Pastor Cakolli: Lirinë e kuptojmë që ajo të jetë me dobi ndërtuese dhe jo në dëm të tjetrit

Nën organizimin e OSBE në Kolegjin AAB më 21 mars 2017, në Prishtinë, para studentëve të këtij kolegji, u mbajt debati me temë “Dialogu ndërfetar dhe ndërtimi i tolerancës përfshirë të rinjtë”

Debatin e hapi zëvendësrektori i Kolegjit AAB, kurse e drejtoi znj. Valbona Dërmaku këshilltare Nacionale për të Drejtat e Njeriut, Misioni OSBE.

Përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, pastor Femi Cakolli, para studentëve shpjegoi fillimisht praninë 200 vjeçare të protestantizmit mes shqiptarëve dhe për rolin që ka pasur ky komunitet gjatë Rilindjes Kombëtare sikurse hapja e shkollave shqipe, bërjen e alfabetit shqip, botimin e teksteve shkollore etj. Kjo do të thotë se në këto hapësira ka një traditë shumë të gjatë të pranimit të tjetrit në dallime. Ne kemi pasur bashkëpunim shumë të frytshëm çdoherë me të gjitha bashkësitë fetare kur OSBE ose cilado tjetër organizatë ka ndërmarrë ndonjë nismë për dialog ose veprime të tjera.

Kisha Protestante nxit shoqërinë në përgjithësi dhe gjitha komunitet fetare për dy vlera themelore siç është vullneti i lirë i individit, familjes, grupit apo shoqërisë dhe ushtrimit të lirisë në përgjithësi. Lirinë e kuptojmë, si të krishterë protestantë, përherë në përkufizueshmërinë biblike, që ajo të jetë me dobi, ndërtuese dhe jo në dëm të tjetrit. Secilit i garantohet me kushtetutë dhe me ligje të Republikës së Kosovës që të ushtrojë lirisht besimin ose mosbesimin e tij.

Nga këndi teologjik është e qartë se Zoti, qoftë hebrenjve, qoftë nga të krishterët ose qoftë nga myslimanët kërkon që mos të adhurojmë ndonjë zot tjetër, ndonjë zot të rremë, dhe kjo duket si një radikalizëm, mirëpo Jezus Krishti na mëson që ne duhet ta duam Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje dhe me tërë forcën tënde sikurse edhe ta duash tjetrin porsi vetveten. Në histori ka ndodhur shpesh që njeriu është brengos se si e do Zotin por ka përjashtuar dashurinë dhe kujdesin ndaj njeriut.

Dua ta ritheksoj se besimi apo feja duhet të jetë e ndarë nga shteti dhe kërkojmë që kjo të zbatohet në secilin rast, dhe kujtojmë këtu thënien e njohur biblike “ajo që është e Cezarit i jep Cezarit dhe ajo që i takon Zotit i jep Zotit”.

Të rinjtë nga të gjitha bashkësitë fetare të Kosovës kanë pasur shumë raste që të përfshihen në projekte të përbashkëta dhe ka qenë një përvojë e mirë me të gjithë.

Duam t’i sigurojmë të gjithë të rinjtë e këtij vendi se kryesitë e bashkësive fetare në Kosovë takohen shpesh me njëri-tjetrin, bisedojmë, flasim për tema të ndryshme dhe ekziston një dialog e komunikim konstruktiv mes nesh edhe pa inicimin apo përfshirjen e ndonjë pale të tretë. Ballkani ku ne jetojmë ka traditë të respektimit të pakicave dhe besimeve të ndryshme nga ana e popullatës së gjerë, edhe atëherë kur këtë pjesë e kanë sunduar të tjerët, dhe këto rezultate janë arritur të udhëhequr nga zemra sipas parimit “u bë të tjerëve atë që ti uron që të tjerët të bëjnë për ty”.

Në fund të debatit panelistet ju përgjigjen pyetjeve të studentëve të pranishëm.