Krishtlindja – shfaqja e dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut

Mesazhi i kryetarit pastor Driton Krasniqi

Krishtlindja – shfaqja e dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut

Të dashur vëllezër e motra,
Të nderuar qytetarë,

Në vigjilje të Krishtlindjes jam i nderuar ta ndaj me ju këtë mesazh të Krishtlindjes. Krishtlindja bashkë me Pashkën paraqesin festën qendrore të Krishterimit.Është tejet e rëndësishme të kuptohet thelbi i Krishtilindjes dhe që në të vërtetëështënjë lajm i mirë i dashurisësë Perëndisë për njerëzimin.

Fatkeqësisht lajmet e këqija përbëjnë lajm dhe si të tilla dominojnë botën rreth nesh. Edhe në arenën ndërkombëtare këtë vit Kosova ka pasur deficit porsa i përket portretizimit të vendit tonë. Por, ka një lajm tjetër që kaq shpesh anashkalohet. Ky lajm është se Perëndia na do ne dhe e do Kosovën dhe popullin tonë. Ai na do me dashuri të përjetshme e të pa kushtëzuar

Kur Perëndia e kishte krijuar njeriun, Bibla thotë se e kishte bërë në imazhin e tij. Fjala e Zotit gjithashtu na mëson se Perëndia është dashuri. Njeriu përbën qenien më të dashur për Perëndinë. Fatkeqësisht njeriu dështoi për t’ja kthyer me të mirë Zotit, duke e dashur atë me po atë dashuri. Aq më keq, njeriu u bëkryeneç dhe u rebelua kundër Perëndisë. Kjo thyerje e besës nga ana e njeriut, e zemëroi Zotin tej mase. Por, për shkak të dashurisë së tij të pamasë ndaj njeriut, ai e dha Jezusin, Birin e Tij, që të vdes në vendin tonë.

Lindja e Jezusit ishte e mbinatyrshme dhe e jeta e tij ishte e pa mëkat. Kjo e bën Jezusin personin e përkryer për të qëndruar ndërmjetës në mes të njeriut dhe Perëndisë. Këtë rol nuk ka arritur ta merr asnjë herë asnjë njeri tjetër mbi faqen e dheut.

Andaj, në Krishtlindje ne festojmë mirësinë e Zotit dhe dhembshurinë e tij ndaj njerëzimit. Krishtlindja para së gjithash është kohë e pajtimit të njeriut me Perëndinë, por edhe e njeriut me njeriun.

Gjatë vitit që po e lëmë pas besimtarët tonë gjithandej në Kosovë e kanë ndarë këtë mesazh të pajtimit e të dashurisë së Zotit me të gjithë njerëzit. Paqja jonë me Perëndinë, të dashur vëllezër e motra, nuk është e dhënë për një kategori të caktuar njerëzish të privilegjuar e as për ndonjë elitëtë caktuar. Mirësia e Zotit është e shfaqur tek çdo njeri që e pranon atë.

Ndërsa njeriut i mungon pajtimi me Zotin, njeriut i mungon shpresa për të ardhmen e për jetën. Në mungesë të shpresës, kaq shumë njerëz gjatë vitit që po e lëmë pas janë dhënë pas gjërave të këqija duke shkaktuar aq shumë dhunë e pasiguri në botë. Kaq shumë nga ne i kemi varur shpresat tona tek ekonomia, politika, karriera. Por të gjitha këto janë të cenueshme dhe dështimi i tyre sjell dëshpërim të madh. Vetëm Zoti është i njëjti dje, sot e përgjithmonë. Këtë e konfirmon Bibla.

Kishat tona gjithandej në Kosovë u kanë ardhur në ndihmë familjeve nevojtare sipas çdo mundësie. Shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithë atyre që me veprat e tyre të mira ua kanë shfaqur dashurinë e Jezusit bashkëvendësve duke ua lehtësuar barrën sado pak.

Edhe këtë vit si viteve tjera, besimtarët gjithandej kanë shpërndarë qindra e mijëra dhurata të Krishtlindjes duke sjellë buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve tonë.

Këtë Krishtlindje, si prind e familjar jam i tronditur nga dështimi i njerëzisë. Shpreh solidarizimin me qindra e mijëra njerëz të prekur nga lufta. I lutem Zotit që paqja e tij e cila e tejkalon mendjen njerëzore të mbretërojë në Lindjen e Mesme e që të plagosurit e zemërthyerit të shërohen.

Këtë vit, së bashku me të gjithë ju e kemi festuar 200 vjetorin e pranisë sonë në këto treva. Gjatë këtyre shekujve kemi bashkë ekzistuar me komunitetet tjera fetare duke i ndarëbashkë të mirat e vështirësitë. Assesi nuk dua të harroj punën e madhe të Asamblesë Komunale të Prishtinës me rastin e ndarjes sëparcelës për varreza të komunitetit tonë. Veprimi i mençur i asamblistëve e ka zgjidhur një nyje të madhe në Prishtinë dhe ka hapur rrugë për komunat tjera të veprojnë po ashtu me përgjegjësi institucionale. Mbrojtja e më të voglit përbën bazën dhe testin e demokracisë. Edhe vitin 2016 po e përmbyllim pa Ligj që e përkufuizon pozitën juridike të bashkësive fetare. Jam optimisht se gjatë vitit 2017 ligjvënësit tonë do të jenë në nivel të detyrës duke tejkaluar ndasitë dhe duke e dhënë Ligjin e Fesë.

Është lutja ime që gjatë vitit 2017 Zoti Perëndia ta begatojë e mbrojë Kosovën prej çdo rreziku që mund t’i kanoset.

Zoti të bekoftë miku im!

Gëzuar Krishtlindja – Shpëtimtari u lind!