ta lexoj edhe më shpesh, edhe më shumë.

Zotëri Avni, kurrsesi nuk kuptohet nga shkrimi yt se ti vërtet më ke shprehur ngushëllime të sinqerta për haxhilerët e mbytur, por të kam thënë se ke bërë një sarkazmë, por Zoti është dëshmitari i zemrës tuaj, dhe në rast se e keni bërë vërtet me sinqeritet, atëherë është në rregull, është njerëzore dhe falënderit, pa pasur nevojë që ju të më ofendoni për njerëzit e vdekur.

Lidhur me polemikën! Ju thoni se “polemika i ka kriteret e saja…, dhe se është një paraqitje faktesh të kundërta”. Jo, s’është hiç kjo polemika, bash hiç! Polemika është debat me përgjigje dhe kundërpërgjigje kur ndeshen pikëpamje të kundërta, dhe jo paraqitje faktesh të kundërta, sepse kjo do të ishte sikur një shkencëtar për argumentuar ndonjë provë t’i sjellë tezën dhe antitezën për vërtetim, gjë që nuk haset pra në polemikë. Qartë! Por në fakt ju në shkrimin tuaj z. Avni polemikën e manifestoni edhe më poshtë se sa pretendoni në përkufizimin tuaj duke sjellë më tepër koncepte të ngatërruara, nocione biblike që s’i merr vesh vetë, dhe rrëshqitje e lehtë kah ofendimet, shumëfjalëshmëria dhe përrallimi. Fatkeqësisht nuk je i vetëm me këtë paraqitje, sepse kam përshtypjen se tek ne polemika më shumë kuptohet si një mundësi mediale për ta bërë tjetrin hor, rezil, duke shpifur, megjithëse s’po them si ti je i pakulturuar etj.

Kur ju merreni me një çështje kaq signifikative siç është Bibla, si shkrim, e para është se juve iu duhet një përgatitje shumë më e mirë ngaqë po ofroni. Konstatoj se ju kurrë nuk e keni lexuar Biblën, dhe është e mundshme që as nuk e keni në shtëpi, pasi kjo evidencë nuk vërtetohet në shkrimet e juaja. Ju merrni shkoqiturazi dromca të kësaj çështjeje nga interneti, nga literatura islame dhe pseodokrishtere, huazoni përfundimet e Ahmet Didatit etj.

Bibla dhe Ungjilli janë një o mik, dhe nuk ndahen, prandaj qysh ti po sheh se kam shënuar një hap poshtë. Lajmi apo mesazhi kryesor i Biblës quhet ungjill, që d.m.th. lajmi i mirë. Diku kah fundi i artikullit tekstualisht thoni: “nga katër autorët e Ungjijve vetëm dy u frymëzuan nga Zoti që të tregojnë gjenealogjinë e tij (të Jezusit – shënimi im) dhe atë me kontradikta e kundërthënie të qarta”. Një lloj formulimi tejet konfuz. E para, fjala kontradiktë dhe kundërthënie janë njësoj, dhe jo me dy kuptime, pra shqip është e mjaftueshme të thuhet “kundërthënie”; e dyta, të thuash “kundërthënie të qarta”, është njëjtë sikur të thuash “të këqija të mira”, kurse mund të thoshit “kundërthënie të hapura”; e treta e gjithë thënies është se lexuesin nuk e njofton se për çfarëlloj gjenealogjie bëni fjalë; e katërta – dy autorët ungjilltarë qenkanë të frymëzuar, jo plotësisht, por dy prej tyre jo pasi ata nuk kanë shkruar gjenealogji të Krishtit. Çfarë argumentimi polemizues paraqet kjo? Ungjilltari Mate dhe Luka sjellin gjenealogji jo kundërthënëse, sepse si ndodhë atëherë që redaktorët që i përmend nuk do të përjashtonin edhe këtë kundërthënie saqë do ta gjeja ti edhe pas 2000 vjetëve. A po tingëllon kjo si një shaka? Dallimet mes gjenealogjisë që na e prezanton apostulli Mate është se ai Jezusin e paraqet në vijën mbretërore të ardhjes së Jezusit sipas vijës së Davidit dhe Solomonit, dhe përfundimisht gjenealogjia e tij Jezusin e paraqet sipas prejardhjes së gjakut, kurse dishepulli Luka Jezusin e prezanton në vijën priftërore, dhe përfundimisht Jezusin e paraqet sipas prejardhjes së qumështit, pra të Marisë, duke filluar me Davidin dhe Natanin. Pra Solomoni, mbret, dhe Natani prift, ishin vëllezër, bij të Davidit që ishte edhe mbret edhe profet. Troç: prej Solominit vjen Jozefi, njerku i Jezusit, që në fakt nga ana e mentalitetit dhe e ligjshmërisë hebreje ishte babai, dhe nga Natani vjen Maria, që ishte nëna e Jezusit. E çfarë kundërthënie ka këtu? Qartë!

