Shpjegime themelore mbi atë që quhet “Bibël”

Shkruan: Dr. Femi Cakolli, pastor

Fjala bibël, vjen nga greqishtja biblios, që d.m.th. libra, shkrim, libërtha, shkrime. Etimologjikisht ky nocion vjen nga Biblos (1 Mbr. 5:32, Jhz. 27:9)[1] sot një vend përmbi Bejrut të Libanit, me emrin Jubayl. Ky ishte një qytet i vjetër tregtar fenikas. Fenikasët ishin përhapës të alfabetit të sotëm, si dhe ndërmjetësues për shitjen e materialit të shkrimit (papirit). Sipas qytetit apo limanit të tyre, ku prodhohej papyri, apo nga ishin edhe vetë tregtarët si ndërmjetësues, grekët e vjetër materialin në të cilën shkruanin filluan ta quajnë me emrin e qytetit (Jubayl) Biblos. Materiali ishte zakonisht me madhësi të madhe njëfletëshe, dhe kur u bashkonin së shkruari, bëhej një libër, dhe kështu me kohë mori emrin biblios, ose sot për të kuptuar emrin e shumë librave në një libër, që quhet Bibla. Kështu Bibla quhet Libri. Në gjuhën latine quhet biblia, kurse në shumicën e gjuhëve evropiane si bibel. Papirusi, në gjuhën greke është papiros, ndërsa në latinishte është papirus, që d.m.th. letër. Dorëshkrimet e vjetra që janë shkruar në këtë lloj materiali quhen papiruse, ndërsa disiplina shkencore mbi këto dorëshkrime quhet papirologji.

Në libra të shumta letrare, filozofike dhe filologjike, Bibla deri tani është përkufizuar si Libri i librave, Fjala e jetës, Letërsia e letërsive, Shkrimi I shenjtë etj. Diku thuhet se Bibla është përmbledhje e tregimeve, e legjendav edhe e miteve të ndryshme.

Nga emri i Shkrimit të shenjtë biblios, sot kemi disa nocione të tjera që shprehin përkufizime të ndryshme kulturore dhe shkencore: bibletore, bibliotekë, biblik, bibliobus, bibiliofil, bibliognozia, bibliograf, bibliografia, biblioklas, bibliomania, bibliotekist, bibliotekar, biblioterapia, bibliologjia, biblist, biblistikë, biblizëmetj.[2]

Emërtimi i Shkrimit të shenjtë është rezultat I kulturës greke, kurse hebrenjtë fare nuk e kanë njohur këtë emërtim për Shkrimin e tyre, sepse ata që me kohë këtë nocion apelativ të shkrimeve të shenjta e kanë quajtur thjesht me anë të singularizimit Shkrimi i shenjtë, dhe jo në shumës, si me rastin Bibla.

Biblën e kanë shkruar 40 autorë të ndryshëm. Të gjithë autorët janë hebrenj. Libri i pare i saj, i quajtur Zanafilla (haset në letërsinë tone edhe, si: Gjeneza, Të Bërit, Lindia), është shkruar nga Mojsiu[3], në shek. XVI para Krishtit, kurse libri i fundit i Biblës quhet Zbulesa (Apokalipsi), është shkruar nga Apostull Gjoni[4], rreth vitit 95 pas Krishtit. Pra, Bibla është një kod i gjallë letrar që ka rrjedhur për XVI shekuj. Autorët kryesor të këtyre librave janë: Mojsiu, Joshua, Davidi, Solomoni, Danieli, Nehemia (profetë, sundues, mbretër, filozofë), Isaia, Jeremia, Ezekieli, Osea, Amosi, Ovadja, Jona (profetë), Mateu, Gjoni, Pjetri, Jakobi, Luka, Marku, Pali, Juda (apostuj, dishepujtëJezusit) etj.

Kjo bibliotekë e Biblës ndahet në dy pjesë të mëdha: Dhiata e Vjetër (Besëlidhja e Vjetër), dhe Dhiata e Re (Besëlidhja e Re).

Dhiata e Vjetër i ka 39 libra, përkatësisht 46 libra. U shkrua prej shek. XVI - IV para Krishtit. Dhiata e Re ka filluar të shkruhet prej vitit 42 - 95 pas Krishtit. Periudha mes dy dhiatave, katër shekuj, quhet periudha e pritjes mesianike. Këto dy dhiata janë në përputhje me njëra-tjetrën dhe e plotësojnë njëra-tjetrën.

Në mënyrë skematike e paraqesim kështu:

Fjala dhiatë vjen nga greqishtja që do të thotë rregulloj, por kuptimi i saj është testament, aleancë. Në gjuhën shqipe nocioni më përkatës është besëlidhje. Kështu e përdor së paku edhe përkthyesi më i shquar i Biblës në shqip Don Simon Filipaj. Mirëpo në traditën tone letrare dhe kulturore është ngulitur nocioni dhiatë.

Bibla është shkruar në tri gjuhë: hebreje, arameje dhe greke.

Gjuha arameje është gjuhë e familjes semite. Në këtë gjuhë janë shkruar disa pjesë të librit të Ezrës dhe të Danielit, që janë në Dhiatën e Vjetër. Jezusi kudo u kishte predikuar masave në gjuhën arameje. Ungjilli i Mateut ishte shkruar fillimisht në gjuhën arameje (aramaike) rrethvitit 42, dhe më vonë është përkthyer në gjuhën greke, ashtu siç është përkthyer edhe ungjilli i Markut, nga gjuha hebreje në atë greke. Greqishtja në ato kohë ishte gjuhë me dominim të madh.

Përmbajtja e tekstit të Biblës njësohet kështu:

- në dhiata: Dhiata e Vjetër dhe e Re

- dhiatat në libra: 66 përkatësisht 73[5]

- librat në kapituj: 1191, përkatësisht 1330

- kapitujt në vargje: 31000, përkatësisht 35407

Forma e shkrimit të Biblës është në prozë dhe vargje. Në vargje, janë shkruar vetëm pesë libra, të njohur si libra poetikë. Kur përkthehen këto libra poetike në gjuhët tjera zakonisht përshtaten në prozë, kështu sot gjithë Bibla është në prozë.

[1]Bibla, ECM, Leewarden, Holandë 1993, fq. 358 dhe 572

[2] Mikel Ndreca, Fjalori fjalësh dhe shprehjesh të huaja, Rilindja, Prishtinë, 1986, fq. 88, 89 dhe New Websters Dictionary and Thesaurus, Lexion Publications INC, Danbury, USA, 1992, fq. 94, 95

[3] The NIV Stady Bible, Zondervan Publishing House, Michigan, USA, 1995, fq. 2

[4] Idem: fq. 1922

[5] Shënim: Fjala është për dallim kanonesh të Biblës, mes atij protestant dhe katolik.