Delegacioni i Kishës viziton Kuvendin Komunal të Gjilanit

Delegacioni i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës në përbërje Pastor Driton Krasniqi, kryetar; Pastor Femi Cakolli, anëtar i Këshillit të Shërbestarëve dhe plakut të kishës në Gjilan z. Naim Bllaca vizituan Kuvendin Komunal të Gjilan.

Mysafirët u pritën në mjediset e kryetarit të Kuvendit nga vetë kryetari i Gjilanit z. Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë.

Fillimisht kryetari Krasniqi e njohu kryetarin Haziri me ecurinë e punës dhe aktivitetet e kishave protestante gjithandej në Kosovë me theks të veçantë Komunën e Gjilanit që nga pas lufta e këndej. Në kuadër të përgatitjeve për shënimin e 200 vjetorit të lëvizjes protestante midis shqiptarëve, kryetari Krasniqi e informoi kryetarin Haziri me përgatitjet që janë duke ndodhur si dhe e ftoi në solemnitetin që pritet të mbahet në Prishtinë.

Më pas delegacioni i KPUK-ut u ndal tek sfidat e hapësirës me të cilat po përballemi si një komunitet në rritje që jemi dhe kërkoj mbështetje nga Komuna e Gjilanit për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Kryetari Lutfi Haziri nga ana e tij i informoi mysafirët me planet e Komunës së Gjilanit për rregullimin e çështjes së varrezave. Në fund Kryetari Haziri shprehu konsideratën e tij për bashkëpunimin dhe korrektësinë e përfaqësuesit të komunitetit protestant të Gjilanit plakur Naim Bllaca në takimet komunale.