Thua se Bibla pasi ka përplot kundërthënie – andaj ajo s’mund të jetë Fjala e Zotit. Çfarë fakti është ky kur nuk ofron asnjë kundërthënie. Dëshmitarët e Jehovës, një okult krishtere e shfaqur shekullin e kaluar në Amerikë janë të parët që kanë thënë se Bibla ka 5000 kundërthënie, dhe këtë ide e ka marrë bash si kallëp teologu islam Ahmet Didati, pastaj një studiues tjetër islam i quajtur Shabir Aliu i cili i ka reduktuar këto kundërthënie prej 5000 në 101 dhe kështu shkroi librin me titull “101 Mospërputhjet e Biblës”. Dëgjoje tani këtë: nëse Bibla do të ishte ndryshuar nga njerëzit, atëherë si kanë gabuar ata redaktorë e tu të Shkrimit të shenjtë në atë mënyrë sa edhe pas 3500 vjet të librave të para të Biblës, analitikët myslimanë apo edhe pseodokrishterët, madje edhe ti siç po presupozon, të të mund t’i gjenin madje deri edhe në 101 gabime të Biblës, siç deklarojnë ata shpeshherë. Sipas autorëve J. Smith, A. Chowdhry, T. Jepson dhe J. Schaeffer, që i janë përgjigjur librit të Shabirit del se janë 15 kategori keqkuptimesh të teologëve islamë që i bëjnë ndaj Biblës dhe krishterimit, ndër të cilat janë: keqkuptimi i tekstit,  keqpërdorimi i hebraishtes, keqkuptimi i qëllimit të autorit, keqkuptimi i mënyrës se si Perëndia punon në histori, keqkuptimi i citimit të Biblës, interpretimi i fjalëpërfjalshëm, ngatërrimi i një ngjarje me tjetrën etj. Këta autorë vërejnë se në Bibël gjenden 9 emra të gabuar si pasojë e kopjuesve masoretikë gjatë historisë, dhe këto gjenden sidomos tek 1, 2 Mbretërve dhe 1, 2 Kronikave, e që janë libra me ngjarje identike kryesisht, mirëpo kurrgjë nuk sjellin në dilemë natyrën e Perëndisë, të Jezusit, të doktrinës së krishterë etj. Pra ma thuaj ti mua kundërthënien e Biblës dhe do të përgjigjem pastaj.

Ideja e ndryshimit apo e korrigjimit të Biblës është shumë e re, diku kah gjysma e shekullit XIX pas Krishtit, pra para 150 vjetëve të themi, dhe kurrë s’mund të gjesh ndonjë autor islam duke thënë se Bibla është ndryshuar para kësaj kohe, pra ti po e sheh se kjo teori është shumë e re. Komentatorët e hershëm myslimanë si Bukhari, Al-Razi pajtoheshin se Bibla nuk mund të ndryshohej. Kurani ka obliguar që të lexohen dhe të besohen të gjitha Shkrimet e shenjta (Tevrati-Tora, ose Pesë librat e Mojsiut, Zeburi-Psalmet dhe shkrimet tjera të Davidit dhe Ingjilli-Ungjilli, ose Dhiata e Re), kurse në anën tjetër teologët myslimanë thonë jo s’duhet besuar Biblën sepse ajo është ndryshuar para se të vinte Kurani. Mirë, nëse është ndryshuar para se të vinte Kurani atëherë si kishte mundësi që vetë Kurani t’i obligonte myslimanët që t’i besojnë Shkrimet e mëhershme?!

