shpend-1Në ambijetet e Kuvendit Komunal të Prishtinës u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit Për Siguri në Komunitet i Prishtinës. Për vitin 2016 kjo është mbledhja e parë dhe deri në fund të këtij viti kalendarik parashihen të mbahen edhe pesë mbledhje të tilla. Ky Këshill është organ këshillëdhënës. Qëllimi parësor i tij është trajtimi, identifikimi dhe adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me krimin, sigurinë dhe cilësinë e jetës së komuniteteve në Komunë. Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) për herë të parë u përfaqësua dhe u bë anëtare e rregullt e këtij këshilli.

Në këtë mbledhje në cilësinë e raportuesve për gjendjen e sigurisë u paraqiten komandantët e stacioneve policore të kryeqendrës së Kosovës. Ndërkohë përfaqësues të shoqërisë civile paraqiten kërkesat e tyre që ndërlidhen me gjendjen e sigurisë së përgjithshme në shkolla dhe rrugë. Të pranishëm në mbledhje ishin drejtori i Administratës Publike z. Nuredin Nushi, nënkryetari z. Dardan Sejdiu dhe kryetari z. Shpend Ahmeti.

Vlen të theksohet adresimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti. Fillimisht ai mirëpriti praninë e Kryetarit të KPUK-ut Pastor Driton Krasniqi në takim. Më pas Kryetari Ahmeti deklaroi: “Në Prishtinë do të ndërtohet një Kishë Protestante dhe Sinagogë. Atë që dua ta potencoj që është më rendësi ta dimë, me Dritonin dhe përfaqësuesit e Kishës Protestante jemi duke i zhvilluar takimet fundit rreth caktimit të lokacionit për varrezat Protestante në komunën e Prishtinës. Ky Komunitet është komuniteti i vetëm i njohur me ligj si komunitet fetar ndërsa e ka shprehur brengën se nuk ka vend për varrosjen e pjesëtarëve të komunitetit protestant ose në raste kanë hasur në telashe dhe probleme. Kjo liri është e garantuar me Ligj dhe Kushtetutë. Prandaj, unë i mirëpres edhe deklaratat e fundit të Bashkësisë Islame dhe të Kishës Katolike që mirëpresin dhe inkurajojnë dhe e përkrahin këtë proces tepër të rëndësishëm për lirinë fetare në Republikën e Kosovës. Po ashtu kemi diskutuar me Kishën Protestante për dhënien e një lokacioni për ndërtimin e kishës qendrore Protestante në Republikën e Kosovës në Komunën e Prishtinës e cila do të shërbejë si Kisha kryesore Protestante për tërë Republikën e Kosovës. Ka mbetur që në diskutimet e dyanshme me Drejtorinë e Urbanizmit – dhe dje i kemi pasur disa takime dhe vizita në terren – në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë që të jetë e mundur.

Tutje Kryetarit Ahmeti theksoi se në adresën e KK Prishtinë ka arritur një kërkesë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës  dhe nga Komunitetit Hebraik për ndërtimin e një sinagoge.

Vlen të përmendet se më 15 shkurt 2015 Asambleja Komunale e Prishtinës me shumicë votash votoi për ndarje të lokacionit për varreza dhe kishë protestante në Prishtinë.

VEGZA TË NGJASHME:

http://lajmi.net/ne-prishtine-priten-te-ndertohen-nje-kish-protestante-dhe-nje-sinagoge-per-hebrenjte/

https://koha.net/?id=8&l=101435