Zyrtarizohet lokacioni për varreza protestante në Prishtinë

Sot, Asambleja Komunale e Prishtinës me shumicë votash e kaloi propozimin e Drejtorisë së Urbanizimit pranë Kuvendit Komunal Prishtinë për caktimin e lokacionit për varreza protestante.

Fillimisht kryesuesi i asamblesë z. Halim Halimi u kërkoi deklarim shefave të grupeve parlamentare rreth këtij propozim vendimi.

Të gjithë u deklaruan në favor të vendimit në përjashtim të përfaqësuesit të Partisë së Drejtësisë (PD) i cili shprehu kundërshtim.

Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nga ana e tij shprehu habinë rreth “lokacionit në periferi të qytetit që është trajtim jo i barabartë”. Ai gjithashtu kërkoi që Komuna e Prishtinës të merr përsipër shpenzimet për shndërrimin e zonës në varreza si të gjitha varrezat e konfesioneve tjera.

Sipas Rregullores së Komunës për varrezat, Komuna e Prishtinës detyrohet t’i mirëmbajë të gjitha varrezat në territorin e vet, mbështetën asambleistët.

Në fund të takimit Kryetari Pastor Driton Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij për të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës për qasjen e tyre pozitive karshi kërkesës sonë të kamotshme. Pastori gjithashtu falënderoi të gjitha palët e përfshira në këtë proces të stërzgjatur. “Vendimi i sotën hap rrugë që kuvendet tjera komunale në Kosovë ta përmbyllin pozitivisht procesin e ndarjes së lokacioneve për varreza protestante”, theksoi kryetari Krasniqi në përmbyllje.

Lokacioni i varrezave protestante të Prishtinës ndodhet përbri varrezave hebreje në lagjen “Velania” në zonën kadastrale të Sofalisë. Këshilli i KPUK-ut dhe pastorët e kishave të Prishtinës janë dakorduar me Komunën e Prishtinës për këtë lokacion si zgjidhja më e mirë e mundshme.

Sipas rregulloreve në fuqi i mbetet Komunës së Prishtinës t’i bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fisnikërimin e lokacionit.