Ja një listë ajetesh që dëshmojnë se Bibla nuk është ndryshuar para ardhjes se Kuranit: sura 5:43 ‘Si kanë ardhur te ju për gjykim kur ata e kanë Torën, ku aty përfshihen urdhërimet e Perëndisë?’, sura 5:44 ‘Ne (Perëndia) e zbuluam Torën, ku është udhërëfyes dhe dritë ….’, sura 5:46 ‘Ne e dërguam Jezusin….duke konfirmuar se çka ishte zbuluar para tij në Torë, dhe Ne ia dhamë atij ungjillin ku është udhërrëfyes dhe dritë….’, sura 5:68 ‘(Judejt dhe të krishterët) nuk kanë udhëheqës përderisa ju i dhatë Torën dhe Ingjillin [Ungjillin]’; sura 4:136 ‘Besimi në Perëndinë dhe lajmëtarin e Tij [Muhamedin], dhe Shkrimin të cilin Ai ia zbuloi lajmëtarit të Tij [Kuranin] dhe Shkrimin që Ai e kishte zbuluar dikur [Biblën]’; sura 10:91 ‘Nëse ju [Muhamed] jeni të dyshimtë në lidhje me atë se çka u është zbuluar juve, atëherë pyetini ata të cilët e lexojnë Shkrimin (që ishte) para jush’; sura 15:9 ‘Ne i kemi zbuluar Kujtesën dhe Kujdesin! Ne me të vërtetë jemi Rojet e tij [p.sh. Bibla është e ruajtur prej kurruptimit nga Perëndia]’; sura 6:34 ‘Nuk ka asnjë që t’i ndryshojë Fjalët e Allahut’; sura 10:64 ‘Nuk ka ndryshime në Fjalët e Allahut.’

Nëse Bibla është ndryshuar, a ishte kjo para apo pas Muhamedit? Nëse përpara, pse Perëndia i thotë Muhamedit t’i drejtohet Shkrimit të ndryshuar për udhëheqje, dhe pse ai thotë për Torën dhe Ungjillin ‘është udhëheqëse dhe dritë’ apo më saktë ‘ajo duhet të ketë qenë para se të ishte ndryshuar’? Nëse pas, pse muslimanët nuk e pranojnë Biblën, pasi që përkthimet e tashme janë të bazuara mbi dorëshkrimet që Muhamedi i shfrytëzoi?

Nëse ishte ndryshuar, a ishte nga judenjt apo të krishterët? Që nga ajo kohë asnjëri nuk flisnin me njëri – tjetrin (sura 2:113 ‘Judejt thonin për të krishterët se nuk ndjekin asgjë (të vërtetë) dhe të krishterët thonin për Judenjt se nuk ndjekin asgjë (të vërtetë), edhe pse që të dy janë lexues të Shkrimit’, gjithashtu shih surën 5:28), si kanë mundur të pajtohen për ndryshimin e secilës Bibël në mënyrë identike? Pse nuk kishte asnjë raport për këto ndodhi, dhe pse askush nuk është munduar që ta ndalojë apo të fsheh origjinalin e Biblës? Librat e Dhiatës së Re janë shpërndarë gjërësisht sapo janë shkruar – ‘Dorëshkrimet në Papirus të Jezusit’ te Mateu 26, të gjetura në Kolegjin Magdalena dhe së fundi të datuara në vitin 68 pas Krishtit të gjetura në Egjipt. Me sa duket Mateu ishte ende i gjallë kur këto ishin shkruar – kështu që pse ai nuk u mundua që t’i korigjojë ato nëse kanë qenë të ngatërruara? Pse të krishterët nuk i kanë larguar ndodhitë poshtëruese sikurse mohimi i Krishtit nga Pjetri (Mateu 26:69-75) ose grindjen e Palit dhe Barnabës (Veprat 15:39)?

Çfarë është dëshmia e Biblës pë vetveten? ‘I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia ….’ (2Tim. 3:16); Pjetri i sqaron shkrimet e Palit si Shkrime prej se disa njerëz keqdashës e shtrembëruan mësimin e tij ‘siç bënë edhe me shkrimin tjetër’ (2Pjetrit 3:16). ‘Ligji u është dhënë nëpërmes Mojsiut’ (Gjoni 1:17) dhe Jezusi tha ‘Shkrimi nuk mund të thyhet’ (Gjoni 10:35). Fjalët e tij janë ‘frymë dhe jetë’ (Gjoni 6:63) dhe Ai i ka fjalët e jetës së përjetshme (Gjoni 6:68). Si mundet dikush që t’i shtojë apo ta heq ndonjë pjesë të Shkrimit kur ballafaqohet me paralajmërimin te Zbulesa 22:18-19 ‘Nëse dikush i shton diçka atij, Perëndia do t’ia shtojë plagët që përshkruhen në këtë libër. Dhe nëse dikush heq ndonjë fjalë nga ky libër profetik Perëndia do t’i heq pjesën e tij nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë ….’

