Komuniteti Protestant Ungjillor i Gjakovës ndërton ura mirëkuptimi

Me ftesë të OSBE-së dega në Gjakovë, u mblodhën në drekë të përbashkët predikuesit fetarë të bashkësive fetare Islame, Katolike, Ortodokse, Protestante Ungjillore dhe të Tarikateve.

Ky takim kaloi në atmosferë vëllazërore dhe me diskutime miqësore të njohjes më të mirë me njëri-tjetrin; punën e bashkësive në fjalë dhe zhvillimit të respektit të ndërsjellë.

Pas drekës së përbashkët përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Ortodokse Serbe nga Deçani dhe Bashkësisë së Tarikateve i bënë një vizitë komunitetit protestant – respektivisht kishës “Bashkësia e Zotit Jezus-Evangjeliste” në qytetin e Gjakovës.

Në po të njëjtën atmosferë të ngrohtë mysafirët u mirëpritën nga pastorët Nikë Krasniqi dhe Jeton Sokoli. Nikoqirët i njoftuan mysafirët me përmbajtjen e besimit protestant; shtrirjen, funksionimin dhe organizimin e komunitetit tonë në rajonin e Gjakovës.

Në fund të takimit pastor Nikë Krasniqi falënderoi mysafirët dhe organizatorët për vizitën. “Falënderojmë  organizatën e OSBE-së për organizime të këtilla. Në të ardhmen ne do ta japim kontributin tonë të bindur se kjo do t’i kontribuojë  forcimit të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes komuniteteve në funksion të ruajtjes së paqes dhe bashkëjetesës fetare në Kosovë” u shpreh Pastor Nikë Krasniqi në përmbyllje të vizitës.