KOMUNIKATË PËR MEDIE

URIMI I KRISHTLINJDES
I KRYETARIT TË KISHËS PROTESTANTE UNGJILLORE TË KOSOVËS PASTOR DRITON KRASNIQI

Krishtlindja – ditë e shpresës për njerëzimin

Fotoja e artikullitEdhe këtë vit besimtarët Krishterë kudo në botë po i afrohen ditës së kremtes së madhe të Krishtlindjes. Kjo festë është festë që shënon ngjarjen më madhështore në historinë e racës njerëzore – mishërimin e Perëndisë në personin e Jezus Krishtit.

Bibla – Fjala e Perëndisë na mëson se ngjarja madhështore e lindjës së Shpëtimtarit të botës ishte e mbinatyrshme. I mbinatyrshëm ishte edhe transmetimi i lajmit që engjëjt e bënë tek njeriu. Ungjilli sipas Lukës na mëson se engjëjt e qiellit ishin përfshirë në kumtimin e lajmit të mirë. “Sepse sot ne qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Luka 2:11).

Lindjes së Shpëtimtarit – Zotit Jezus Krisht – i ishin paraprirë shumë profeci të dhëna shumë shekuj me parë nga profetë të ndryshëm në etapa të ndryshme të historisë. Profeti Isaia që kishte jetuar rreth 700 vjet para Krishtit, jep një profeci të mrekullueshme se si do të dukej Shpëtimtari. Profecia e tij vijon: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” Isaia 9:6.

Në kohën e lindjes së Shpëtimtarit të njerëzimit, bota ishte katandisur në pa shpresë. Njerëzimi ishte në kërkim të ndihmës për të dalur nga gjendja e okupimit. Por akoma më e vështirë se okupimi fizik ishte okupimi shpirtëror në të cilin ishte zhytur bota. Në personin e Jezus Krishtit ishin përmbushur të gjitha profecitë. Jezusi në vete ngërthen natyrën hyjnore dhe njerëzore. Misioni i Jezusit në tokë ishte për ta shpëtuar boten nga mëkati dhe për ta çliruar nga skllavëria që mëkati sjell.

Prandaj, Krishtlindja është një kremte e madhe në tërë botën. Siç kuptojmë edhe nga vetë emri, Krishtlindja është koha e festimit të Lindjes së Krishtit. E gjithë bota feston aktin më të madh të ndërmarr ndonjëherë nga ana e vetë Perëndisë – akti i çlirimit nga sundimi i mëkatit në jetën e individit. Krishtlindja është veprim i dashurisë së Krijuesit për krijësën e vet. Në kohën e Krishtlindjes kujtojmë kohën kur Perëndia në mënyrë aktive shpreh keqardhjen e Tij për gjendjen e njeriut. Jezus Krishti u bë dhurata e Perëndisë për të gjithë ne.

Mu për këtë, Jezus Krishti sot mbetet personi më i kërkuar e fjala e Tij Bibla libri më i përkthyer në tërë botën. Miliona njerëz e kanë përqafuar dhuratën e shpëtimit të tij ndërsa akti i shpëtimit i ndërmarrur prej tij u bë frymëzim për botën. Jezus Krishti është epiqendra e civilizimit botëror. Perëndia-Njeri Jezus është personi më unifikues duke kapërcyer barrierat fetare, kombëtare e racore. Prandaj, sot, në vigjilje të Krishtlindjes duam të shprehim falënderimin tonë për Shpëtimin që na vjen si dhuratë.

Nga mënyra dhe porosia që Krishtlindja bart, është e qartë se kjo festë tejkalon përmasat e një festimi të zakonshëm. Krishtlindja nuk është një eksluzivitet dhënë për një pjesë të caktuar të njerëzve. Lajmi i mirë i lindjes së Shpëtimtarit është për të gjithë njerëzit pa dallim feje, race a kombi. Askush nuk ka nevojë të ndjehet i anashkaluar në këtë festë sepse Jezusi ka ardhur për të gjithë. Gjatë kohës së Krishtlindjes besimtarët Krishterë e shprehin tërë solidaritetin me njerët në nevojë. Dhuratën e Shpëtimit e ndajmë me të gjithë njerëzit sepse është dëshirë e Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Krishtlindja tradicionalisht festohet në mbarë rruzullin tokësor si kremtja më e madhe.

Krishtlindja është mesazh i shpresës. Porosia e engjëjve e transmetuar 2000 vite më parë, kumbon edhe sot për të gjithë ne. Në kohën e Krishtlindjes përkujtohemi edhe një herë se ka shpresë sepse Jezusi u lind dhe ai është i gjallë.

Me këtë porosi, shfrytëzoj rastin që në emër timin dhe të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës t’ju uroj përzemërsisht të gjithëve pa dallim– GËZUAR KRISHTLINDJA!