Prandaj po them është shumë me rëndësi të dihet se kur islamologët mendojnë se është ndryshuar Bibla, megjithëse hapur po shihet bazuar në të dhënat kuranore se Bibla na qenka ndryshuar pas Kuranit, pas vdekjes së Muhamedit! Në fakt Bibla nuk ka ndryshuar kurrë. Aristoteli ka vlerësuar se dobia e dyshimit duhet të shkojë gjithmonë në favor të dokumentit. Sot ekzistojnë më se 5300 dorëshkrime të ndryshme të Biblës, dhe 24.000 kopje të pjesëve të Dhiatës së Re, që datojnë prej shek. X para Krishtit e deri në shek. V pas Krishtit. Këto dorëshkrime ekzistojnë para se të dihej për Epin e Gilgameshit, Iliadën, para se të shkruhej Talmudi, Kurani etj. Kurani kur u kodifikua mbeti vetëm në një dorëshkrim, pasi autoritetet e atëhershme islame me urdhër i dogjën kopjet tjera dhe i vranë të gjithë hafuzët që e dinin Kuranin përmendësh.

Këtu tash do të sjellë vetëm disa burime të dorëshkrimeve të Biblës që datojnë para shkruarjes së Kuranit dhe para vdekjes së Muhamedit, dhe kur t’i merrni këto dorëshkrime të Biblës dhe i krahasoni me Biblën e vitit 2004 nuk gjen asnjë ndryshim, asnjë ndërhyrje dhe përfundimisht del se Bibla nuk është ndryshuar as pas ardhjes së Kuranit: Pesë janë burimet kryesore të dorëshkrimeve të Biblës:

Codex Vaticanus (325 pas K.), gati gjithë Bibla, ruhet në bibiotekën e Vatikanit.

Codex  Sinaiticus (350 pas K.) tërë Dhiata e Re dhe gjysma e Dhiatës së Vjetër, gjendet në Muzeun Britanik.

Codex Aleksandrus (400 pas K.) gjithë Bibla, Muzeu Britanik

Codex Bazae (450 pas K.) ungjijtë dhe veprat e apostujve, gjendet në Bibliotekën Universitare në Kembrixh

Codex Ephraemi (450 pas K.) Dhiata e Re, Biblioteka Nacionale, Paris.

Tjetër, ekzistojnë edhe disa përkthime të Biblës përpara se të dihej, apo para se të shkruhej Kurani dhe Talmudi dhe shumë vepra të mëdha letrare, me të cilët sërish po të krahasohen me Biblën e sotme del se Bibla nuk është ndryshuar as pas ardhjes së Kuranit dhe Muhamedit:

Përkthimi në greqishten e vjetër Septuaginta, (shek. III para Krishtit.)

Përkthimi në siriakishten e vjetër (150 pas K.)

Përkthimi në siriakishten peshita (150 pas K.)

Përkthimi në latinishten e vjetër (shek. IV pas K.)

Përkthimi në latinisht Vulgata, nga Jeronimi (364 – 384 pas K.)

Përkthimi koptik ose egjiptian (200 – 300 pas K.)

Tjetër, në vitin 1947, afër Detit të Vdekur, në shpellë të Kumranit, një bari arab pasi që kishte humbur rrugën e tij, ai vëren afër një shkëmbi një shpellë. Ai hyri brenda dhe aty gjeti kavanoza gline, dhe në to lëkura të mbështjellura. Në bazë të matjeve të fizikës nukleare është dëshmuar se këto dorëshkrime të Biblës, të gjetura në Shpellën e Kumranit, i përkasin shek. I pas Krishtit. Përfundimisht edhe kjo dëshmi vërteton se Bibla nuk ka ndryshuar kurrë as para e as pas Kuranit. Pra, Bibla kurrë s’është ndryshuar, sepse për të ndryshuar atë duhej që të mblidheshin me mijëra kopje të Biblave në shumë gjuhë botërore, para se të shkruhej Kurani dhe para se të lindtte Muhamedi. Shkrimi i Biblës është dëshmi dhe e vërtetë historike, me gjenaologji, me kronologji etj.

