Delegacioni i KPUK-ut viziton Kuvendin Komunal të Gjakovës

Kryetari i KPUK-ut pastor Driton Krasniqi i shoqëruar nga pastori i kishës lokale “Rilindja e Kosovës” Gjakovë dhe njëherit anëtarit të Këshillit të Shërbestarëve të KPUK-ut Jeton Sokoli vizituan Kuvendin Komunal të Gjakovës. Në takim, delegacioni i KPUK-ut u prit nga kryetarja e Komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila me bashkëpunëtorë.

Temë bosht e takimit ishte kërkesa shumë vjeçare e komunitetit protestant për parcelën e varrezave të komunitetit protestant ungjillor. Kryetari Krasniqi e njoftoi kryetaren Kusari-Lila me përparimin e Ungjillit, shtrirjen si dhe pozitën juridike të KPUK-ut sipas Ligjit aktual për Lirinë Fetare.

Pastorët u interesuan për funksionimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe kërkuan që përfaqësimi i Komunitetit Protestant të rregullohet ligjërisht.

Duke e falënderuar nikoqiren për mikpritjen dhe duke e potencuar rrugën e komunitetit protestant për të drejta të barabarta në shoqërinë kosovar, Kryetari Pastor Driton Krasniqi ka nënvizuar: “Kërkesa jonë për trajtim të barabartë e jo diskriminues nga ana e institucioneve shtetërore është kërkesë e drejtë dhe sublime”.

Leave a Reply