Ambasadori i SHBA-së në Kosovë z. Greg Delawie viziton Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës

I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Greg Delawie së bashku me zyrtarin politik pranë kësaj ambasade z. Scott Lang vizitoi Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK). Në selinë e KPUK-ut Ambasadori Delawie u prit nga kryetari Pastor Driton Krasniqi me anëtarët e Këshillit të Shërbestarëve pastorët Femi Cakolli dhe John Chesnut.

Ambasadori u interesua për fushëveprimin, angazhimin e Komunitetit Protestant në shoqërinë kosovare dhe marrëdhëniet mes KPUK-ut me shtetin dhe rolin e saj në vendin tonë.

Nikoqirët e njoftuan ambasadorin me traditën 200 vjeçare të kishës protestante ndër shqiptarë duke përmendur me theks të veçantë angazhimin e pastorëve vendorë dhe misionarëve amerikanë në thirrjen dhe organizimin e Kongresit të Manastirit dhe hapjen e shkollave shqipe dikur dhe sot. Mysafirët u njoftuan me angazhimin e komunitetit protestant për ndërtimin e Kosovës si shoqëri e hapur si dhe lidhjet tradicionale dhe zhvillimin e marrëdhënieve të zgjeruara të Kosovës me shoqëritë perëndimore.

Kryetari Driton Krasniqi nga ana e tij nënvizoi pengesat që komuniteti protestant ndesh në mosmarrjen e lejeve të ndërtimit për objektet kishtare si dhe shprehu shqetësimin e tij për mospërfilljen që po hasim nga komunat për ndarjen e parcelave për varreza të Kishës Protestante. “Mosmiratimi i amendamenteve të Ligjit për Lirinë e Fesë ka sjellë pengesa për komunitetin tonë dhe për të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë”, nënvizoi Pastor Krasniqi. Ambasadori Delawie theksoi se Qeveria e SHBA-ve angazhohet vazhdimisht për promovimin e lirisë fetare dhe të drejtat e për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.