Krerët shtetëror të Kosovës urojnë besimtarët protestant ungjillor për Krishtlindje

Kryetari i KPUK-se pastor Driton Krasniqi ka pranuar telegrame urimi nga krerët e shtetit të Kosovës presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit z. Kadri Veseli.

Në urimin e Krishtlindjes së Presidentit Thaçi thuhet:

“I nderuari pastor Krasniqi,

Me respekt ju përcjelli urimet më të përzemërta Juve dhe të gjithë besimtarëve protestant në Republikën e Kosovës për festën e bekuar të Kërshëndellave. Në ditët si kjo e shijojmë ngrohtësinë e dashurisë për njëri tjetrin si dhe e kuptojmë nevojën që të tregojmë sa më shumë kujdes dhe solidaritet për të gjithë. Jam krenar që Kosova jonë është kthyer në shtëpi tonë të përbashkët dhe punojmë që të gjithë të jetojmë si vëllezër nën një kulm. Më lejoni që juve i nderuari Pastor Krasniqi, si dhe të gjithë besimtarëve protestant, t’ju uroj Kërshëndellat dhe t’ju dëshiroj solidaritet, harmoni e mirëqenie”.

Ndërsa në urimin e kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli thuhet:

“I nderuari Pastor Driton Krasniqi,

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Juve dhe të gjithë besimtarëve protestantë në Kosovë ju uroj kremten e Krishtlindjes. Kjo është një festë e madhe që bart mesazhin universal për shpëtimin dhe çlirimin e njeriut nga e keqja dhe padrejtësitë. Lajmin e mirë të kësaj feste ta shfrytëzojmë për të qenë edhe më të bashkuar në mbrojtje të vlerave të civilizimit dhe humanizmit.

Gëzuar!”