Urimi i Kryetares Kusari-Lila (PDF)

  • Më 1992 Nikë Krasniqi fillon udhëtimet e para misionuese për në qytetin e Gjakovës.
  • Më 1994 themelohet kisha e parë në Komunën e Gjakovës, “Bashkësia e Zotit Jezus-Evangjeliste”.
  • Më 2001 përurohet objekti i kishës protestante ungjillore në Komunën e Gjakovës.

Gjakova foto e pare

Për të nderuar veprën e Zotit në këtë Komunë, në mjediset e Bashkësinë së Zotit Jezus-Evangjeliste në Gjakovë u mbajt solemniteti i shënimit të këtyre përvjetorëve të rëndësishëm.

Telegram urimi me këtë rast dërgoi kryetarja e Komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila. Të pranishëm në këtë ngjarje të shënuar ishin pastor e misionarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Britania e Madhe. Të pranishëm ishin edhe kryetarët e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK) dhe kishës simotër nga Shqipëria “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” (VUSH) Pastor Driton Krasniqi dhe pastor Ali Kurti.

Në fillim të shërbesës festive iu kënduan këngë lavdërimi e adhurimi Perëndisë për t’u pasuar me dëshmi nga fillesat e para që u ndanë nga pastorët e kishave lokale në Gjakovë: Astrit Morina, Driton Gashi e Jeton Sokoli. Kryetari i VUSH-it pastor Ali Kurti duke e vlerësuar punën e Zotit në Komunën e Gjakovës, mes tjerash theksoi: “Vepra e Zotit në Gjakovë është e lidhur ngushtë me besnikërinë e shërbëtorëve të Zotit pastor Nikë e Pashke Krasniqi”. Me këtë rast ai ndau një pllakë mirënjohjeje Pastor Nikut.

Gjakova 1

Kryetarja e Komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila në pamundësi për të qenë vetë e pranishme për shkak të një udhëtimi të planifikuar kohë me parë, dërgoi një telegram urimi. Në letrën e saj, e cila u lexua para rreth 250 mysafirëve në kishë, me tjerash thuhet: “Kisha protestante evangjeliste në Gjakovë, sot shënon dy dekada të veprimtarisë, ku me shërbesat e saja shpirtërore e humane, ka plotësuar një laramani të besimeve fetare në Komunën e Gjakovës. Me themelimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së një komuniteti të caktuar fetar, ne si institucion komunal dhe qytetarë ju jemi mirënjohës për gjithë kontributet e dhëna jo vetëm në kultivimin e besimit fetar, por edhe për rrezatimin human përmes ndihmave të dhëna në shumëllojshmëri të saj.”

Britaniku Ryan Ahern, pastori i Staplehurst Evangelical Church, në predikimin e ti u fokusua tek rëndësia e të qëndruarit pranë njëri-tjetrit.

Gjakova 2

Pastori i kishës, Nikë Krasniqi në fjalën e tij përmbledhëse foli për sfidat dhe bekimet e një udhëtimi mase 20 vjeçar. Në përmbyllje potencoi: “Bashkërisht kemi ardhur deri këtu, dhe së bashku do të vazhdojmë në predikimin e Ungjillit në këto anë”.

Në mbyllje, besimtarët nga Prishtina shërbyen koktej të pasur për mysafirët e shumtë.