Fotoja e artikullitPejë, më, 24 maj 2013

E nderuara Presidente Jahjaga,
I nderuari Ministër Hoxhaj, zv. Ministër Selimi,
I nderuari Kryetar i Komunës së Pejës Berisha,
Të nderuara ambasadorë,

Të nderuar kolegë drejtues të bashkësive fetare në vend,
Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë të flas pas këtyre folësve të respektuar. Adresimin tim dëshiroj ta bëj duke sjellur një reflektim mbi “Rregullën e Artë”. “Bëj për të tjerët atë që do doje të tjerët të bëjnë për ty” janë fjalët të Jezus Krishtit të folura para rreth 2000 vitesh (të përmbledhura nga Ungjillitari Luka në Ungjillin sipas Lukës kapitulli 6 vargu 31), fjalë këto që kanë pasur efekt shpengues në jetët e miliona njerëzve de brezave të nfryshëm përgjatë historisë së njerëzimit. Kjo maksimë, e njohur ndryshe edhe si ETIKA E RECIPROCITETIT, në thelb paraqet nevojën për trajtim të barabartë të gjithë njerëzve dhe eliminimin e dallimeve. Mbi këtë themel është ndërtuar edhe Organizata më e madhe e kombeve – Organizata e Kombeve të Bashkuara ku Kosova synon të bëhet anëtare e barabartë.

Të nderuar të pranishëm,

Populi ynë ka një traditë të gjatë të bashkëjetesës mes kombeve, feve e traditave të ndryshme. Brezi ynë e ka trashëguar këtë pasuri nga etërit tonë. Është detyrë e jona që të mos lejojmë që flakadani i bashkëjetesës e barazisë të shuhet. Ai duhet të ushqehet jo me gjuhën e urrejtjes por të dashurisë e respektit të drejtave të njeriut për të gjithë. Respektimi i të drejtave të të gjithë njerëzve nuk bëhet duke krijuar komisione të njëanshme por duke ofruar trajtim të barabartë për të gjithë.

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës si njëra ndër bashkësitë fetare në vend mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të dialogut në mes të bashkësive fetare për të adesuar të gjitha cështjet që janë në interes të shoqërinë tonë. Ne besojmë se në Kosovë ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë për të kontribuar për më të mirën e të gjithëve. Ne jemi një vend fatlum që kemi kaq shumë miq tek të cilët mund të shikojmë. Janë këto vende mike që tashmë i kanë tejkaluar konfliktet ndërfetare prej të cilëve mund të mësojmë.

Më lejoni që këtë adresim ta përmbyll me dy thënie të bukura. E para vjen nga nobelistja e këtij vendi Nënë Tereza e cila thoshte: “Dashuria fillon nga shtëpia jonë”. Gjithashtu vlen të përmbendet edhe një fjalë e folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që thotë: “Liria e zgjedhjes është parim univezal ndaj të cilës nuk duhet të ketë përjashtime”. (OKB, 7.12.1998).

Të nderuar të pranishëm,

JO DISKRIMINIMI ËSHTË VLERË E DEMOKRACISË!

Suksese në këtë Konferëncë,

Ju faleminderit!