Tani lidhur me origjinalin kjo është diçka e pamundur, sepse asnjë libër i vjetër nuk ka origjinal, sepse lëkura nuk qëndron 3000 vjet o dashamiri im, por ato janë kopjuar, porse  dorëshkrimet e tilla më të vjetra datojnë prej 2300-1700 vjet. Pse origjinali nuk vihet në përkthimet e Biblës ashtu si bëhet me Kuranin? Sa për dijeni Kurani është vetëm një e dhjeta e gjithë Biblës si vëllim, dhe sikur të vihej edhe origjinali i Biblës atëherë a e dini se sa e trashë do të ishte Bibla, megjithëse ka disa përkthime lineare që gjendet edhe origjinali, pastaj Kurani ndonëse i shkruar në vargje dhe jo në prozë, zotëri, kjo paraqet një kiamet të madh për përkthyesit që saktësisht ta transmetojnë mesazhin e Kuranit, kurse paramendo, Bibla është e shkruar 2100 vjet para Kuranit është shkruar në prozë, kurse shkruarja e Kuranit në vargje, pra si poezi, dhe si një libër i shenjtë si çështje e historisë së letërsisë botërore paraqet një dekadencë letrare. Pra Bibla përkthehet shumë lehtë, dhe Bibla e përkthyer në cilëndo gjuhë përbën kualifikim identik shenjtërimi me origjinalin. E kuptoj qartë se kur të përkthehet Kurani në gjuhët tjera nëse nuk gjendet aty origjinali, domethënë Kurani aktual në gjuhën arabe, atëherë s’është Kuran! A nuk është edhe kjo dogmë arabocentrike! Aspak gjuha hebreje, arabe apo greke nuk janë më të shenjta se sa gjuha shqipe para Zotit, sepse sipas Biblës Zoti i ka krijuar gjuhët dhe kombet. Kur këmbëgulni ju kaq shumë me këtë teori më përkujtoni kohën e fanoritëve grekë që thonin se gjuhët tjera, duke përfshirë shqipen s’janë të denja që ta kenë Fjalën e Zotit në gjuhët amtare.

Çfarë kuptimi ka konstatimi i juaj: “teksti më i vjetër hebraik i Biblës është ai i shek. IX të epokës sonë”, kurse shpesh në shkrimin tuaj ju i referoheni edhe shekujve më të hershëm, si kjo: “rreth shek. III para erës sonë kanë ekzistuar së paku tri variante të tekstit hebraik të Biblës”. O zotëri, në pyetje janë XII shekuj që ti po i huq, po i ngatërron, po hedh pluhur syve. Non sens ser! Tjetër, ju përkthimin e Biblës, p.sh. atë të Septuagintës në greqisht e cilëson si variant të Biblës. O dashamiri i fjalës së shkruar historike dhe artistike, për mos me të thanë o jarani i pites – me mahi: përkthimi nuk është kurrë e kurrës varianti i veprës bazë, por është vepra vetë. Variante mund të jenë tre ungjijtë e parë të Biblës që quhen edhe ungjijtë sinoptikë, por jo se përkthimet të bëhen varianta. Vërtet jeni humbur plotësisht në terrenin e panjohur. Dhe ju Biblës ia gjeni edhe një mëkat, se ajo ka tregime popullore, kashelasha, proverba, përralla etj. Në qoftë se ka ndikuar letërsia popullore (mitet, legjendat, tregimet, përrallat, gojëdhënat, epi, kënga etj), në Bibël, atëherë këtë do ta shoqëronin elementet  tipike të letërsisë gojore: aautorialiteti, akauzaliteti, atemporaliteti dhe alokaliteti. Këto veçori nuk janë sinonimitete të Biblës. Është e qartë tani!?  Bibla është një megasistem unik që funksionon qe 3500 vjet, dhe ka kapërcyer filozofë e dijetarë, mbretër dhe perandorë, luftëra dhe tërmete dhe është ende e tillë, dhe do të përcjellë edhe ty, pa u zbehur, pa u ndryshuar. Të lutem mos më thuaj më se po murmuris, se po flas si mesjetar, se s’po sjellë fakte e argumente, sepse i ke me bollëk dhe bajegi ma ke shpenzuar do kohë veç e veç me të nderue duke t’u përgjigjur ty dhe lexuesve natyrisht. Prandaj në të vërtetë unë të thërras ty që ta lexosh dhe ta besosh Biblën, dhe Zoti ta ndriçoftë mendjen dhe zemrën, pasi që ti po deklaron disa herë se të intereson dhe po e kërkon të vërtetën, ndërsa Jezus Krishti në ungjillin e tij thotë: Unë jam e Vërteta! Ju do ta kërkoni të Vërtetën (Jezusin – shënimi im), dhe e Vërteta (Jezusi – shënimi im) do t’iu bëj të lirë!

Pastor Femi Cakolli

(Autori është Pastor dhe ka mbaruar studimet e doktoratës në Letërsi Shqipe pranë Universitetit të Prishtinës. Ky artikull ishte shkruar enkas për shtypin ditor të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura janë personale)