Mbahet Kuvendi i Përgjithshëm i KPUK-ut – Rikonfirmohet udhëheqja e Pastor Driton Krasniqit në krye të Bashkësisë Fetare Protestante

Më 14 dhe 15 mars 2014 Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) mbajti në Prishtinë Kuvendin e vet të rregullt vjetor, të 11-in me radhë. KPUK është bashkësi fetare në Kosovë e cila është bashkim i 47-të kishave e kishave në mbjellje në tërë territorin e Kosovës. Në Kuvendin e KPUK-ut përfaqësohen të gjitha kishat anëtare me delegatët e tyre – secili me nga një votë.

Sot, në ditën e dytë të punimeve plenare, delegatët përfaqësues të kishave anëtare në KPUK, mbajtën Kuvendin e rregullt vjetor. Pjesë e rendit të ditës ishin zgjedhjet e brendshme të Këshillit drejtues si dhe Kryetarit.

Me shumicë të madhe votash, Kuvendi rikonfirmoj Pastor Driton Krasniqin Kryetar të KPUK-ut për mandatin e tij të dytë tre vjeçar. Kuvendi gjithashtu votoi Këshillin e ri shtatë anëtarësh të KPUK-ut me përbërje të re.

Zgjedhja e Kryetarit dhe Këshillit bëhet me votë të fshehtë të 2/3 të anëtarësisë. Sipas Statutit dhe Akteve Nënligjore të KPUK-ut, Kryetari ka të drejtë rizgjedhje për dy mandate të një-pas-njëshme.

Kryetari Krasniqi pas marrjes së besimit të tij nga ana e Kuvendit mbajti një fjalim me ç’rast shpalosi pjesë të vizionit të tij për ngritjen dhe avancimin e KPUK-ut.

Në fjalën e tij para delegatëve të Kuvendit, Kryetari i sapozgjedhur Krasniqi mes tjerash theksoi: “Ne duam të shohim një KPUK të fortë si nga rregullimi i brendshëm ashtu edhe nga paraqitja e jashtme. Duam të shohim një KPUK si shtëpi e përbashkët e të gjithë anëtarëve. Duam të shohim një KPUK me identitet të tij dhe bashkëpunues me anëtarët e vet; institucionet e vendit dhe aleanca simotra gjithandej nëpër Europë dhe më gjerë, me theks të veçantë Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH). Duam të shohim një KPUK avokues për drejtësi dhe gardian i të drejtës fetare të besimtarëve Protestantë Ungjillorë në Kosovë. Duam të shohim një KPUK si katalizator i ndërlidhjes mes anëtarëve duke ndërtuar mbi praktikat me të mira të shërbesës së anëtarëve dhe duke i replikuar ato tek të tjerët. Duam të shohim një KPUK me karakter të udhëheqjes shërbëtore”.

Kuvendi si organi më i lart ligjvënës ka aprovuar raportin e shpenzimeve si dhe buxhetin për vitin e ri fiskal. Ky Kuvend është përshkruar edhe nga ngjarje tjera siç janë vizita dhe prezantimet e 7 delegacioneve të Organizatave partnere; vizita e delegacionit të gjërë të VUSH-it dhe kontributi i tyre në ndarjen e Fjalës si dhe Asambleja e të rinjëve me një pjesëmarrje ndër më masoviket deri më tani.